RMV, është ndërprerë testimi në TIMSS për shkak grevës së Qendrës Shtetërore të Provimeve

Greva e të punësuarve në Qendrën Shtetërore të Provimeve (QSHP) e ndërpreu hulumtimi ndërkombëtar i TIMSS, në të cilin duhej të marrin pjesë gjithsej 4.500 nxënës nga Maqedonia e Veriut. Ky proces, në të cilin duhet të shihet se çfarë njohuri kanë nxënësit tanë në matematikë dhe lëndë tjera të shkencave natyrore, është i lidhur me afate dhe patjetër duhet që të realizohet deri në fund të vitit shkollor, derisa fëmijët janë në shkolla. Por, greva për pagat më të larta të të punësuarve e cila ka filluar javën e kaluar e vendos në pikëpyetje këtë proces, shkruan Meta.mk.

Përndryshe TIMSS (Trends in International Mathematics and Science Study) është studim ndërkombëtar për matematikë dhe lëndët e shkencave natyrore i cili i mat njohuritë në këto fusha në klasën e katërt dhe tetë. Që të marrin pjesë në këto studime dhe hulumtime ndërkombëtare, shteti patjetër duhet të paguajë. Kështu për shembull, për testimin PISA, Qeveria paguajti për pjesëmarrje 182.000 euro. Siç informojnë për Meta.mk nga QSHP, këtë herë pjesëmarrjen në TIMSS për Maqedoninë e Veriut e paguan Bashkimi Evropian.

“Nga të gjitha testimet që janë zhvilluar nëpërmjet QSHP, deri përpara grevës vijonte vetëm testimi TIMSS. Ai tani është ndërprerë. Sipas rregullit, këtë testim duhet ta realizojnë shkollat, por shkolla tona, pasi që nuk kanë laptopë dhe kompjuterë, ne shkojmë me laptopë në çdo shkollë dhe i testojmë nxënësit. Ky testim i madh ndërkombëtar duhet të mbarojë më 25 maj”, thotë Emilija Boshkovska, kryetare e Organizatës Sindikale dhe këshilltare në QSHP.

Për shkak grevës në QSHP, janë ndaluar shumë procese që ky institucion i organizon dhe realizon. Rast i tillë është matura shtetërore, e cila me ligj është kusht për regjistrimin në fakultet. Për momentin, 15.620 maturantë janë në pasiguri nëse dhe kur do ta japin provimin e pjekurisë. Nga QSHP informojnë se nëse ndodh që kompetentët të vendosin për rritje të pagave, ata janë të gatshëm që të punojnë ditën dhe natën që të arrijnë në kohë ta organizojnë provimin e maturës shtetërore.

“Pyetjet që janë në provimet eksterne janë bërë, por disa prej testeve nuk janë lexuar nga lexues të pavarur. Ka procedurë. Shtypja e testeve vijon për disa lëndë, ndërkaq vetë shtypja është proces i cili zgjat me ditë. Tani gjithë ajo është ndaluar. Nëse na dalin në ndihmë kompetentët për kërkesën tonë, do të punojmë edhe për vikend që ta organizojmë procesin në kohë”, informojnë nga QSHP.

Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që të bëhet dhe ndryshim në kalendarin për provimin e maturës shtetërore, që do të thotë se mundet që të ketë data të reja për provim, në vend të datave aktuale 27 maj dhe 10 qershor.

QSHP e organizon edhe procesin e provimit për praktikantë në shkolla. Edhe ai proces tani është ndaluar, ndërkaq duhet të realizohet derisa zgjat viti shkollor. Kandidati i cili dëshiron të bëhet mësues, duhet të mbaj orë para komisionit të përbërë nga një anëtar prej QSHP, Byroja për Zhvillim të Arsimit dhe një mësuesit të lëndës konkrete.

Për momentin nuk ka përgjigje nga institucionet kompetente në lidhje me kërkesat për paga më të larta në QSHP. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, javën e kaluar apeloi që të punësuarit të mos e vendosin në pikëpyetje mbajtjen e maturës shtetërore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button