Franca kërkon “hakmarrje” ndaj Spanjës

E udhëhequr nga Marc Gasol dhe Ricky Rubio, Përfaqësuesja e Spanjës është e favorizuar të fitojë titullin e tretë rresht të kampionit të Evropës, ndonëse do të ndjejë mungesën e disa yjeve. Ka mbetur pa gjatësinë e Pau Gasolit e Serge Ibakas dhe gjuajtjet e sakta të plejmejkerit Juan Carlos Navarro në turneun prej 24 ekipeve që starton të sot. Ekipet janë të shpërndara në katër grupe dhe ndeshjet do të zhvillohen në Lubjanë (Grupi A), Jesenice (Grupi B), Celje (Grupi C) dhe Koper (Grupi D). Dy raundet finale të “Eurobasketit 2013” do të luhen në Lubjanë. Ky turne do të shërbejë edhe për kualifikimet në Kampionatin Botëror që vitin tjetër mbahet në Spanjë. Gjashtë ekipet e para me përjashtim të Spanjës, do të kualifikohen direkt.

Para dy vjetësh në Lituani, vëllezërit Gasol ishin dominues nën kosh, ndërsa Navarro pati regjistruar 27 pikë në fitoren 98:85 në ndeshjen finale kundër Përfaqësueses së Francës.
“Kemi disa mungesa në ekip, por kjo nuk do të thotë se jemi më të dobësuar sesa para dy vjetësh. Kemi krijuar një grup të fortë dhe do ta kërkojmë titullin e tretë rresht, gjë që mund të arrihet”, është shprehur organizatori i Milwaukee Bucks, Rubio.

Fushata e spanjollëve nis me ndeshjen kundër Përfaqësueses së Kroacisë në kuadër të Grupit C, të cilin e përbëjnë edhe Polonia, Sllovenia, Gjeorgjia dhe Çekia.
“Grupi nuk është i lehtë, por ne duhet të sigurohemi që të mos kemi probleme gjatë kësaj faze dhe ta kalojmë me sukses. Kjo është shumë e rëndësishme dhe gjithë ekipi e ka parasysh”, u shpreh Rubio.

Shumica e ekspertëve parashikojnë që Përfaqësuesja e Francës të jetë konkurrentja më e madhe e Spanjës. Te Franca është rikthyer plejmejkeri Tony Parker, i cili edicionin e fundi udhëhoqi San Antonion deri në finalen e plejofit të NBA-së. Mirëpo, francezëve kësaj here u mungojnë disa “muskuj” të ekipeve nga NBA si Joakim Noah, Kevin Seraphin dhe Ronny Turiaf.

“Kemi komponuar një ekip të mirë dhe synimi ynë është që ta përsërisim suksesin e evropianit të kaluar, të rrimë në finale. Mbetet të shihet se si do të shkojnë gjërat për shkak se të gjitha ekipet janë të forta”, tha përzgjedhësi i Francës, Vincent Collet.

Përfaqësuesja franceze bën pjesë në Grupin A së bashku me Ukrainën, Gjermaninë, Izraelin, Belgjikën dhe Britaninë e Madhe.
Për vendin e parë në Grupin B, pritet të luftojnë Përfaqësuesja e Lituanisë dhe Serbia. Krahas tyre, këtë grup e përbëjnë edhe Maqedonia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Letonia.
Basketbollisti lituan Jonas Valanciunas shpreson ta përfundojë “Eurobasketin” që do të zgjasë për 18 ditë, ashtu siç do e fillojë: me pranimin e një shpërblimi. 21-vjeçari para ndeshjes me Serbinë, do të pranojë trofeun për lojtarin më të mirë të ri të vitit në Evropë.
“Kam dëshirë që edhe në fund të marrë medalje për shkak se do të jetë shumë e rëndësishme. Jemi përgatitur mirë, ndonëse grupin nuk e kemi aspak të lehtë”, ka thënë Valanciunas.
Ndërkohë, Grupi D përbëhet nga Përfaqësuesja e Finlandës, Greqisë, Rusisë, Italisë, Suedisë dhe Turqisë. Favorite shihet Greqia, mirëpo Turqia synon t’i prish llogaritë.
“Nuk do të kënaqemi me pak. Prej fillimit do të mundohemi të tregojmë se kemi ardhur këtu për suksese”, tha Birkan Batuk. Batuk, do të debutojë në një turne të madh për Turqinë, pasi të martën zëvendësoi në listë Omer Onanin e lënduar.

Orari i ndeshjeve që luhen sot (4 shtator)

Grupi A

Izraeli – Britania M.    (14:30)
Belgjika – Ukraina     (17:45)
Franca – Gjermania    (21:00)

Grupi B

Letonia – Bosnjë-H.    (14:30)
Maqedonia – Mali Zi    (17:45)
Serbia – Lituania     (21:00)

Grupi C

Gjeorgjia – Polonia (14:30)
Spanja – Kroacia     (17:45)
Çekia – Sllovenia     (21:00)

Grupi D

Turqia – Finlanda (14:30)
Suedia – Greqia     (17:45)
Rusia – Italia     (21:00)

Lajme të ngjashme

Back to top button