Kërçova, strehë e lypsarëve transit gjatë verës

Gjatë sezonit veror në Kërçovë, tashmë është bërë traditë që të shohim një numër më të madh të lypsarëve se gjatë periudhës tjetër të vitit. Sipas asaj që flitet në qytet, një numër i madh i tyre vijnë nga qytete tjera për të lypur në këtë qytet. Këtë na i konfirmoj edhe drejtori i Qendrës për punë sociale në Kërçovë, Dashmir Limani.

“Gjatë ditëve të kaluara, në bashkëpunim me policinë, ne si qendër kemi bërë disa kontrolle nëpër qytet dhe vetëm për ditën e mërkurë janë regjistruar shtatë fëmijë në rrugë. Por numri i tyre është më i madh se sa kemi mundur ne të regjistrojmë. Gjithashtu është e vërtetë se në Kërçovë është i pranishëm fenomeni i familjeve të lypsarëve transit të cilët gjatë këtij sezoni vijnë për të lypur në Kërçovë. Qendrat e qyteteve tjera kanë strehimore ku i marrin dhe kujdesen për këto fëmijë gjatë ditës dhe në mbrëmje i lejnë të lirë, kurse ne si qendër nuk i kemi këto mundësi dhe e vetmja gjë që mund të bëjmë, është të ngrimë padi kundër prindërve që i nxjerrin fëmijët e tyre në rrugë.” – shtoi Limani.

Nga kjo qendër na informojnë që në këtë qytet janë të regjistruar rreth tridhjetë lypsarë të përhershëm dhe tridhjetë të tjerë transit.

Lajme të ngjashme

Back to top button