Vjosa Osmani sot viziton Tetovën, kufizime në komunikacion
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot do të qëndrojë për vizitë në Tetovë, me çka do të ketë vizitë në komunë dhe disa vende të tjera. Për këtë qëllim do të ketë kufizime të lëvizjes në disa rrugë, shkruan Portalb.mk.
Presidentja Osmani fillimisht do të ketë takim me kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasamin, ku më pas do të kenë konferencë të përbashkët për shtyp.
Menjëherë pas kësaj do të vizitojë shkollën fillore “Liria” dhe sheshin e qytetit ndërsa më pas edhe Xhaminë e Larme (Pashës).
Për shkak të kësaj vizite, Komuna e Tetovës njoftoi se në bashkëpunim me Sektorin për Punëve të Brendshme në Tetovë, sot do të ketë regjim të veçantë të komunikacionit në zonën qendrore të qytetit nga ora 5 e mëngjesit deri në përfundim të vizitës zyrtare.
Gjatë kësaj periudhe parkimi i automjeteve do të jetë i ndaluar në:
- Bulevardin “Iliria”, nga kryqëzimi me Rrugën “Vidoja Smilevski-Bato” deri në kryqëzimin me Rrugën “Bllagoja Toska”.
- Rrugën “Dervish Cara (JNA)”, nga kryqëzimi me Rrugën “Dimo Gavrovski” deri në Bulevardin “Ilinden”.
- Bulevardin “Ilinden”, në kryqëzimin me Bulevardin “Iliria” deri në udhëkryqin me Rrugën “Dervish Cara (JNA)”.
“Automjetet që parkojnë në rrugët e ndaluara do të tërhiqen për të siguruar lëvizjen normale dhe të sigurt të pjesëmarrësve të tjerë të rrugës. Komuna e Tetovës dhe SPB-Tetovë apelojnë tek qytetarët që të mos lëvizin me automjetet e tyre në zonën qendrore të qytetit në ditën e enjte, më 27 prill 2023, pa nevojë të domosdoshme dhe imediate, dhe të kenë mirëkuptim dhe durim për ndryshimin e regjimit të komunikacionit. Qytetarët duhet të respektojnë dhe të veprojnë në përputhje me rrethanat, urdhrat dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë për të kontribuar në realizimin e vizitës zyrtare të delegacionit kosovar në mënyrë të sigurt”, informoi Komuna e Tetovës.
Përndryshe, dje presidentja e Kosovës në kuadër të vizitës së saj realizoi takime me presidentin e vendit, kryeministrin, kryetarin e Kuvendit si dhe krerët e disa prej partive politike në vend. Osmani madje pati edhe fjalim në foltoren e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Ajo çfarë u theksua nga këto takime ishte se Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm bilateral dhe ky trend duhet të vazhdojë, me theks të veçantë në rrugën drejt integrimeve evropiane.