Shkëndija pa “Ballistët” në Shkup

Starti i suksesshëm i sezonit të ri dhe fitorja 2:1 përballë Bregallnicës është lënë në të kaluarën, pasi e gjithë vëmendja në taborin ‘kuqezi’ tani më është përqendruar kah sfida e xhiros së dytë dhe derbi i madh me Vardarin. Stafi teknik pasi la futbollistët të lirë ditën e martë, nga e mërkura ka nisur me seanca stërvitore, duke përgatitur ekipin për sfidën e rradhës. Atmosfera në skuadër është në nivel dhe futbollistët me seriozitet të madh dhe profesionalizëm maksimal janë duke kryer detyrat e tyre. Pa krijuar ndonjë eufori të madhe për takimin e rradhës, ekipi përgatitet si para çdo ndeshje tjetër.

Ndërkohë kryesia e klubit njofton se nuk do të ketë udhëtim të organizuar të tifozëve për ndeshjen e të dielës me Vardarin në Shkup. Për shkak të incidenteve të një jave më parë në Manastir dhe situatës së përgjithshme në vend, është vendosur që mos të ketë organizim të tifozëve.

Gjithsesi, secili që do të dëshirojë të ndjek ndeshjen do të mund të bëjë diçka të tillë me vetura private, pasi nuk ka ndalesë për diçka të tillë. Sipas asaj që njoftojnë nga skuadra shkupjane, ndeshja Vardari-Shkëndija do të luhet të dielën (10.08.2014) në stadiumin ‘Filipi i Dytë’ në Shkup me fillim në orën 19:00, edhe pse për terminin e saktë ende nuk ka ndonjë konfirmim nga ana e Federatës së Futbollit të Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button