Josipoviq: Mbështesim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Kroacia e mbështet dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar sot në Prishtinë presidenti kroat, Ivo Josipoviq.

Këto komente, Josipoviq i ka bërë gjatë një konference të përbashkët me presidenten Atifete Jahjaga me ftesë të së cilës, presidenti kroat po qëndron në Kosovë në një vizitë tre ditëshe.

Me këtë rast, presidenti Josipoviq ka folur për marrëdhëniet e mira që kanë Kroacia dhe Kosova, duke falënderuar shumë shqiptarë të Kosovës që kontribuan si për pavarësimin e këtij vendi e deri te ditët e sotme kur këta qytetarë që sot gëzojnë shtetësinë kroate japin kontributin e tyre por zhvillimin e shtetit kroat.

Josipoviq tha se e mbështet plotësisht edhe normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si një proces i domosdoshëm për integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.

“Republika e Kroacisë mbështet fuqishëm bisedimet që po zhvillojnë Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë dhe konsiderojmë që përparimi i bërë është shumë i rëndësishëm dhe i përgëzojmë të dyja palët. Këto bisedime do të duhej të sillnin si rezultat normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis dyja vendeve në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Josipoviq.

Ndërkohë, presidentja Jahjaga e ka përgëzuar edhe njëherë presidentin Josipoviq për anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian.
“Kjo është një e arritur për Kroacinë por edhe gjithë rajonin”, ka nënvizuar Jahjaga.

Në këtë aspekt, Jahjaga ka kërkuar nga Josipoviq mbështetjen e Zagrebit zyrtar në çështjet që kanë të bëjnë me përfaqësimin dhe anëtarësimin e Kosovës në nismat dhe konferencat rajonale, transmeton rel.

Si dy vende që kanë marrëdhënie të mira, presidentja Jahjaga dhe presidenti Josipoviq janë angazhuar për bashkëpunim të ngushtë ekonomik e tregtar.

Presidentja Jahjaga ka premtuar se Kosova do t’i njohë komunitetit kroat statusin e pakicës kombëtare dhe njëherësh do t’i sigurojë këtij komuniteti përfaqësim në institucionet e larta siç është Kuvendi.

Pas takimit me presidenten Jahjaga, Josipoviq është pritur edhe nga kryeministri Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi si dhe do të realizojë një vizitë në qytezën e Janjevës ku jeton një numër i pjesëtarëve të komunitetit kroat në Kosovë.

Lajme të ngjashme

Back to top button