Zyrtare: Bojku vishet kuqezi

Shkëndija sjell goditje të rëndësishme në merkato duke angazhuar mesfushorin 19-të vjeçar, Besmir Bojku-n.

Strugani vjen nga rradhët e kampionit në fuqi Rabotniçkit dhe me Shkëndijën firmos kontratë 4 vjeçare. Bëhet fjalë për një prej talentëve më të mëdhenj të futbollit të Maqedonisë dhe reprezentues standard i shpresave të vendit. Duke ditur se drejtuesit e klubit kanë plane të mëdha për të ardhmen me të rrinjtë dhe se në këtë drejtim synojnë të angazhojë sa më shumë talentë, ardhja e Bojkut konfirmon përcaktimin e qartë për ardhmen. 19-të vjeçari me shumë kënaqësi ka pranuar transferimin në rradhët e Shkëndijës, ndërsa ka vendosur të zgjedhë numrin 35, me që se skuadrës ‘kuqezi’ i bashkohet në vitin e 35 vjetorit të themelimit. 

“Jam i lumtur që vij në KF Shkëndija, një prej klubeve më të organizuara në Maqedoni. Shpresoj të jap maksimumin dhe të arsyetoj besimin e drejtuesve të klubit. Gjithmonë kam dashur të jem pjesë e Shkëndijës dhe tani jam i kënaqur që jam këtu. Mezi pres të debutoj para ‘Ballistëve’. Kam vendosur të zgjedh numrin 35, pasi i bashkohem Shkëndijës pikërisht në vitin kur skuadra feston aq vite nga themelimi“, deklaroi mesfushori i ri i Shkëndijës, Besmir Bojku.

Bahet fjalë për futbollist nga Veleshta e Strugës, i cili me futboll ka nisur të meret që në moshën 8 vjeçare te skuadra e fshatit të lindjes. Talenti i tij u vërejt nga Makedonija Gj.P.  e cila arrin ta angazhojë që si 14-të vjeçar. Aty Bojku kaloi të gjitha kategoritë, duke u promovuar sezonin e kaluar si një prej futbollistëve kryesor në Ligën e Parë, ndërsa këtë verë kaloi te kampioni i ri Rabotniçki. Me ‘romantikët’ luajti në ndeshjen e parë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve dhe zhvilloi 4 takime në sezonin e ri në Ligën e Parë, para se të vendosë të pranojë ofertën për t’iu bashkuar Shkëndijës. Ai të enjten do të paraqitet në stërvitje me ‘kuqezinjtë’, ndërsa më 6 shtator së bashku me Demir Imerin do t’i bashkangjitet përfaqësueses U 21 të Maqedonisë për ndeshjen kualifikuese me Izraelin. Bojku është përforcimi i 11-të i Shkëndijës në këtë merkato, pasi paraprakisht me ‘kuqezinjtë’ firmosën Xhelili Abdulla, Hristijan Kirovski, Armend Alimi, Zajko Zeba, Deni Krleski, Jani Urdinov, Mevlan Murati, Ivan Mitrov, Martin Kavdanski dhe Sedat Berisha.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button