Fakulteti i mjekësisë në USHT-së me hapësira të reja

Universiteti Shtetëror i Tetovës do t’i marrë në përdorim një pjesë të hapësirave të Qendrës për Shëndet Publik në qytet për nevojat e fakultetit të mjekësisë në përbërjen e tij, është konkluzioni nga takimi i sotëm i  ministrit të Arsimit dhe Shkencës Abdilaqim Ademi dhe rektorit të USHT-së, Vullnet Ameti.

“Ligjerimi në këtë pjesë të Qendrës për Shëndet Publik, në pronë të Universitetit tonë, paraqet investim të paçmueshëm për fakultetin e mjekësisë, me çka rritet efikasiteti i shërbimeve për pacientët dhe do të jetë në shërbim të studentëve dhe kuadrove akademike të fakultetit. Me këto investime të cilat i kemi realizuar në fakultetin tonë, kësaj njësie akademike i mundësuam avancim dhe zhvillim normal të procesit së rregullt arsimor dhe shkencor, si në pjesën teorike, ashtu edhe në atë praktike”, tha rektori Ameti.

Ministri Ademi potencoi se lëshimi i hapësirave për nevojat e fakultetit të mjeksësisë të USHT-së është rezultat i vendimit në seancën e fundit të Qeverisë dhe me mundësinë për sendërtim  të objektit ekzistues për edhe një kat, edhe më shumë do të plotësohen nevojat e profesorëve dhe studentëve nga kjo njësi akademike e USHT-së. Ai paralajmëroi se në shtator deri te Kuvendi nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës do të parashtrohet propozim për ndryshim të Ligjit për themelimin e USHT-së, gjë që do të mundësojë, nënvizoi formimin e tre fakulteteve të reja.

“Do të formojmë edhe tre fakultete të reja, atë bujqësor, fakultetin për gjeoshkencë dhe teknologji dhe fakultetin pedagogjik në kuadër të Universitetit në Tetovë”, tha Ademi.

Lajme të ngjashme

Back to top button