Rexhepi: “Më të mirin, Zoti le ta shpërblejë”

Skuadra e Dritës së Bogvinës, sezonin e ri futbollistik e fillon me ambicie që të jetë në mesin e skuadrave më të mira në Ligën e Dytë dhe pse jo të arrijë edhe kthimin në Ligën e Parë. Shorti kishte dashur që në xhiron e parë, ashtu sikurse sezonin e kaluar kjo skuadër të luajë kundër Shkupit, por kësaj radhe si mysafire.

Drita sezonin e fillon me disa përforcime të reja, ndërsa ndër ta është edhe trajneri Xhengis Rexhepi, i cili për Portalb ka thënë se klubi ka zhvilluar përgatitje të mira dhe se do të jetë një kampionat i vështirë, duke marrë parasysh se sivjet kemi një sistem të ri garimi, ku bëjnë pjesë 10 ekipe.

“Gjatë fazës përgatitore jemi mundur që të punojmë për të qenë të gatshëm maksimalisht për sezonin e ardhshëm, duke e ditur se kësaj radhe sezoni do të jetë tejet i vështirë, duke marrë parasysh se ka shumë ekipe të mira, ne u munduam të kemi përgatitje cilësore dhe mendoj se në aspektin kondicional, si dhe anës taktiko-teknike dhe asaj psikologjike kemi arritur deri në një shkallë. Duhet ta kemi parasysh se ekipi i Dritës përbëhet nga një ekip e re, shumë lojtarë kanë ardhur të ri dhe kemi patur pak probleme, por prapë se prapë gjatë fazës përgatitore jemi munduar mirë të përgatitemi.

Pamje nga ndeshja e sezonit te kaluar Drita - Shkupi
Pamje nga ndeshja e sezonit te kaluar Drita – Shkupi

Duelin e Parë Drita e pret e përgatitur, por duke respektuar në masë edhe kundërshtarin, siç është Shkupi, që Rexhepi thotë se është ndër ekipet më të forta dhe më të përgatitura në të gjitha aspektet.

“Në prag të ndeshjes së parë, na pret një duel derbi me Shkupin, që ka një ekip shumë cilësore dhe është një ekip shumë e organizuar në çdo aspekt, prandaj ne kemi respekt ndaj ekipit të Shkupit. Edhe ne jemi një ekip shumë cilësore dhe do mundohemi me një lojë cilësore dhe fer-play të luajmë lojën tonë dhe kush do të jetë më i mirë, Zoti le ta shpërblejë.”

Drita në këtë ndeshje do të ketë mungesën e 3 futbollistëve titullar, Ertan Hasan, Betim Miftari dhe Liridon Iljazi.

“Në ekip unë gjeta lojtarë të rinj, është Liridon Iljazi (18 vjeçar), e që për mua mendoj se është lojtari që shumë do ti mungojë ekipit, është edhe mesfushori Betim Miftari i cili ishte në formën e duhur dhe mungesa e tretë është sulmuesi Ertan Hasan, i cili njihet për kualitetin e tij dhe është ndër më të mirët sa i përket kategorisë së dytë. Por edhe përkundër mungesës së këtyre futbollistëve, ne në fushë do të dalim me 11 lojtarë e jo me 7-të, andaj edhe të tjerët do të mundohen ta japin maksimumin”, ka thënë enkas për Portalb trajneri Rexhepi.

Ndeshja Shkupi – Drita luhet të shtunën në stadiumin e Çairit me fillim në orën 17:30. / Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button