Greqi vs. Maqedoni

Shtetet që kanë kontest politik bilateral ende të pazgjidhur në Ballkan sot e kësaj dite janë Greqia dhe Maqedonia. Kontesti mes dy shteteve fqinje është relativisht i ndërlikuar, madje, pothuaj kanë kaluar dy dekada nën presion mbi ndriçimin e vërtetë të identitetit. Realisht, kontestet të cilët prekin identitetin, gjuhën dhe kulturën e një shteti nuk kapërcehen lehtë pa pasur vullnet dhe argumente elastike në trajtimin apo zgjidhjen e çështjes me mjete politike e diplomatike. Kontesti i emrit kushtetues midis dy shteteve ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë, pothuaj sot është një dukuri mjaft e rrallë e paraqitjes.

Një shtet, siç është Greqia e sotme gëzon autoritet dhe ka shtrirje të konsiderueshme të ndikimit në politikat ndërkombëtare, që do të thotë se është mjaft vështirë të ballafaqohen argumentet për zgjidhjen e kontestit të emrit. Ky realitet gjeografik ka sjell me vete dhe paragjykimet ndërmjet popujve ku jetojnë e veprojnë, por dhe Greqia jo se e ka pjellë si nevojë e kohës kontestin e emrit kushtetues të Maqedonisë, por ky tundim u paraqit si pasojë e krijimit të shtetit të pavarur me emrin Maqedoni, e që në Greqinë e vjetër ekzistonte një regjion verior me të njëjtin emër. Pra, kontesti i emrit kushtetues i shtetit jo anëtar i Unionit Evropian, Maqedonisë me shtetin anëtar të Unionit Evropian, Greqinë përbën një krizë të shtrirë e të kushtueshme gjeopolitike. Ky kontest kërkon angazhim politik, pasi vjen në shprehje prekja e identitetit, gjuhës dhe mohimi i vetëdijes shpirtërore e morale e një populli. Kontesti bëhet edhe më i ndërlikuar, pasi këtu kemi të bëjmë me një shtet që është anëtare e Unionit Evropian, si Greqia; dhe një shtet jashtë Unionit Evropian, si Maqedonia. 

Pikërisht, kjo situatë e tendos edhe më tepër harkun. Madje, Greqia, si anëtare e Unionit Evropian dhe NATO-s ka të drejtën e pashmangshme për përdorimin e vetos kundrejt ambicieve të Maqedonisë për një aderim eventual në Unionin e Evropian dhe në NATO. Kjo veto mund të përcaktojë dilemën serioze që ka Greqia për këtë çështje, prandaj, vetoja mund të kuptohet si pezullim i përkohshëm ndaj çdo plani për t’u integruar në Unionin Evropian, që konkretisht do të thotë se përdorimi i vetos ndaj Maqedonisë si pasojë e moszgjidhjes së emrit kushtetues ia heq përkohësisht mundësinë e aderimit në strukturat evro-atlantike. Kjo përparësi politike dhe diplomatike e Greqisë krahas Maqedonisë mund të konsiderohet si provë e hidhur për një kompromis të qëndrueshëm ndaj zgjidhjes së problemit. Ndërkaq, Greqia është kategorikisht për ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë, pasi dyshon racionalisht për pretendim apo aludim të territoreve greke, ndërsa Maqedonia është në udhën e mohimit të ndërgjegjes kombëtare. 

Pra, këtu është diferenca e harkut që nuk ka ku të shkojë më tej. Mirëpo, duhet të kemi parasysh se Maqedonia aktualisht po qeveriset sipas një politike rivale e nacionaliste, e cila në thelb nuk përkon me politikat moderne liberale për të krijuar kushte në favor të një kompromisi inteligjent, që më pas të shërbente për ecurinë e të ardhmes së shtetit. Maqedonia duhet të rrisë kapacitetet e veta politike dhe diplomatike, me qëllim të zgjidhjes së shpejtë të emrit kushtetues dhe të intensifikojë  negociatat me Greqinë të cilat kryesohen në OKB nga diplomati amerikan Methiew Nimietz. Vendi duhet të ofrojë argumente apo të bëjë kompromis në ballafaqim me çështjen e zgjidhjes së kontestit të emrit kushtetues, pasi një kompromis eventualisht mund të ofronte një zgjidhje e qëndrueshme dhe e pranueshme për të dyja palët. Përkundër kësaj, kontesti nuk arrin të formësohet në një zgjidhje të pranueshme, për faktin se nacionalizmi politik i të dyja vendeve ndodhet në vijat e kuqe. Nacionalizmi, veçanërisht në këto kohëra mjaft të brishta politike për të dyja vendeve duhet më pak të stimulohet tek popujt, pasi kjo nuk krijon klimë të qëndrueshme për zgjidhjen e çështjes së emrit kushtetues të Maqedonisë, por përkundrazi nxit revoltë të nivelit joparimor. 

Përderisa Maqedonia nuk heq dorë nga nacionalizmi politik që e ka zhytur dhe popullin të mendojë hermetikisht për çështjen e emrit kushtetues duke paralajmëruar se çështja e emrit do të vihet në sprovën e referendumit popullor, mirëpo, në anën tjetër Greqia paralajmëron për vijat e kuqe duke e sanksionuar çështjen e nacionalizmit të Maqedonisë me të drejtën e veto-s. Maqedonia duhet të jetë e gatshme të ruajë elasticitetin e shtrirjes gjeopolitike të shtetit pa hasur në kontradiktë të shprehjes me politikat e jashtme, me theks të veçantë për të zgjidhur kontestin me mjete diplomatike, duke e kapërcyer gjendjen e brishtë me anë të një kompromisi politik. Nëse ndodh që Maqedonia të përqendrojë mekanizma për ta ndryshuar emrin kushtetues, pra t’i shtohet një prapashtesë gjeografike emrit kushtetues, kjo nuk do të thotë se vendi ka humbur betejën politike me identitetin, që do të thotë zgjidhja e kontestit njëkohësisht hap udhë të cilësuar për të nisur një betejë të re për zhvillimin dhe plotësimin e standardeve përkrah shteteve më të zhvilluara të botës. Prapashtesa gjeografike aspak nuk e zhbën realitetin e identitetit të një populli, në këtë rast siç është Maqedonia.

Lajme të ngjashme

Back to top button