Në vend të integrimit, shqiptarët mbeten ende të izoluar

Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni janë ende të brishta, 13 vjet nga firmosja e Marrëveshjes së Ohrit. Njohësi i kësaj çështjeje, profesori Ali Pajazi në një deklaratë për Alsat, shpreh shqetësimin se në vend të integrimit, shqiptarët mbeten ende të izoluar dhe larg kushteve e standardeve në të cilat jetojnë bashkëqytetarët e tyre maqedonas, transmeton Alsat.

“Për fat të keq sot ne kemi arritur të ndërtojmë një shoqëri e cila është e ndarë në baza etnike, kemi dy komunitete të cilat jetojnë pranë njëri tjetrit por nuk jetojnë me njëri tjetrin. Si metaforë e mos akomodimit të këtyre diversiteteve mund të përmendin qytetin e Shkupit, të ndarë në të dy anët e lumit Vardar. Një qytet, hapësirë urbane ultra e urbanizuar, sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare që u ngjan metropoleve të ndryshme evropiane dhe të SHBA-së deri diku, dhe nga ana tjetër kemi një karakatinë apo pjesë të qytetit të Shkupit e cila mund të quhet një pjesë ekstra-territoriale e cila nuk i ngjan një zone të qytetëruar ku njerëzit ende jetojnë në të ashtuquajtura teneqe-mëhalla ku ka probleme me ujin për pije, elektricitetin”, deklaroi Ali Pajaziti, profesor universitar, transmeton Alsat.

Si fajtor kryesor për këtë gjendje, Pajaziti shikon partinë e kryeministrit Gruevski e cila ngjashëm sikurse udhëheqja e Putinit, ka ngulfatur funksionimin e lirshëm të sistemit në të gjitha segmentet.

“Kemi një putinizëm të vrazhdë, pra një parti politike e cila tenton që pengjet t’i mbajë në duart e veta, dhe nuk lejon që sistemi të frymojë lirshëm dhe në mënyrë të natyrshme që qytetari ta gjejë vendin e vet në mozaikun e vet, të quajtur shoqëri e përbashkët e cila do të jetë shtrat për të gjitha qytetarët, jo t’i shikojë njerëzit nga ngjyrimet etnike”, tha Ali Pajaziti, profesor universitar.

Sjellja e tillë e lidershipit, sipas Pajazitit, gjithnjë e më shumë është në shënjestër të kritikave edhe të faktorit ndërkombëtar, sidomos Bashkimit Evropian, e cila konsideron se mënyra e tillë e qeverisjes pamundëson zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe rrezikon kultivimin e marrëdhënieve të mira ndëretnike.

“Kjo porosi është për establishmentin politik, për politikanët, për lindershipin e shtetit, i cili duhet të jetë më racional, të zhvillojë politika më konstruktive dhe inkluzive, pra politika që t’i afrojnë njerëzit dhe që shohin më larg, janë vizionare për të ardhmen e këtij vendi”, u shpreh Ali Pajaziti, profesor universitar.

Profesori Pajaziti konsideron se veprimi në afekt dhe me kokë të nxehtë të politikanëve nxit akoma më shumë tensionet ndëretnike, të cilat edhe ashtu qëndrojnë mbi këmbë të qelqta. Sipas tij, për aq kohë sa pushteti nuk kultivon masa për ndërtimin e mirëbesimit mes komuniteteve, këto çështje do të mbeten vatra krize për Maqedoninë.

Lajme të ngjashme

Back to top button