“Dy shtetet shqiptare”

Nuk i donte ndejat në kafene aq shumë, më saktë nuk i donte çajtoret verore, ku mblidhen shumica e shqiptarëve, për një arsye: bisedat për politikën e ditës. Njerëz të profesioneve të ndryshme, por edhe njerëz të papunë e të moshave të ndryshme vazhdimisht atje insistojnë që fjala e tyre të jetë e fundit. Pikë. Por, ja që s’kishte kah ia mbante. Nëpër lagjet e mjerimit njerëzit tonë i gjen vetëm në ambiente të tilla, që e pranove ti a s’e pranove, janë kafene të tipit lindor. Vetëm nargilet aty mungojnë. E ku të shkojë tjetër? Më tregoni ku? Në anën tjetër të qytetit e kanë bërë një atmosferë asisoj që të ndjehesh i huaj. Atje pse të shkojë të ndjehet keq, ndërkaq këndej përveç papastërtisë,, pse mos ta themi, nuk i pëlqente imponimi “i fjalës së fundit” me të cilën shpesh ballafaqohesh në lagjet e mjerimit. Fjala e fundit kur të imponohet, ajo i mbyll dyert e shanseve, shtigjet e reja, i pengon mundësitë, por nuk lejon edhe të marrë krahë e vërteta. Po megjithatë, duhet përsëritur: ku të shkojë. Dhe, herë pas here dilte.

Kur doli herën e fundit, nuk e pa asnjë njeri me të cilin do të kishte mundur t’i kalonte disa minuta me një kafe. Ishin njerëz që i kishte parë, por me ta kurrë s’kishte ndërruar ndonjë fjalë. E gjeti një tavolinë të zbrazët dhe u ul aty. Përreth përhapej erë byreku, erë qebapësh, por edhe era e mbeturinave nga kontejnerët që i mbledhin natën vonë. Ndërkohë, erdhën dy vetë, të panjohur dhe pyetën:

“A janë të lira karriget”?

“Po”.

Ata nuk pritën as një as dy: u ulën pranë tij. Njëri u ul e tha:

“Ooo, besa qenkam lodhur, tjetri e hodhi një gazetë të përditshme mbi tavolinë nga e cila mund të lexohej një titull i gjatë ku shkruante: “Dy shtetet shqiptare…”. Ai që u ul i pari tha:

“Shih, shi se çfarë shkruan:  ‘dy shtete shqiptare’…”…  “Dy shtete shqiptare!…” shtoi si me ironi.

Tjetri heshti.

“Fol o Isë”! i tha ai që ironizoi  me “fjalët “dy shtete shqiptare”.

“Çfarë të them, o Demë”, ia ktheu bashkëbiseduesi. Pastaj heshti.

Dema iu kthye njeriut që ishte ulur i pari në tavolinë, atij që nuk i pëlqenin bisedat që përsëriten vazhdimisht në çajtore, fjalët me peshë e pa peshë që i merr era dhe bashkë me pluhurin i çon në humnerat e harresës dhe e pyeti, pa kurrfarë hyrjeje:

“Nga të patëm ty, or mik”?

“Nga këtu”.

“Si e pate emrin”?

“Hysë”.

“A Isë, a Hysë”?

“Hysë, Hysë”…

“Po çka ta merr mendja ty Hysë?… Qysh do t’ia kishe dhënë shpjegimin kësaj që thonë ‘dy shtete’ shqiptare”?

Hysa heshti. Ndërkohë u porositën kafetë, ndërsa Hysa kërkoi falje. Nuk deshi kafe, jo pse deshi t’i refuzojë për qerasjen e ofruar, po thjesht nuk kishte qejf të flasë për këtë temë politike. E lodhnin përsëritjet e mundshme gjatë bisedave të këtilla.

U ngrit e u largua. Lisat e parkut që ishin rritur për pesë-gjashtëmbëdhjetë vjet, ishin bërë më të gjatë se njëzet-tridhjetë metra. Në degët e tyre, lart, kishin mbetur varur qese najloni që i ka hedhur atje era, copa çarçafësh, ndonjë bluzë, brekë e ndonjë tesh tjetër që e ka marrë era nga ballkonet e çuditshme të ndërtesës, të përshtatura e të stërpërshtatura, të cilët dëshmojnë se qytetarët tonë nuk heqin dorë lehtë nga jeta e tyre rurale. Para se të hynte në shtëpi u ndal. Ai titulli që kishte fjalët “dy shtete shqiptare” nisi ta nxisë. Madje edhe pyetjet e njeriut të panjohur e cili tha se quhej Isë e cili donte ta shtrojë si temë bisede në tavolinën e çajtores.

Hysa as që kishte menduar ndonjëherë për këtë temë. Dy shtetet shqiptare ai i merrte si një realitet, si diçka e përfunduar njëherë e përgjithmonë. Mirëpo tash… Tash pas fjalëve të atij njeriut që tha se quhej Demë, një baticë ia përfshiu shpirtin Hysës. Deri më tash e mundonin pohimet e ndryshme të partive politike, sharjet që drejtoheshin në adresë të njëri-tjetrit midis shqiptarëve, fyerjet e pareshtura institucionale që përsëri shkojnë në adresë të shqiptarëve. Cilësimi shpeshtë që na e bëjnë mediat si barbarë e egërsira,  dhe së fundi ai turpi i rrahjes midis deputetëve shqiptarë të cilët edhe u rrahën edhe u fyen mes vetes për kurrgjësend, sepse as i pyet kush, as ua var kush, nga fakti i thjeshtë se janë të pa pushtet fare. Të gjitha këto e bënë të mendojë. Këto mendime nisën ta ndjekin. Hysa lexonte gazeta, lexonte libra dhe pikëllohej me faktin se gjithë ato ndryshime janë bërë në infrastrukturë në Ballkan, e psikologjia e këtyre njerëzve ka mbetur e njëjtë. Serbët, maqedonasit e grekët kurrsesi të largohen nga urrejtja patologjike ndaj shqiptarëve, kurse shqiptarët nuk e kuptojnë kurrsesi se përçarjet politike, krahinore, religjioze, ideologjike janë rezultat i investimeve të atyre forcave të cilat vazhdimisht na kanë luftuar duke na mbështetur për muri si politikisht, ashtu edhe ekonomikisht dhe në pikëpamje kulturore. Nuk hyri në ndërtesë, lakoi e shkoi te shitorja, i ngarkuar me atë baticën që ia ngrinte tensionin. Përsëri e pa titullin me ato dy fjalë. Për çudi, shkoi ta marrë gazetën, po nuk e mori. U kthye në shtëpi dhe u shtri në kauç. “Dy shtete shqiptare”… Ai farë Dema kishte një arsye pse reagoi në atë mënyrë në këto dy fjalë. Pastaj u mundua t’i gjejë rrënjët e këtij reagimi. Dhe, përfundimi i erdhi i hidhur. “Dy shtete shqiptare janë”, mendoi…  “Dy shtete janë, por janë vetëm me shumicë banorësh të përkatësisë etnike shqiptare…”.  Nishanet tjera të shteteve kombëtare nuk i shihte. Brenda këtyre dy shteteve Hysa nuk shihte ndonjë shtet krejtësisht të pavarur shqiptar. Ndjeu një siklet dhe nisi të djersohej kur iu kujtua Janatullosi dhe kisha e tij greke në Shqipëri. I shkoi ndërmend se kisha greke është një me shtetin grek. E pa ndarë nga shteti. Kështu, kontrollimi i plotë i kishës shqiptare nga ana e kishës greke, do të thotë se shtetin grek e ke me gjithë çizme brenda. Pastaj iu kujtuan ngjarjet me Shën Kozmain, veprimtarët grekë në Shqipëri, reagimi i turmave të manipuluara etj.

Pastaj nisi të mendojë për Kosovën. Kosova shtet shqiptar? Edhe aty e ke kishën serbe brenda me çizme. Me çizme të kuqe, madje. Ajo i kontrollon të gjitha kishat ortodokse në Kosovë. Përgjon mbi shpirtin e këtij vendi të martirizuar shqiptar. Kishat serbe kanë prona të mëdha. Kanë çka të duan. Dhe, vazhdimisht bëjnë propagandë antishqiptare. Nuk u intereson atyre aq shumë Perëndia. Jo vetëm kaq. Në Kosovë tre për qind serbë kanë bërë komuna të cilat mbulojnë 35 për qind të territorit të vogël të Kosovës. Në Kosovë fjalën e ka Plani i Ahtisarit, i cili praktikisht është kushtetutë e Kosovës. Dhe, kjo kushtetutë e ka bërë Kosovën shtet ku vendosin pakicat kombëtare, në radhë të parë serbët, të cilët janë të lidhur vertikalisht me Beogradin, e marrin ndihmë financiare e politike dhe i kanë pasaportat e Serbisë. Beogradi mund të përzihet në punët e Kosovës, Shqipëria e ka të ndaluar! Serbishtja është gjuhë zyrtare edhe në fshatrat më të thella të Kosovës, ku nuk ka pasur kurrë serbë.

“Këtu e paska pasur ai farë Dema fjalën: dy shtetet shqiptare, ende nuk janë tërësisht të pavarura, siç është Mali i Zi dhe Maqedonia, ku për jomalazezët dhe jomaqedonasit nuk ka hapësirë të mjaftueshme as në fushë të ekonomisë, as të politikës, as të kulturës, as të përdorimit të gjuhës, as të përfshirjes në punë në institucionet e shtetit. Këto shtete që nuk lejojnë kisha të huaja brenda, që kujdesen mos të ketë ndikime nga të huajt”, tha, “siç janë Mali i Zi dhe Maqedonia janë shtete të pavarura. Jo, Shqipëria e Kosova”…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button