Debat maratonik, nuk kalon Ligji për amnisti

Pas një debati të gjatë, Projektligji mori 70 vota për, 21 kundër dhe 2 abstenime. Për të kaluar, ky Projektligj duhet të merrte 80 vota për, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Gjatë pjesës së dytë të debatit, jo vetëm opozita, por edhe deputetë të PDK-së kanë parashtruar shumë vërejtje në lidhje me veprat që parashihet të falen me draftin aktual të prezantuar para Kuvendit nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Sipas propozimeve të deputetëve, Kuvendi pritet të zgjedh mes dy opsionesh.

Një grup deputetësh ka propozuar që Projektligji t’i kthehet qeverisë për ridraftim.

Kurse propozimi tjetër dhe më i pritshëm që të aprovohet, është miratimi në parim i Projektligjit, por me kusht që Komisionet gjegjëse parlamentare ta ri-draftojnë atë në harmoni me standardet ndërkombëtare.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si sponsorues i Projektligjit, ka thënë se ky ligj nuk do të bëjë dallime etnike apo rajonale dhe se do të amnistojë vetëm vepra të caktuara për gjithë territorin e Kosovës.

Megjithatë, për shkak të shumë vërejtjeve të deputetëve, Kuçi është shprehur i hapur të bashkëpunojë për ndryshimin e disa neneve të tij.

“Me këtë ligj që është prezantuar momentalisht do të përfitojnë më pak qytetarë të dënuar, sesa që kanë përfituar vetëm në një rast të faljeve të presidentëve paraprak. Mbane në mend, do të përfitojnë më pak sesa vetëm në një rast, duke hequr pjesën që ka të bëj me rendin kushtetues me veriun”, ka thënë Kuçi.

Mospajtimet më të shpeshta ishin në lidhje me faljen apo jo të veprave të kryera nga zyrtarët dhe shërbyesit publikë, shtetërorë. Projektligji pa ndonjë hezitim është përkrahur nga partitë e koalicionit dhe ato të pakicave.

Kurse me rezerva janë prezantuar tri partitë opozitare.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë vërejtje për numrin e madh të veprave që parashihen të falen me Projektligjin për Amnistinë. Deputeti i LDK-së, Haki Demolli ka thënë se aty parashihet falje edhe për vepra penale që nuk guxojnë të amnistohen.

Sipas tij, me këtë Ligj, do të përfitojnë më shumë shqiptarët sesa serbët e veriut, madje persona që u përkasin apo janë të lidhur me strukturat e pushtetit.

“Qeveria jonë synon që përmes këtij projektligji nën pretendimin e presionit ndërkombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të amniston kriminelët e të dy grupeve etnike të cilët kanë vepruar nën direktivat dhe mbikëqyrjen si të qeverisë në Prishtinë ashtu edhe të asaj në Beograd. Madje ka shkuar aq larg sa që amnistinë e disa veprave penale ua ka përshtatur disa prej zyrtarëve të lartë politik nga radhët e partisë në pushtet”, ka thënë Demolli.

LDK ka kërkuar që nga Ligji për Amnistinë të hiqen veprat penale që amnistojnë zyrtarët apo shërbyesit publik të Kosovës. Në të kundërtën, nuk do ta mbështes atë.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kategorike kundër këtij Ligji. Deputetja Albulena Haxhiu nga ky subjekt politik e cilësoi këtë projektligj si kriminal. Kërkesat e saj dallonin nga pjesa tjetër e opozitës, pasi që shprehej tërësisht kundër këtij ligji.

“Kur kryeministri dhe zëvendësi i tij, Kuçi thonë se ky ligj nuk është vetëm për veriun por edhe pjesët tjera të Kosovës i kanë në mendje pikërisht kriminelët, të korruptuarit që vijnë nga strukturat aktuale partiake që e kanë pasur pushtetin, por edhe që e kanë tashmë”, është shprehur Haxhiu.

Kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes deputetit Ardian Gjiniështë pajtuar që amnistia të vlen për pjesën veriore me qëllim të integrimit,  por jo edhe për zyrtarët tjerë, ata shtetëror të Kosovës të cilët kanë bërë çfarëdo vepre kriminale.

“Ne të nderuar deputet, mund të falim këdo. Mund të falim edhe një kriminel. Por ne nuk kemi të drejtë të falim vetveten. Ne jemi ata që e kemi ngritur dorën dhe jemi betuar solemnisht në Kuvend, qeveria, kryetarët e komunave janë betuar, të gjithë dhe zyrtarët publik, administrata kanë nënshkruar kontratë me shtetin dhe janë betuar se do ta mbrojnë interesin publik dhe se do të menaxhojnë mirë me punën që u është besuar”, ka thënë Gjini.

Edhe AAK kushtëzoi votën e saj me heqjen e disa neneve nga ky ligj, sidomos atyre që mundësojnë faljen e pushtetarëve nga veprat e kryera.

Kuvendi më pas shkoi në pauzë dhe pritet që t’i vazhdojë punimet pas orës 15:00.

Sipas procedurave, sot pritet vetëm votimi dhe miratimi në parim, ndërkaq pas plotësimeve adekuate, ligji miratohet pas leximit të dytë, afërsisht pas dy javësh.

Lajme të ngjashme

Back to top button