Bajrami, Nishani uron besimtarët myslimanë: Paqja të dominojë mbi urrejtjen

Presidenti i vendit, Bujar Nishani ka përcjellë pasditen e sotme urimin e tij për besmitarët myslianë në prag të festës së Fiter Bajramit. Përmes këtij mesazhi Presidenti lëshon dhe një apel që shkon qoftë për politikën, qoftë për qytetarët: të heqim dorë nga kultura e sherrit.

“Le të na bëjë ky Bajram ta shohim botën dhe jetën me sytë e të dobtëve dhe të varfërve. Le ta mposhtim me mjete paqësore, me sakrifica si Ramazani dhe festa si Bajrami, kulturën e urrejtshme të sherrit, këtë rudiment të rrezikshëm trashëguar nga e kaluara diktatoriale. Le të jetë Dita e Bajramit një ditë e lumtur. Gëzohuni bashkërisht në këtë ditë Bajrami”- shprehet Presidenti.

Nga një Ramazan në tjetrin, thuhet ne mesazhin e Presidentit, dëshmojmë besimin ndaj Zotit, duke u bërë më të mirë; për veten, për tjetrin, për shoqërinë dhe më të gatshëm për sfida të tjera edhe më të vështira, që i ka jeta.

“Të dashur myslimanë shqiptarë kudo ku ndodheni! Ju uroj nga zemra Gëzuar Bajramin, festën më të madhe dhe më të bukur të myslimanëve, festën Tuaj, festën time, festën e të gjithëve, atë festë gjatë së cilës gëzohen pa dallim, i madh e i vogël, burra e gra, të varfër e të pasur, të gjithë nën shenjën e bashkimit dhe besimit të pafundëm dhe të pakushtëzuar ndaj Zotit. Gëzuar pra këtë festë të shenjtë, e cila, pas sakrificës sjell shplodhjen, pas hezitimit bindjen, pas dobësisë forcimin, pas vuajtjes Besimin. Nga një Ramazan në tjetrin Ramazan, pra nga një sakrifikim në tjetrin, nga një Bajram në tjetrin Bajram, pra nga një festë në tjetrën festë, provojmë dhe dëshmojmë efektivisht besimin ndaj Zotit. Dhe Zoti çdo herë na shpërblen. Duke na bërë më të mirë; për veten, për tjetrin, për shoqërinë. Duke na bërë më të fortë fizikisht, më të kthjellët mendërisht, më të gatshëm për sfida të tjera edhe më të vështira, që i ka jeta, i ka ekzistenca.Jo dëshpërim, jo lëndim, jo brenga. Vetëm gëzim, lumturi dhe begati, dhe bekimin e Zotit, dashurinë e Zotit, ndihmën e Zotit, paqe, dhe urtësi sjelltë për të gjithë Ju kjo ditë, ky Bajram”, thuhet në mesazhin e Kreut të Shtetit.

Ndërkaq edhe kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, përmes rrjetit social twitter dhe fb ka uruar të gjithë besimtarët për festën e Bajramit.

“Te gjithe besimtareve muslimane u uroj gezuar festen e Bajramit te Madh dhe mbaresia i prifte familjeve tuaja!”

Lajme të ngjashme

Back to top button