Mall

Ca pika shiu ranë mbi qelq. 
Për ty unë befas ndjeva mall. 
Jetojmë të dy në një qytet, 
Dhe rrallë shihemi sa rrallë. 

Edhe m’u duk pak e çuditshme 
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes. 
Qiejt e ngrysur pa lejlekë 
Dhe shirat pa ylber në mes. 

Dhe thënia e vjetër e Heraklitit 
Seç m’u kujtua sot për dreq: 
“Të zgjuarit janë bashkë në botë, 
Kurse të fjeturit janë veç”. 

Në ç’ënderr kemi rënë kaq keq, 
Që dot s’po zgjohemi vallë?… 
Ca pika shiu ranë mbi qelq 
Dhe unë për ty seç ndjeva mall. 

Lajme të ngjashme

Back to top button