Natën e mirë, BE!

Në kohën kur Maqedonia e ratifikoi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, Zagrebi ishte ende larg. Ndërsa Kroacia bëhet anëtare e BE-së, ne kemi pak gjasa për lëvizje në pesë deri shtatë vitet e ardhshme. Si edhe gjithçka tjetër në jetë, ka tre dimensione të gjërave: si ne dëshirojmë të jenë gjërat, si janë ato vërtetë dhe si duhet të jenë.

Si ne dëshirojmë të jenë gjërat: 
Dëshirojmë që kolegët evropianë t’i besojnë përrallave të politikanëve lokalë për shoqëri të hapur dhe reforma të suksesshme. Do të ishte e shkëlqyer po që se shiten filmat për incidentet rrugore që janë vetëm probleme çasti ose për reklamat qeveritare që nuk e rrezikojnë pavarësinë e medieve. 

Përhapet gënjeshtra se gjithçka që është dashur të bëhet tashmë është arritur – reformat në kulm, ligjet janë aty, vullneti për marrëdhënie fqinjësore nuk ka pse diskutohet meqë njerëzit hanë kaçkavall bullgar dhe pushojnë në brigjet greke, ndërsa shteti e meriton anëtarësimin tash e sa vite.

Me pak sinqeritet, pranohet se institucionet i kemi jashtë binarëve dhe që mbetet edhe shumë punë, duke mos harruar ta aplikojmë strategjinë e të fortit të mëhallës – kur lutjet shkojnë bosh, kalohet në kërcënime se pa BE dhe NATO do të na keqësohen marrëdhëniet ndëretnike. Kështu, më mirë të na pranojnë, se ndryshe ju del problem këtu dhe në mbarë rajonin. Tipike për mentalitetin tonë.

Mbi të gjitha, ëndërrohet syhapur se bashibozuku do të kalojë pa u vërejtur nga Brukseli. Tek e fundit, nëse BE nuk na do, ja ku e kemi Rusinë dhe Kinën, pak për biznes dhe më shumë për gajret. 

Si janë gjërat në të vërtetë: 
Ka kohë që emri nuk është problemi i vetëm i Maqedonisë. Kjo u tha qartë edhe nga Zëvendës-Kryeministri i Maqedonisë për integrim në BE, i cili me guxim pranoi se faji qëndron tek institucionet e vendit, duke rënë ndesh me qëndrimin e shumëpërsëritur qeveritar dhe partiak. Paraprakisht, dyshimet për kapacitetin bazik demokratik u shprehën tërthorazi edhe nga ambasadorët e vendeve si Franca, Gjermania dhe Holanda. Së këndejmi, është e kotë kokëfortësia e koalicionit qeveritar, që në shëtitjet jashtë dhe këtu shtiret se emri është pengesa e mbetur drejt ardhmërisë evropiane. 

Për mosdije ose mosinteresim, jepet propozimi që Maqedonia ta fillojë procesin e skenimit të gjendjes, duke filluar me disa kapituj. Me një kërkim disaminutësh, kuptohet që kapitujt e sugjeruar kanë të bëjnë me çështjet si gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia së bashku me lirinë dhe sigurinë. Sipas lirisë jemi në grup me Burkina Fason dhe Burundin. Në Evropë, shoqëri na bëjnë Shqipëria, Kosova, Bosnjë-Hercegovina, Ukraina dhe Moldavia – që të gjitha me pak gjasa integrimi.

Si duhet të jenë gjërat: 
Brukseli duhet ta thotë qartë se për vendet pa medie të lira dhe me dhunë të instaluar shtetërore, nuk ka vend në Evropë. Në vend të fjalëve të ëmbla për inkurajime dhe shfrytëzim të momenteve pozitive, duhet pranuar se ky pushtet nuk ka aspak interesim për integrim ose reforma. As shqiptarët dhe as maqedonasit nuk lodhen për BE – brenga e vetme është mbajtja e pushtetit dhe vjedhja e të mirave publike pa asnjë mekanizëm kontrollues. Andaj, heqja e rekomandimit mund të ketë efekt esëllimi.

Përfaqësuesi shqiptar duhet t’i jep fund ofendimit të inteligjencës përmes caktimit të afateve dhe pohimit se në pushtet i mban agjenda evropiane. Padroni i koalicionit e ka hapësirën edhe më të ngushtë – destruksioni është rritur aq shumë, sa që edhe nëse e pranojnë zgjidhjen e çështjes së emrit, problemet e krijuara janë rritur në masë që askush nuk beson në përkushtimet për integrim. 

Të gjithë bashkë duhet ta kuptojmë realitetin se ngujimi aktual nuk do të kalojë shpejtë. Përkundrazi, gjërat do të përkeqësohen më tej dhe Maqedonia nuk ka gjasa progres në pesë deri shtatë vitet e ardhshme. Dy vitet para nesh janë vite zgjedhore. Pas kësaj, edhe nëse ndodh ndërrimi i pushtetit, që ka pak gjasa, fokusi do të jetë në konsolidimin e pushtetit dhe ekonomisë. Vetëm pas kësaj periudhe, në rrethana më të mira pas pesë viteve, mund të flitet për agjendë evropiane. Në ndërkohë, mbetemi të zhytur në klimën e dhunës dhe totalitarizmit, me shpresë se do të na shpëtojë fati i mirë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Back to top button