Apel i përbashkët për lirimin e menjëhershëm të gazetarit Kezharovski

Reporterët Pa Kufij – Gjermani, CIVIL – Qendra për Liri, n-ost – Rrjeti i Raportimit për Evropën Lindore dhe Rrjeti Ballkanik i Raportimit Hetues e dënojmë ashpër mbajtjen e mëtejshme në arrest të gazetarit hetues nga Maqedonia Tomislav Kezharovski dhe apelojmë për lirimin e tij të menjëhershëm dhe të pakusht.

Paraburgimi i përkohshëm i Kezharovskit u zgjat më 24 gusht për 30 ditë të tjera për herë të tretë radhazi, në bazë të vlerësimit të gjykatës se ai mund “të arratiset ose të ushtrojë ndikim mbi dëshmitarët tjerë”.

Tomislav Kezharovski është gazetar i së përditshmes “Nova Makedonija” nga Shkupi. Ai akuzohet për zbulimin e identitetit të dëshmitarit të mbrojtur në një artikull të publikuar në vitin 2008 në një gazetë tjetër. Mirëpo, dëshmitari në fjalë as që e ka pasur statusin e të mbrojturit në atë kohë dhe siç dëshmoi vetë në muajin shkurt të këtij viti, ai gjatë procesit origjinal ka dhënë dëshmi të rreme nën presionin e policisë.

Përpara arrestimit të tij të bërë me publicitet nga policia speciale më 28 maj, Kezharovski ishte duke i hetuar rrethanat e vdekjes së Nikolla Mlladenovit, botues dhe kryeredaktor i gazetës së pavarur maqedonase “Fokus”, i cili u vra në një aksident të pazbardhur në mars të këtij viti.

Katër organizatat e nënshkruara konsiderojmë se masa ndëshkuese që i është bërë Tomislav Kezharovskit është mbi baza të paligjshme, e panevojshme dhe joproporcionale. Ky arrestim është bërë me qëllim që të trembet dhe të frikësohet Kezharovski dhe gazetarët e tjerë maqedonas dhe paraqet shkelje të rëndë të lirisë së fjalës. Arrestimi i gazetarëve për shkak të përdorimit të së drejtës së tyre kushtetuese për ta informuar publikun është jo vetëm një akt i paligjshëm, por edhe krejtësisht në kundërshtim me standardet evropiane.

Prandaj, ne organizatat e nënshkruara i bëjmë thirrje Delegacionit të BE-së dhe agjencive të tjera ndërkombëtare, siç është Misioni i OSBE-së në Shkup, që ta mbajnë të gjallë vëmendjen e publikut mbi rastin dhe të bëjnë thirrje publike për lirimin e tij.

Arrestimi i Tomislav Kezharovskit paraqet edhe një rast në vazhdën e praktikave të qeverisë që ndikojnë për tendencat tepër negative kur bëhet fjalë për lirinë e medias në vend. Kjo paraqet kulmin e praktikave të qeverisë në ushtrimin e presionit mbi gazetarët dhe është edhe një shenjë alarmuese për rënien e vazhdueshme të lirisë së të shprehurit në Maqedoni, e cila ra në vendin e 116-të nga 179 shtete në rangimin që e bënë Reporterët Pa Kufij në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për 
vitin 2013. 

Sa i përket propozimligjit të ri për media, për të cilin aktualisht po debatohet, nënshkruesit e këtij apeli u bëjnë me dije autoriteteve maqedonase se asociacionet gazetareske, organizatat e të 
drejtave të njeriut dhe elementet e tjera të shoqërisë civile duhet të jenë të kyçura në mënyrë përkatëse që të arrihet një rezultat sa më i mirë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button