BDI: Zgjedhjet nuk janë zgjidhje

Pavarësisht mosmarrëveshjeve me partnerin e koalicionit, BDI-ja mbetet përfaqësuese legjitime e shqiptarëve të Maqedonisë në Qeveri, dhe si e tillë nuk mund të braktisë koalicionin qeveritar. Shefi i kabinetit të Kryetarit të BDI-së Artan Grubi ka komentuar kështu shqetësimet e ngritura nga kryeministri Gruevski, i cili pranoi ftohjet e marrëdhënieve me BDI-në, edhe pse sipas tij, jo në një fazë që kërcënojnë qëndrueshmërinë e koalicionit.

“Bashkimi Demokratik për Integrim është pjesë e Qeverisë dhe koalicionit qeverisës si rezultat i zgjedhjeve të fundit parlamentare, ku morri besimin absolut të komunitetit shqiptar në Republikës së Maqedonisë, andaj jemi të përkushtuar në realizimin e programit që mori besueshmërinë e popullatës në këto zgjedhje të fundit. Andaj besoj që të gjitha dallimet duhet të tejkalohen me kompromis dhe dialog, por ama duhet të dihet që njëkohësisht BDI-ja dhe VMRO-ja janë aty si përfaqësues të dy komuniteteve shtetformuese në Maqedoni”, tha Artan Grubi, shef i kabinetit të Kryetarit të BDI-së.

Duke komentuar nëse kjo retorikë e Gruevskit mund të ketë lidhje me idenë për zgjedhje të parakohshme, Grubi tha se BDI-ja nuk është e interesuar për zgjedhje. Sipas Grubit, BDI dhe VMRO gëzojnë legjitimitet absolut, dhe nuk kanë nevojë ta vërtetojnë këtë me zgjedhje të parakohshme. Nga ana tjetër, zgjedhjet nuk zgjidhin as problemet e hapura, duke filluar që nga emri dhe integrimet. Jo vetëm kaq, por BDI mbron qëndrimin se kjo periudhë pa zgjedhje në Greqi dhe Maqedoni, është momenti më i mirë për të punuar në përafrimin dhe zgjidhjen e çështjes së emrit. 

“Zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Zgjedhjet nuk mund të zgjidhin problemet me të cilat haste Maqedonia, por përkundrazi, që të dy partitë, edhe BDI edhe VMRO kanë marrë legjitimitetin absolut në zgjedhjen e fundit parlamentare në vend dhe këtë legjitimitet duhet ta shfrytëzojnë për të marrë vendime të guximshme që do ta sjellin Maqedoninë afër NATO-s, afër BE-së. Andaj, BDI nuk e sheh zgjidhjen e të gjitha çështjeve dhe të gjitha problemeve që mund ti kemi në vend, nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme”, deklaroi Artan Grubi, shef i kabinetit të Kryetarit të BDI-së.

Këto komente Grubi i bëri si kundërpërgjigje ndaj këndvështrimit të Gruevskit për BDI-në në intervistën për Netpress, ku thoshte se marrëdhëniet me partnerin janë më keq nga mandati i parë dhe me dallime të dukshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button