Nëse ju mungon Jugosllavia, atë e gjeni në Tetovë (FOTO)

Nëse ju ka marrë malli për Jugosllavinë e komunizmit ju kishim preferuar të shkoni në stacionin hekurudhor të Tetovës. Në këtë vend mund të gjeni yllin e komunizmit, objektin me stile të ish Jugosllavisë, madje dhe pllakatë ku përmendet lideri i Jugosllavisë, Josip Broz Tito apo shoku Tito. Është ky një vend që kushtimisht thënë për shumë tetovarë as që ekziston.

Gjeneratat e reja si dhe disa qytetarë të Tetovës as që e dinë se ky qytet ka një stacion hekurudhor. Dhe kanë të drejtë, është aq jo-funksional sa që është harruar edhe nga vetë kompetentët.

“E di se në Tetovë kalon një tren  po se a ndalon aty  nuk jam i informuar bile as nuk e di se ku po shkon ky tren” thotë për Portalb, Artan S. 22 vjeçar.


Ndërsa për  Alirami  E., ish punonjës në këtë stacion thotë se më parë ky vend ka qenë i frekuentuar por tani është lënë në këtë derexhe. 

“Po në kohën e Jugosllavisë kam punuar atje. Me kolegët kam shkarkuar vagonë me qymyr dhe materiale tjera, kishte një përfitim të mirë po tash askush nuk bart mallra e as udhëton me tren” thotë Aliramiu. 

Ajo çka është më interesante është se në këtë stacion ende ekziston mbishkrimi i ish sistemit dhe askush nuk është kujtuar ta largojë sepse shqiptarët përmenden me “shiptari” dhe jo me “albanci”ashtu siç duhet të shkruhet në të drejtë.


Aty thuhet se ky stacion është ndërtuar në ditëlindjen e shokut Tito më 25 maj 1952, dhe ndërtimi i hekurudhës ka marrë 996 832 ditë punë dhe janë shpenzuar 193 520 480 dinar të atëhershme.

Dhe nga kjo kohë asgjë në të nuk është intervenuar. Drejtori i hekurudhave mbetet i pakapshëm për komunikim. Ndërsa fatkeqësitë në këtë rajon dita-ditës shtohen për shkak të hekurudhës së pasigurtë dhe pa mbrojtëse. 

Lajme të ngjashme

Back to top button