Sonte përfundon Kampionati Evropian në mundje

Me luftërat finale në kategoritë 55-66-84 dhe 120, do të përfundojnë garat e kampionatit Evropian në mundje për junior, që filluan nga 2 korriku, ndërsa të gjitha luftërat u zhvilluan në sallën e sporteve “Boris Trajkovski” në Shkup. 

Dje janë zhvilluar meçet finale në kategoritë 50-60-74 dhe 96 kilogram.
Në kategorinë 50kg, turku Suleyman ATLI ka fituar medalje të artë, i dyti doli Ruslan GASIMOV nga Azerbajxhani, dhe me medalje bronzi u dekoruan rusi Aryian TIUTRIN dhe bullgari Dimchik RINCHINOV.

Në 60 kilogram kampion evropian është shpallur mundësi nga Ukraina, Gor OGANNESYAN, i cili e mundi bjellorusin Heorh KALIYEU. Të tretët në këtë kategori përfunduan rusi Viktor STEPANOV dhe azerbajxhanasi Akhmednabi GVARZATILOV.

Një luftë e pakompromis është zhvilluar në kategorinë 74 kilogram, ku rusi Khabib BATYROV u shpall fitues i medaljes së artë dhe kampion Evrope, pasi në finale mundi mundësin nga Azerbajxhani Bakhtiyar ISRAFILLI. Në piedestal si bartës të medaljeve të bronzta u ngjitën edhe mundësi i Gjeorgjisë, Lasha GIGASHVILI dhe francezi i natyralizuar Zelimkhan KHADJIEV.

Edhe gara finale në kategorinë 96 kilogram ishte shumë interesante, turku Ali BONCEOGLU ka fituar falë një manovre të shkathtë vetëm në sekondat e fundit, duke e mundur ukrainasin Murazi MCHEDLIDZE. Vendin e tretë e fituan armenasi Viktor KAZISHVILI dhe rumuni Vasile Vlad CARAS.

Të përkujtojmë se që në luftërat e para janë eliminuar të gjithë mundësit tanë. Raif Kamberi në kategorinë 50 kg, në kategorinë 60kg Ivan Janev, atë të 74 kilogram Sashko Arsov. Ndërsa Adem Adem është eliminuar në kategorinë 96 kilogram. 

Mundësi Behar Mamuti e filloi mirë paraqitjen e tij, pasi në luftën e parë shënoi fitore të madhe në kategorinë 66kg, duke e eliminuar grekun Gkotsis, me pikë 8:7. Por në luftën e dytë, përballë Mahmutit doli gjermani Kevin Christopher Henkel, nga i cili mundësi ynë pësoi me rezultat 9:2. Fatin e Beharit nuk e kishte Fisnik Dura, i cili pësoi disfatë me rezultat 9:4, nga mundësi i Moldavisë, Aleksandër Petcov. Njëjtë e pësoi edhe Dimitar Zdravkov i cili pësoi disfatë nga mundësi i Ukrainës Andriy Vlasov.

Luftërat finale vazhdojnë në ora 18:00, ndërsa më pas edhe mbyllet kampionati evropian për junior, që nga 2 korriku ka sjellë mundje kualitative në qendrën sportive “Boris Trajkovski”. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button