Për gomarët e Gjergj Fishtës

Ndër veprat e arrira të At Gjergj Fishtës bëjnë pjesë dhe dramat, disa prej të cilave u ndikuan nga klasicistët evropianë. Ato e pasuruan letërsinë shqipe me zhanre të reja dhe u vunë në skenë në shkollat françeskane. Gomari i Babatasit është njëra prej tyre, që thonë se pati për shkas zënkën e poetit me një ministër beratas, pasi luajtën domino. Fishta e humbi lojën, kurse ministri shkroi një poezi ngucakeqe dhe ia dërgoi atij si letër zyrtare. Ngacmimi u bë mbi baza krahinore e dialektore, ndaj kjo e nevrikosi shumë Fishtën. Megjithatë, vepra shpërfaq probleme shumë më të dhembshme e më të përgjithshme, me të cilat përballej shoqëria shqiptare e mbetur peng në kthetra demagogësh dhe burrash mikroskopikë, që e shndërruan atë në ushqim çakejshë greko-sllavë. Këtë e kuptojmë nga një letër e vitit 1922, me të cilën poeti e njoftoi një mik se ka nisur të shkruajë një satirë, qe ka për temë jetën politike shqiptare, në të cilën e gjejnë veten: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja. Kjo profeci rezultoi e saktë, sepse vepra është aktuale edhe sot e gjithë ditën.

Gomari i Babatasit është satirë e fortë politike e shkruar në një stinë shumë të ligë, me vargje 8-rrokëshe të rimuara. Atë e lindi pamundësia e ndërtimit të shtetit shqiptar siç e ëndërruan rilindësit.

Përmbajtja e veprës jepet që në prologun e saj:

Pra nji here e pike ma s’parit                             

Po i diftoj rodit t’Shqiptarit                               

Se un ktu s’kndoj burrnin e t’Parit, 

As trimnin e ndo’i luftarit,

Veç nji gac, nji zog gomarit…

 

Mbi gomar nji kangë me shkrue,

Herë tue qeshë, herë tue vajtue,

“Simbas” rregllave t’ Poezisë, 

E nevojave t’Shqiptarisë…              

Heronjtë e veprës janë: Babatasi, Drejtori, Ministri, S.S. (gomari), Kryetari, Sekretari i Parlamentit, Tosku, Kryeministri, Kryekortolla, Taravoli, Bosku…

Bie në sy veçmas ministri i arsimit që mbyll shkollat dhe kërkon ngritjen e një muzeu kombëtar, që mendon se mund të drejtohet prej secilit njeri me pak shkollë turke. Këtë luks ai e kërkon në një kohë kur popullit i mungonte buka.

Në pjesën e dytë shfaqen heronj realë, si: Mihal Grameno e Mati Logoreci. Këtu ministri kërkon ta bëjë Babatasin arkeolog. Por ky nuk dinte asgjë për arkeologjinë, ndaj i thotë:

Aman jarebi… Zotni,

E ke gabim: se un s’e di,

Se ku shpin ka Arkeologjia.

Me shka m’duket, lum zotnija

Ti me mue don me u tallë…

Për Babatasin ministrat nuk guxojnë të emërojnë në detyra të rëndësishme njerëz jokompetentë, sepse ndryshe:

Q’se Ministrat ndajnë dekrete,

Pa peshue nji herë ma s’pari

Se ç’zotsi mund t’ketë zyrtari…

Shqipëria nuk do t’ecë përpara…

Këto janë arsyet përse Fishta për hero të satirës zgjodhi gomarin dhe viskun (zogun e tij, kërriçin, përlakun), që metamorfozohen. Gomarët e tij janë qenie të shfytyruara dhe pa ndjenja etnike – sllavofilë, grekofilë, turkofilë, pijanecë, rrenacakë, katilë, xhambazë, madje dhe gazetarë e shkrimtarë oborresh.

Gomari përfaqëson demagogët e portretuar me të gjitha tiparet. Ata janë shkatërrues të gjithkohshëm e të kudondodhshëm kombesh dhe qytetërimesh. Si pushtetarë ata ndajnë më shumë buxhet për hafije se për arsim. Shi për këtë, Shqipëria i paguen shtrenjtë gomarët e pa rod.

Demagogët e Fishtës janë të ngjashëm me zuzarët dhe koqet me qelb të Konicës, që gjithashtu e shesin Shqipërinë dhe jetojnë me mundin dhe djersën e shqiptarëve. Jo rastësisht, Gomarin e gjejmë te Denizullu-serpe, kurse Babatasin te Plugu i prozës së Konicës “4 përralla nga Zulullandi”

Metamorfoza, akti tretë i pjesës së parë të Gomarti të Babatasit është ndër satirat më të ashpra në letërsinë shqipe, sepse shkund themelet e kalasë së parazitëve. Po sjellim në vijim ca vargje, sa për t’ia ndier shijen:

Ju rrugaça e sallahana
vagabonda, shakllabana,
rriqna t’ndyet, mikrobe të kqij
qi të mjerës ksaj Shqypni
thellë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbë mbi dhè
der kur ju, t’u tallë npër ne,
do t’na qelbni fis e atdhè?

Ani kush, pra, me i pri kombit:
ju, do pyka, bij prej llomit
qi “shqiptarë” vedit i thoni,
jo pse ju Shqipninë e doni,
jo pse ju ndo’i send kuptoni
shka asht Atdheu e shka asht Liria,
shka asht Vllaznija a Barazija,
Përparimi e Qytetnia,
veç pse ende deri m’sot
nji tyran s’po e gjeni dot,
nën kambë t’cillit ju me u shtrue…

Poema satirike e Fishtës është kryevepër që është lexuar, lexohet dhe do të lexohet edhe nga brezat e ardhshëm të shqiptarëve. Ajo flet për parësi e institucione komedi, ku fjalën e kanë mediokritetet pa dinjitet. Pas leximit të saj Lasgushi tha: Fishta është ndër shkrimtarët më të fuqishëm satirikë. Pashko Gjeçi e quajti: Kirurg të jetës shqiptare, por nuk munguan as ata që thanë se satirat e Fishtës janë të rralla në letërsinë botërore…

Vepra në fjalë u shkrua me pseudonimin: Gegë Toska. Ajo i bëri poetit armiq, sepse shumëkushi e gjeti veten në të. Ata që u prekën më fort qenë pushtetarët satrapë. Ndaj, kur u erdhi rasti, e satanizuan dhe iu hakmorrën egërsisht. Pas vitit 1945, ata e ekskomunikuan Gjergj Fishtën, duke ia përdhosur madje edhe varrin.

E dhimbshme, apo?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button