Rama: Krenar që për herë të parë ministrat filluan të paguajnë gjobat e vëna nga policia

Në analizën e 300 ditëve të para të ecurisë së punës në Ministrinë e Brendshme, kryeministri Edi Rama theksoi se tashmë Policia e Shtetit ka hyrë në rrugën e duhur dhe po funksionon mbi baza solide. Sipas tij, sot, zyrtarët që shkelin ligjin nuk mund t’i ikin dot përgjegjësisë.

“Unë jam krenar që për herë të parë, ministrat dhe deputetët filluan të paguajnë gjobat e vëna nga policia”, tha Rama.

Ai deklaroi se raportimi i 300 ditëve të ministrisë, nuk është një paradë suksesesh, por një paraqitje para publikut e punës dhe e sfidave me të cilat qeveria është përballur, si dhe një marrje përsipër e përgjegjësisë për tu përballur me sfidat që vazhdojnë.

Kryeministri u shpreh se policia shqiptare ka nivelin më të ulët arsimor në rajon, dhe theksoi se një nga prioritetet kryesore të vendit, është ngritja e universitetit të sigurisë, për arsimin e policisë, mbi bazën e standardeve të larta.

“Qëllimi ynë kryesor është edukimi i plotë policisë. Nuk duam të bëjmë policinë e plepave, gjykatën e plepave e kemi. Nga plepat e para dy dekadave, u katandisëm nën plep, dhe prisnim drejtësi nga gjykata e plepave. Duhet të ndërtojmë universitetin e policisë, shkollën e lartë me standardet më të larta të vendeve fqinje dhe partnere, në mënyrë që të mos të kemi policë që nuk dinë të flasin shqip dhe të thonë mirëmbrëma kur është mëngjes”, u shpreh kryeministri.

Sipas tij, krimi që është nëpër zyra, apo krimi që bën që ekonomia kombëtare të ketë një “farë të brendshme shkatërruese”, nuk mund të luftohet dot me kurse 6-mujore.

Kreu i qeverisë theksoi se në 300 ditshin e dytë të qeverisë së tij, kjo e fundit do të investojë në dije, për ushqimin e gjeneratës së re të poiicisë, me nivelin më të lartë të edukimit.

“Në ligjin e ri të policisë do të sigurohet krijimi i universitetit të sigurisë, që duhet të ngrihet mbi traditën më të mirë, sepse ka kuadro që i përkasin kësaj tradite, ka djem dhe vajza që meritojnë një edukim më të mirë”, bëri me dije Rama./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button