Rama: Bëj politikë për të luftuar idenë e vdekjes

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një intervistë të dhënë për prestigjozen franceze “Le Courrier des Balkans”, shprehet se kërkon të lë një emër në histori.

“Në 2009, komuniteti ndërkombëtar na tradhtoi duke pranuar rezultate të falsifikuara. Gjatë zgjedhjeve lokale në Tiranë në vitin 2011, ishte akoma më keq. Një situatë plotësisht kafkjane! OSBE-ja botoi një raport, në të cilin thuhej, nga njëra anë që një e treta e votave ishte falsifikuar, dhe nga ana tjetër që nuk kishte pasur manipulime. M’u desh të pranoja humbjen për 10 vota”, ka thënë Rama, transmeton Gazeta Shqiptare.

Kur është fjala te aleati i tij i ri, Ilir Meta, dhe se a beson tek besnikëria e tij, Rama thotë: “Politika është harmonia e interesave. Jo, e idealeve. Shikoni Sarkozinë. Flirtoi me Frontin Kombëtar. Por, atij nuk i eci”.

Në lidhje me poralizimin politik shqiptar, sidomos mes PD-së dhe PS-së, kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë thotë se “në 2009, pas falsifikimit të zgjedhjeve, u futëm në një përplasje monumentale, një polarizim i një dhune ekstreme”.

“Në janar 2011 disa manifestues u vranë në rrugë. Ishte aty që komuniteti ndërkombëtar filloi të kuptonte që kishte një problem me Berishën. Por, disa muaj më vonë, OSBE-ja dha prapë një raport të pabesueshëm mbi zgjedhjet lokale”, thotë kreu i socialistëve dhe shton: “Kam një problem me vdekjen. Vjen nga fakti që jam një artist. Kam një problem me vdekjen dhe me historinë. Dua të lë një emër. Nuk më intereson për të tjerat. Bëj politikë për të luftuar idenë e vdekjes”./Indeksonline/ 

Lajme të ngjashme

Back to top button