Mbi 1000 nënshkrime kundër testimit ekstern në Tetovë

Edhe në Tetovë zhvillohet aksioni i peticionit për ta shpallur testimin ekstern të pavlefshëm, gjegjësisht ai të llogaritet si pilot dhe notat mos shënohen në dëftesë. Peticioni është nisur në të gjitha qytetet e Maqedonisë nga Forumi Rinor Arsimor (FRA).

Deri më tani si janë mbledhur mbi 1000 nënshkrime të qytetarëve.

“Kemi disa vende ku jemi përqendruar, ndonjëherë dy dhe ndonjëherë tre pika ku nënshkruajnë qytetarët. Kryesisht në qendër rrotullohemi, në bulevardin kryesor të qytetit. Dalim nga ora 8 e mëngjesit deri në ora 8 të mbrëmjes me pauza” tha Maja Petrova për Portalb, aktiviste e FRA.

Ajo gjithashtu informoi se ekipi i Tetovës e ka marrë përsipër nënshkrimin edhe në Gostivar, duke filluar nga dita e djeshme. Deri më tani janë mbledhur 300 nënshkrime në këtë qytet.
Ndërkaq të premten nga FRA lajmëruan se për tre ditë janë nënshkruar 5000 qytetarë, tani numri dukshëm është rritur.

Nga FRA theksojnë se fakti që Ministria e Arsimit pjesërisht ka pranuar lëshimet në testimin ekstern, është për t’u përshëndetur.

“Për tre ditë, 5 mijë qytetarë të shqetësuar, nxënës, mësues, profesor dhe prindër janë nënshkruar në peticionin që testimi ekstern këtë vit të shpallet si provë dhe me këtë dërguan mesazh të qartë se testimi ekstern këtë vit ka qenë problematik, e jo ashtu siç ka qenë i prezantuar nga kompetentët, se bëhet fjalë për probleme të vogla teknike dhe se do të largohen me kalimin e kohës. Në peticion janë nënshkruar edhe punëtorë në arsim, ndërsa disa prej tyre kanë shprehur përkrahje dhe mbështetje me gojë, duke thënë se frikësohen ose nuk munden të nënshkruajnë”, thuhet nga organizata joqeveritare.

Por, ditë më parë ministri tha se nuk lëshon pe dhe testimin do ta konsiderojë legjitim. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button