Dyshja spekakolare dibrane, Papraniku dhe Kolari

Refik Papraniku dhe Abedin Kolari janë valltarët e parë të cilët  me kontributin e tyre kanë mahnitur publikun dibran dhe më gjerë. Në monografinë kushtuar shoqërisë kulturore “Liman Kaba”, autori nënvizon: Refikun dhe Abedinin, i paraqesim së bashku, ngase ata i bashkon vallja burimore  “Dyshja dibrane”, të cilën prej vitesh e kanë luajtur  me pasion dhe me zell të pashuar. 

Edhe para pak viteve në moshë të thyer, Refiku e Abedini, këtë valle dyshe e luanin mrekullueshëm, e dredhin në majë të gishtërinjve dhe mbi daulle e luajnë me elegancën më të lartë ashtu si në ditët rinore,duke shpaluar gjithnjë visarin e pashtershëm të traditës dibrane dhe gjithë shqiptare. 

Kjo “dyshe dibrane” kudo që u paraqit në Dibër, Shkup, Prizren, Zagreb, Tiranë e gjetkë u imponua artistikisht para spektatorit, ndaj u shpërblye ngrohtë me duartrokitje. 

Duhet ta duash vërtetë vallen, pastaj t’i përkushtohesh me aq dashuri si zotërinjtë Refik Papraniku  dhe Abedin Kolari. Në të vërtetë as Refiku, tanimë i ndjerë, as Abedini nuk patën fatin të kryejnë shkollat artistike, por me punën dhe talentin e tyre,u bënë një shkollë për valltarët e rinj. 

Loja e perfeksionuar gjer në detaje e “dyshit” dibran përmes lëvizjeve artistike shpalos para spektatorit këto ngjarje të uljeve dhe ngritjeve të shqiptarit dhe dibranit nëpër kohë… Lëvizjet si thyerja e trupit, mbështetja në urëkrahësh, qëndrimet mbi daulle, gjithnjë të mbështetura në konceptin koreografik, të shprehura me një komunikim reciprok nga “dyshi” shprehin kodet e traditës sonë, zakonet  e trashëguara brez pas brezi. Shpalosen në këtë dysh.. Nderi, mikpritja, burrëria… Aty shihet mençuria, dinjiteti, si dhe virtuoziteti dibran. 

Aty, poashtu shpalosen tipare njerëzore plot madhështi, butësi, shpirtgjerësi dhe shpirtbardhësi njeriu. Këto lëvizje plot elegancë shprehin idealet e larta dhe botën shpirtërore të shqiptarit nëpër kohë. Pra kjo valle “dyshe” është kala e kohës që sa më e vjetër që bëhet ngrit vlerën si muze të kohës, që si takon vetëm të shkuarës por përmes së sotmes synon të nesërmen, duke përkuar me rrënjët e thella që ushqejnë kurorat e drurëve të lartë, edhe dyshja vazhdon të ushqejë vetëdijen e detyrave që kemi ndaj traditës sonë popullore të njësishme dhe ndaj vlerave të tjera shpirtërore kombëtare.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button