Maqedonia shënon 22 vjetorin e pavarësisë

Republika e Maqedonisë sivjet shënon 22 vite të referendumit të mbajtur me sukses, në të cilin qytetarët e Maqedonisë u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran.

Shumica absolute, mbi 95 për qind e qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, pozitivisht iu përgjigjën pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në ndonjë lidhje të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”.

Referendumit i parapriu Deklarata për pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me

Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit, më 18 shtator të vitit 1991, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991.

Referendumi për pavarësi u bojkotua nga shumica e shqiptarëve, e poashtu deputetët shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë nuk e votuan Kushtetutën e vendit. Dhjetë vite më vonë, pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, Kushtetuta u ndryshua për t’i reflektuar rrethanat e reja në vend. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button