Udhëheqësi islamik i BeH-së bën thirrje për dhënie fund të dhunës në Siri

Si reagim ndaj një videoje të kohëve të fundit që tregon përpjekje për të rekrutuar myslimanë në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) për të luftuar në Siri, kreu i komunitetit islamik të BeH-së bëri thirrje përkundrazi për dhënien fund të luftimeve ndërmjet grupeve sunite e shiite në konflikt, shkruan SETimes.

Reis Kavazoviç dha një predikim të gjatë më 23 gusht në Stolac, duke folur kundër si videos, ashtu edhe kundër dhunës ndërmjet grupeve. Ai tha se myslimanët duhet t’i “fikin këto zjarre, jo t’i përkeqësojnë ato.”

Analistë e qytetarë e konsiderojnë mesazhin e Kavazoviçit si një sinjal pozitiv, duke vënë në dukje se është e rëndësishme që autoritetet fetare të ndihmojnë në qetësimin e pasioneve në një kohë konflikti.

“Pas disa vitesh të neglizhimit të sjelljes ndaj këtij problemi, mund të vihet re se struktura e re e Komunitetit Islamik është duke e marrë seriozisht këtë problem të të ashtuquajturës sorrollatje paraprake mes besimtarëve. Është sigurisht një rrugë e mbarë dhe një mesazh i mirë sepse tregon se udhëheqja e Komunitetit Islamik kujdeset për njerëzit e saj,” tha Asim Mujkiç, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë, për SETimes.

Më shume se 100 000 njerëz janë vrarë në trazirat në Siri që prej vitit 2011, përfshirë më shumë se 1000 viktima të një sulmi me armë kimike më 21 gusht në një periferi të Damaskut. Kundërshtarë të regjimit të Asadit kanë fajësuar qeverinë për sulmin, por qeveria e Asadit e ka mohuar përgjegjësinë.

“Skenat për radikalizimin etnik/fetar nuk duhet të nënvlerësohen, meqënëse ka pakënaqësi në rritje, ngritje të nivelit të varfërisë së njerëzve dhe radikalizim të diskutimit politik e social,” tha Darko Bërkan, president i OJQ-së “Pse jo?” me qendër në Sarajevë, e cila merret me të drejtat e njeriut.

Zyrtarët thonë se numri i njerëzve nga BeH që janë duke luftuar në Siri e vendet e tjera të Lindjes së Mesme rritet vazhdimisht dhe se autoritetet duhet të jenë më të vendosura. Sipas të dhënave të Komitetit për Sigurinë e Mbrojtjen të parlamentit të BeH-së, të paktën 370 shtetas të BeH-së janë duke luftuar tashmë në Siri, Dagestan, Afganistan, Irak e Çeçeni.

“Kjo shifër është ndoshta më e lartë, por problemi i sigurisë në BeH e në rajon do të ndodhë kur këta njerëz të kthehen nga fronti. Çfarë do të ndodhë atëherë? Qëndrimi i këtij komiteti është se ligji duhet të ndalojë shtetasit e BeH-së nga fushëbetejat anembanë botës,” tha kryetarja e komitetit Dushanka Majkiç për SETimes. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button