Kishin ndarë qytetin ashtu si ishin ndarë vet

Ata dy sikur e kishin ndarë edhe qytetin ashtu si ishin ndarë vet; përgjysmë. Nëpërmes qytetit kalonte lumi, nëpërmes këtyre vitet. Andej lumit rronte ajo, këndej lumit ishte ai. 
Vendi i vetëm ku mund të takonin njëri-tjetrin ishin urët. Edhe ato ishin të shumta në atë qytet dhe mbi atë lum, sikur njerëzit që i takonin për çdo ditë. 

Ashtu të dy kishin takuar shumë njerëz përgjatë viteve, përgjatë lumit dhe në urat. Vetëm ajo atë asnjë ditë nuk e takoi. Ndonëse i ndërronte urat dhe rrugët, sa herë që në pjesën e tij vinte-shkonte.

Por ai e pa atë. Atë ditë kur lumi vërshoi. Ishte nga larg dhe dukej keq. Qytetit i ishte ndryshuar ngjyra nga vërshimi, asaj nga pritja. Shumë ujë kishte kaluar nëpër lumë, tani vërshimi e kishte shtuar ujin e vitet huajësinë. Nuk iu shfaq dhe nuk i doli para. Nuk ishte koha dhe vendi. Vendosi në vete: Ndoshta tjetër herë, pasi ai aty, në atë urë, ishte vetëm rrugës, shkonte për të takuar njerëz tjerë. 

Ditët kalonin ndër vite, uji në lumin ndër urë. Urat dhe qyteti ishin aty edhe disa herë më pas pati vërshime, por ai nuk e pa më atë. Asnjëherë nuk e takoi. Kujtohej se e kishte kuptuar që ka gabuar, sapo lumin kishte kaluar: nuk ndërronte fati, sa herë që lumi dilte nga shtrati.

(Thërrime 93)

Lajme të ngjashme

Back to top button