Fundi i Gruevskit?

Duket se erdhi koha kur pushteti aktual këtu ndeshet me korrjen e të mbjellurave të një politike të mbrapshtë. Politikë e cila as që di se çka është përgjegjësi elementare ndaj moralit, koshiencës apo Zotit. Politika e cila fitonte zgjedhjet edhe atëherë kur humbet popullata. Për të satën herë dëshmohet thënia popullore se ai i cili mbjell kunguj me djallin, për koke do t’i thyhen. Pra, definitivisht para derës pret djalli duke kërkuar hakun e vet. Por tani, borxhli të tij nuk janë vetëm kryeministri dhe qeveria e tij, por të gjithë qytetarët e vendit. Pra, serish dëshmohet se aty ku politika veprimin e vet e bazon në nevojën për satanizimin e të tjerëve – është shumë larg Zotit dhe shumë afër satanës. 

Pushteti aktual, i cili që në fillim afirmonte ndasitë ndëretnike, duke favorizuar eksluzivitet të bashkësisë etnike dominante për qëllime elektorale – tani ndeshet me ekskluzivitet probleme. Në shembjen e urave ndëretnike dhe ndërkulturore në mënyrë aktive qe angazhuar edhe kisha ortodokse vendase, e cila siç duket ndërtoi doktrinë dhe predikim të ri fetarë të bazuar në parimet – “urrejë të afërmin tënd”, apo “nëse ty dikush me bukë – t’i atij me gurrë”. Me siguri, krerët religjioz mirë kanë kalkuluar pragmën se shumë më profitabile mund të jetë shërbimi ndaj “zotërave” të këtuit se sa ndaj Zotit të vërtetë. Madje nga kjo rrugë nuk i dekurajon as predikimi se mëkati që bëhet për interes material mund të jetë i ëmbël për një kohë, por i hidhur për gjithë jetën. Të padevotshëm se në kushtet ballkanike, fare lehtë mund të ndodhë që edhe një mëkate e vogla të prodhojnë tragjedi të mëdha. Këtu edhe një pikë urrejtje helmon një det përplot me tolerancë.

Tani premieri vepron në panik. I vetëdijshëm se gjendet buzë gremisë, lyp dalje nga dyer që s’ekzistojnë. I drejtohet premierit të Greqisë me letër për zgjidhje urgjente për çështje të cilat tetë vite i injoronte dhe komplkonte. Madje edhe i keqpërdorte. Fakt është se prej raportit negativ të Stejt Departmentit amerikan për Maqedoninë disa muaj më parë, pasuan rafale raportesh tjera negative nga shumë organizata qeveritare e joqeveritare ndërkombëtare për gjendjen këtu. Madje edhe hartuesit e raportit të Komisionit evropian plasuan deklarata diametralisht ndeshë me ato të dhëna disa javë më pare dhe me ato në letër. Hovit, pat tërhequr vërejtjen se ndoshta edhe statusi kandidat do të vihet në pikëpyetje. Pra, tani është tejet e qartë se pa ndonjë hap serioz në zgjidhjen e emrit, definitivisht në raportin e tetorit do të mund të lexojmë vetëm kualifikime të zeza (që në fakt do ta prezantojnë gjendjen faktike). Ajo do të hap rrugë për rrëzimin e tij.
Mbaroi koha kur Gruevskit i lejohej gjithçka në pritje se do ta zgjidhë problemin me emrin. Ai shkeli mbi vlerat elementare të demokracisë, të lirisë dhe të dinjitetit kolektiv, i vetëdijshëm se Evropa do t’i mbyll sytë për këte pasi te ky është çelësi i zgjidhjes së emrit. Ndodhën dhe vazhdojnë të ndodhin keqpërdorime e reketime në çdo hap. U patën okupuar institucionet e gjyqësia, administrata e mediumet, ekonomia e liria. Në masë u paten reketuar kompani e individë. U patën përdhunua vlerat elementare të civilizimit e të demokracisë. Kurse emri, jo vetëm që nuk u zgjidhë, por aq më shumë ai qëllimisht u komplikua. Tani Gruevski lyp shpëtim nga të tjerët që ata ta shpëtojnë nga vetvetja e tij. Por, tani definitivisht bashkësisë ndërkombëtare i plasi filmi. Tani përfundoj karrota dhe si duket fillon dajaku.

Në mungesë të dozës së duhur të përgjegjësisë dhe koshiencës, pushteti aktual as përafërsisht nuk pat vepruar konform përgjegjësisë së duhur. Madje në vend që të zgjidhë probleme, ai pat prodhuar të tjerë. Në vend që pushteti t’i qaset promovimit të ardhmërisë së vërtetë evropiane, ai fuqishëm iu qas të kaluarës së rrejshme antike. Që të jetë absurdi edhe më i madh, u shkua gjer atje sa që paraardhësit e Maqedonasve u patën shpallur paraardhës të racës së bardhë në botë!!!!! U tejkalua edhe Bibla edhe Krishti, edhe Mojsie edhe Telmuni, edhe mendja edhe logjika. Mbeti vetëm absurdi i budallakive. Në kësi amullie, aspak nuk është e çuditshme që edhe ata njerëz me pamje të shëndoshë të shndërrohen në të verbër të sëmurë. Si duket masën kolektive fuqishëm e tërhiqte një forcë gravitative për vetëmashtrim kolektiv. 
Dhe ja tani rezultatet. Kaos në të gjitha sferat. Borxhe, varfëri ,reketime, konflikte, urrejtje e mosmarrëveshje. Njerëzit në vend që të gropojnë në arrat e tyre, ata gropojnë sytë në mes veti. Këta djem të ri që me çfarëdo mjeti sulmojnë gra e fëmijë nëpër rrugë e autobusë, janë epilog logjik i një politike që tani vite me radhë ushtrohet ky premier i çuditshëm. Kurse e gjithë kjo përcjellet me propaganda gebellsiste, që lakmi mund t’ia ketë edhe nazismi gjerman.

Por, kur populli fillon të besojë në të pamundshmen, atëherë arrihet e pabesueshmja. Njerëzit shndërrohen në figura emotive intolerante, të cilët në mënyrën më agresive reagojnë në çfarëdo veprimi dhe sjellje normale të të tjerëve. Atëherë popullata e indoktrimuar fillon të ndjehet e rrezikuar madje edhe nga veprimet normale të të tjerëve. E gjithë kjo merr formë të një spirale të rrezikshme. Së pari urrejtja fillon ndaj të tjerëve, pastaj ndaj fqiut dhe përfundon me të afërmin. Kjo masë njerëzish sikur edhe më shumë nxehet kur shef se udhëheqësi i saj është lakuriq. I gjithë ky reaksion shumë i përngjan filmit “Bukuroshja dhe bisha”, ku limiti në mes epsheve dhe tragjedive është tejet fluid. Shumë analistë janë të mendimit se për vendin shumë më mirë do të ishte sikur të mos kishte kurfar pushteti se sa një të tillë. Qytetarët racional u munduan të japin gjithçka nga vetja. Atyre u mbeti vetëm shpirti. Por, si duket edhe kjo u lypet. Pushteti prodhojë errësirë totale. Të gjithëve na futi në tunel pa dritë. Madje, edhe kur sheh qoftë edhe një shkëndi drite në thellësi të tunelit, ai menjëherë vrapon që ta shuaj.

Është totalisht jashtë çdo logjike që edhe më tej të vazhdojmë të presim trenin që tani tetë vite nuk vjenë. Ai tren ka nevojë jo për pritje, por për fuqi tërheqje. Gabim i madhë do të bëhet nëse këtij regjimi i lejohen zgjedhje të parakohshme. Atëherë do të jemi shpëtimtarë të tij. Atëherë serisht djallit do t’i mundësojmë të del nga shishja. Do të mbajmë përgjegjësi për humbje të dinjitetit dhe të ardhmërisë së njerëzve. T’u besosh fjalëve të premierit është njësoj sikur t’ia besosh ujkut se ai më mire di t’i ruaj qengjat. Atëherë me të drejtë do të na kualifikojnë si pjesë e nazismit të tij. Edhe ashtu me këte person i humbëm tetë vite. Do të na duhen edhe tetë të tjera që ta kompenzojmë të humburën. Pra, 16 vite humbje na kushton ky njeri që vazhdimisht matet me hijen e mëngjesit, të cilën humbje shtrenjtë e paguajmë me poshtërim, varfërim e shpërngulje.

Lajme të ngjashme

Back to top button