Abdulla rikthehet në folenë e vjetër te Shkëndija

Shkëndija rrikthen në skuadër mbrojtësin e majtë Xhelil Abdulla. 22 vjeçari të martën ka arritur akordin me drejtuesit ‘kuqezi’, duke firmosur kontratë dy vjeçare. Abdulla rrikthehet në rradhët e Shkëndijës pas tre viteve, pasi ishte pjesë e gjeneratës së artë që në sezonin 2010/2011 fitoi titullin e kampionit të Maqedonisë.

“Jam i kënaqur shumë që rrikthehem përsëri pas tre viteve në Shkëndijë dhe shpresoj që edhe këtë vit të jemi kampion si në sezonin 2010/2011. Jam i kënaqur sepse Shkëndija tani së bashku me Ecologun është shumë më e fortë. Gjithashtu jam i kënaqur dhe mezi pres të dal të luaj para ‘Ballistëve’ që të tregojmë se do jemi kampion këtë vit“, u shpreh në prezantimin e tij si futbollist i Shkëndijës, Xhelil Abdulla. 

Xhelil Abdulla duke nënshkruar kontratën
Xhelil Abdulla duke nënshkruar kontratën

“Plani jonë për një Shkëndijë Evropiane vazhdon, dmth nuk ndalemi këtu. Gjithmonë për futbollistë si Xhelili, të cilët kanë qenë nxënës të Shkëndijës, do të jetë dera e hapur. Do vazhdojmë të kërkojmë nxënësit tonë t’i sjellim në Shkëndijë dhe kjo don të thotë se ne do të ndërtojmë një Shkëndijë natyrale, një Shkëndijë me të cilën do të mburemi të gjithë. Megjithatë për këtë duhet të kemi pak durim. Ditët e mira shpresoj se do të vijnë shumë shpejt. Ndeshja e rradhës do të tregojë më shumë se ajo që kishim të dielën, ndërsa ndeshjen me Vardarin duhet ta lëmë në haresë, pasi ishte vetëm një ditë jo e mirë për ne dhe shpresojmë se nuk do të përsëritet në ndeshjet e ardhshme. Ne besojmë te stafit teknik që bën një punë të pa lodhshme, megjithëse nuk e kanë lehtë edhe ata, pasi deri tani janë bërë ndryshime shumë të mëdha në skuadër. Kjo don  të thotë se patjetër duhet të harmonizohet sa më mirë ekipi. Kjo don të thotë se në të ardhmen ne do të jemi shumë më të mirë dhe do të kemi më shumë besim në vetvete. Pas analizave që kishim sot me trajnerin dhe disa futbollistë, u’a bëmë me dije se fanella e Shkëndijës është shumë, shumë e rëndë, ashtu që në çdo ndeshje kërkohet të jepet maksimumi. Nëse ne si kryesi shofim se ndonjëri prej futbollistëve nuk jep maksimumin, do të meren masa që s’do të jenë të mira për ta. Shpresojmë që ky mesazh të kuptohet nga disa futbollistë të cilët mendojnë se Shkëndija është vetëm një ekip dhe asgjë më tepër. Unë ju thash edhe atyre sot se Shkëndija është shumë më shumë se një ekip futbolli. Gjithë e dijmë se motoja jonë është fair-play dhe se kënga jonë është ‘besa besë’. Ashtu edhe duhet të vazhdojmë me suksese”, u shpreh kryetari i Shkëndijës, Lulzim Imeri. 

Xhelil Abdulla në Shkëndijë vjen nga rradhët e Euromilkut, ku luajti gjashtë muajt e fundit. Ai paraprakisht ishte në Holandë dhe Gjermani. Mbrojtësi i majtë pasi fitoi titullin e kampionit me Shkëndijën në vitin 2011, u transferua në kategorinë e parë të Holandës te skuadra e De Graafschap. Në sezonin 2012/2013 Abdulla ishte pjesë e skuadrës gjermane Duisburg, mirëpo problemet me lëndimet bënë që ai mos të ketë shumë hapsira për të luajtur. Tani edhe pse kishte disa obsione për të vazhduar karrierën, ai vendos që të pranojë ofertën e Shkëndijës dhe te kthehet në klubin e tij amë, ndërsa ishte pjesë e përfaqësueses A të Maqedonisë në dy ndeshjet e fundit miqësore me Kinën. Abdulla është përforcimi i 10-të i Shkëndijës në këtë merkato, pasi paraprakisht me ‘kuqezinjtë’ firmosën Hristijan Kirovski, Armend Alimi, Zajko Zeba, Deni Krleski, Jani Urdinov, Mevlan Murati, Ivan Mitrov, Martin Kavdanski dhe Sedat Berisha.

Lajme të ngjashme

Back to top button