Atmosferë tejet festive për Fitër Bajramin në Strugë
Struga sivjet e ka pritur festën e Fitër Bajramit në një atmosferë tejet festive. Gëzimin e festës e ka shtuar edhe prania e familjarëve tanë që kanë ardhur nga kurbeti dhe të cilët kanë patur sivjet më shumë mundësinë për ta kaluar festën në vendlindje.
Kjo atmosferë është ndjerë dhe po ndjehet kudo, në rrugë, në qytet nëpër shtëpitë tona. Por, si e përjetojnë qytetarët e Strugës këtë festë? Kësaj pyetje, të Portalb, ata ju përgjigjen me shumë dashamirësi:
Albana Cufaj Zhuta
Festa e Bajramit këtë vit vjen pas një muaji agjërimi paksa të vështirë nga vetë kushtet dhe kohën në të cilën janë përballur myslimanët këtë ramazan.Një verë e nxehtë dhe një muaj me ditë të gjata, gjithsesi erdhi festa e cila bart në vetvete bamirësi, shpresë, kurajo dhe sprovë
Atmosfera e Bajramit ndjehet në çdo shtëpi me ushqimet tradicionale apo edhe me atë përkujdesjen e veçantë të amvisave për t’i kryer punët me themel edhe pse çdo ditë pastrojnë. Porositja e mishit apo edhe e ëmbëlsirave, siç janë bakllavaja dhe sheqerparja bashkë me bukën e qiqrave, të japin panoramën e kësaj dite feste.
Solidariteti i njerëzve bëhet më i ndjeshëm këto ditë me ndihmesën që u japin familjeve në nevojë..s’na mbetet gjë tjetër vetëm të themi si të vjetrit..Moti na gjetë shëndosh, paqe, durim dhe dashuri!
Xhemi Hajredini
E pres i lumtur Ditën e madhe të Ramazan Bajramit pasiqë për një muaj rresht kam qenë agjërues i rregullt. Janë këto festa të madha që bashkojnë familjet rreth tryezave festive.
Ramazani dhe Festa e Fitër Bajamit janë festa shumë dimensionale dhe secili person vepron sipas ndjenjave të tij për tu solidarizuar me të varfrit, skamnorët dhe nevojtarët. Të gjithë bashkqytetarëve të mi ua uroj Fitër Bajamin! Gëzuar dhe të gjitha të mirat në familjet e tyre.
Asim Musa
Fillimisht uroj të gjithë besimtarët, ata që agjëruan, por edhe qytetarët e tjerë të kalojnë sa më mirë këtë festë. Unë kam 30 vjet që agjëroj, ndaj dhe falenderoj allahun që na mundësoi dhe lehtësoi Muajin e Ramazanit.
Me kënaqesinë më të madhe do bëj faljen e namazit të Bajramit në njërën prej xhamive të qytetit.
Alide Lloga
Me padurim të gjithë besimtarët mysliman presin të lumtur e të gëzuar festën e Fitër Bajramit. Kjo festë paraqet një gëzim tejet të madh tek besimtarët ngaqë për një muaj rresht ato e kufizojnë veten nga shumë e shumë nevoja të tyre personale e bëhen një ose të barabartë me të gjithë njerëzimin anembanë botës, ku ka skamnorë.
Pra ky është një shembull jashtëzakonisht i mirë, dhe është e udhës të veprohet në kësisoj mënyrash edhe në ditët në vijim, kur nuk është muaj i shenjtë i Ramazanit, sepse vetëm kështu do të ndjejmë veten në rrugë të drejtë e të barabartë, me të gjithë, ndaj ju dëshiroj një jetë të lumtur e të begatë të gjithëve.
Gëzuar e plot shëndet!