Agjencia gjermane e spiunazhit renditi si “ekstremist” grupin rinor të ekstremit të djathtë AfD

Agjencia gjermane e spiunazhit të mërkurën (26 prill) e klasifikoi organizatën rinore të partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) si entitet ekstremist që kërcënon demokracinë, ndërsa autoritetet kërkojnë të luftojnë një rritje të gjerë të ekstremizmit, transmeton Euractiv.

Klasifikimi i Alternativave të Reja vjen pasi Gjermania në fund të vitit të kaluar tha se kishte deshtuar një përpjekje nga një grup tjetër i ekstremit të djathtë për të nisur një përmbysje të dhunshme të shtetit për të vendosur si udhëheqës kombëtar një princ që kishte kërkuar mbështetje nga Rusia.

Dy nga të arrestuarit gjatë një bastisjeje në atë kohë i përkisnin AfD-së.

Agjencia gjermane e spiunazhit të mërkurën klasifikoi dy organizata të tjera, Institutin për Politikat Shtetërore dhe “Një Përqind”, si entitete ekstremiste që ndjekin synime kundër kushtetutës.

“Ne po bëjmë gjithçka për të zhdukur dhunën e ekstremit të djathtë”, tha Ministrja e Brendshme Nancy Faeser në një deklaratë.

“Aktorët e të ashtuquajturës “e djathta e re” nuk përhapin asgjë tjetër përveç urrejtjes dhe diskriminimit ndaj atyre që mendojnë ndryshe, refugjatëve dhe njerëzve me prejardhje migrimi.”

Agjencia e spiunazhit tha se Alternativat e Reja donin një shoqëri sa më homogjene etnokulturore të ishte e mundur, i cilësonte migrantët me origjinë joevropiane si thelbësisht të pamundur për t’u integruar dhe paralajmëroi për shkatërrimin e “popujve evropianë të rritur organikisht”.

Në një postim të 22 marsit në Facebook, grupi tha: “Gjermanët janë tani në fund të hierarkisë së viktimave në shoqërinë tonë”.

Klasifikimi i ri mund të ketë ndikim në aftësinë e anëtarëve për t’u punësuar në sektorin publik ose për të marrë licenca për armë.

Alternativat e Reja thanë se nuk ishin të befasuar nga vendimi, duke thënë se agjencia e spiunazhit “thjesht po bënte punën e saj, e cila në thelb konsiston në shtypjen e opozitës”, duke shtuar se do të merrte hapa ligjorë kundër klasifikimit.

Partia u themelua në vitin 2013 si një parti kundër euros gjatë krizës së borxhit të eurozonës, por shpejt u zhvendos në të djathtë, duke përfituar nga zemërimi me politikën e dyerve të hapura të ish-kancelares Angela Merkel ndaj migrantëve në 2015 dhe mbi bllokimet pandemike.

Ajo është tani partia më e suksesshme e ekstremit të djathtë në Gjermani që nga Lufta e Dytë Botërore dhe aktualisht po qëndron vetëm disa pikë përqindje pas të Gjelbërve dhe Social Demokratëve në pushtet (SPD).

“Ne kemi parë që i gjithë diskutimi për tendencat e djathta ekstreme nuk e ka dëmtuar AfD-në,” tha Guellner. “Përkundrazi, kjo ka bërë që partia të kapërcejë të gjithë potencialin e djathtë radikal që ka mbetur në Gjermani që nga rënia e nacionalsocializmit.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button