Partitë s’duan t’u prishet “kulaçi” i pushtetit, ligji për drejtorë profesional me vite i bllokuar

Në pesë vitet e fundit, Azir Aliu është ministri i katërt i MSHIA-së, pas Damjan Mançevskit, Jeton Shaqiri dhe Admirim Alitit, prej të cilit pritet që të vazhdojë angazhimin për miratimin e ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës apo për emërimin e drejtorëve sipas kushteve profesionale dhe jo sipas përkatësisë partiake. Megjithatë, ky ligj vazhdon të jetë i bllokuar, ndërkaq Ministria nuk është transparente dhe nuk i përgjigjet pyetjeve që ia kemi dërguar. Ekspertët theksojnë nevojën e miratimit të këtij ligji, shkruan Portalb.mk.

Ekzekutivi i ka harruar premtimet për profesionalizim të krerëve të institucioneve, në vend të emërimit partiak. MSHIA-ja, me të cilën udhëheqë Azir Aliu nuk jep përgjigje për atë se ku ka ngecur procedura e miratimit të Ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqëse.

Partitë qeverisëse deri tani nuk kanë treguar vullnet për të miratuar këtë ligj, pasi që u prishet “kulaçi” i cili ndahet gjatë ndarjes së pushtetit. Këtë e konfirmoi në mënyrë të drejtëpërdrejtë edhe Admirim Alitit në tetor të vitit 2022, i cili në kohën kur ishte ministër tha se “pranimi dhe harmonizimi i ligjit me mendimin e të gjithë aktorëve politik shkon ngadalë pasi që partitë bëjnë rezistencë ndaj ligjit sepse, postet e larta udhëheqëse janë gjahu kryesor, të cilin partitë e fitojnë gjatë marrjes së pushtetit”.

Mu për këtë arsye, edhe sektori civil, në maj të vitit 2022 ka shprehur skepticizëm për miratimin e Ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës, pasi që ndër vite i njëjti është premtuar, por nuk është miratuar.

Çfarë do të rregullonte ligji?

A do të përmirësonte realisht diçka ky ligj në procedurën e ligjit të drejtorëve? Gjithsesi, thotë, Branka MinçevaKocevska, projekt koordinatore në Qendrën për Menaxhim me Ndryshime.

Branka Minçeva - Kocevska, projekt koordinatore në Qendrën për Menaxhim me Ndryshime, foto: ueb-faqja e Qendrës për Menaxhim me Ndryshime
Branka Minçeva – Kocevska, projekt koordinatore në Qendrën për Menaxhim me Ndryshime, foto: ueb-faqja e Qendrës për Menaxhim me Ndryshime

“Zgjidhjet ligjore aktuale, gjegjësisht dispozitat nga ligjet materiale individuale të cilët e rregullojnë emërimin e drejtorëve në çdo institucion publik përmbajnë vetëm kushte minimale të cilat kandidati duhet që t’i plotësojë që të bëhet drejtor. Rregullativi nuk cakton procedurë-meritore për seleksionim të kandidatit më të mirë për ndonjë pozicion të drejtorit, as kritere në bazë të të cilave do të rangoheshin kandidatët potencial në atë procedurë për seleksionim dhe zgjedhje, gjegjësisht emërim të kandidatit më përkatës. Praktika e deritanishme tregon se procedura përbëhet vetëm prej selektimit administrativ, gjegjësisht kontrollit nëse i plotëson kushtet minimale të caktuara me ligj”, thotë për Portalb.mk MinçevaKocevska.

Ajo thekson se, organizata që përfaqëson, Qendra për Menaxhim me Ndryshim, ka publikuar një raport nga vëzhgimi dhe analiza e strukturave udhëheqëse të institucioneve nga sektori publik, ku, mes tjerash, i ka analizuar gjendjet në lidhje me emërimin e drejtorëve si ushtrues detyre (u.d.).

“Hulumtimi tregon se rreth 40% e drejtorëve emërohen si ushtrues detyre, që mund të tregojë faktin se një pjesë e këtyre personave nuk i plotësojnë as kushtet minimale për zgjedhje dhe, gjegjësisht emërim të drejtorit, të cilat parashikohen me ligj. Emërimi i u.d. drejtorëve nuk nënkupton as seleksionim administrativ, por thjeshtë emërim të ndonjë personi, veçmas duke e pasur parasysh se një pjesë e këtyre personave vazhdimisht emërohen si u.d. drejtorë edhe pas skadimit të afatit të caktuar i cili mund të shfrytëzohet instrumenti u.d., e ai është afati në kohëzgjatje prej 6 muajsh”, sqaron Minçeva Kocevska.

Sipas saj, ,miratimi i Ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës do të ishte një hap i rëndësishëm në drejtim të rregullimit të procedurës për zgjedhje dhe emërim të personave udhëheqës të institucioneve të sektorit publik.

“Ligji parashikon procedurë meritore për zgjedhje dhe emërim të drejtorëve, që do të thotë se në ligj janë të rregulluara kushtet, kriteret dhe procedura për zgjedhjen e kandidatit më përkatës për atë pozicion, si një prej hapave kyçe për profesionalizim të administratës dhe udhëheqjes së mirë.

Ligji ka ngecur në ENER

Pavarësisht nevojës dhe thirrjeve të ekspertëve për miratimin e këtij ligji sa më shpejtë që të jetë e mundur, prej 1 tetorit të vitit 2022, në ENER ka njoftim për fillimin e procesit të përgatitjes së propozim-ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës. Afati kohor i përgatitjes së ligjit ka qenë deri më 1 maj të vitit 2022 dhe i njëjti është shkelur.

“Ligji tanimë një kohë është në ENER. Ai, gjithashtu është pjesë e prioriteteve të cilat janë të theksuara në Strategjinë për Reforma në Administratë 2018-2022. Megjithatë, për fat të keq, ende nuk ekziston asnjë lëvizje në drejtim të miratimit, përveç angazhimeve deklarative të personave udhëheqës të MSHIA-së”, thotë Minçeva –  Kocevska.

Deri tani në ENER janë publikuar disa versione të korrigjuara të propozim-ligjit fillestar të 15 shkurtit të vitit 2019-të. Versioni i fundit është publikuar më 17 shtator 2021, megjithatë, ende nuk dihet nëse ky version do të jetë final ose do të pësojë ndryshime.

Në përshkrimin e problemit që duhet ta zgjidh ky ligj thuhet se “në legjislacionin në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk ka dallim të qartë ndërmjet nivelit politik dhe atij profesional, përkatësisht fushëveprimi i shërbimit të lartë udhëheqës nuk është i përcaktuar qartë”.

“Kushtet e përgjithshme për emërimin dhe shkarkimin e personave tani rregullohen me ligje të veçanta materiale për fusha të veçanta të sektorit publik. Këto ligje përmbajnë rregullim të pamjaftueshëm (zakonisht vetëm dispozita për publikimin e një njoftimi publik dhe kushte të përgjithshme), dhe jo dispozita për kriteret, procedurën e përzgjedhjes dhe përzgjedhjes së kandidatëve për poste drejtuese. Është evidente se nuk ka rregulla të qarta për emërimin dhe shkarkimin e drejtorëve dhe sekretarëve dhe nuk ka konkurs të hapur për numrin më të madh të këtyre pozicioneve, gjë që cenon parimin e meritës”, thuhet më tej në përshkrimin e propozim-ligjit.

Në sekcionin ku shkruhet për synimin e ligjit, thuhet se synimi kryesor i krijimit të Shërbimit të Lartë Udhëheqës është ndarja e nivelit politik nga ai profesional, përcaktimi i linjave të llogaridhënies së drejtuesve të lartë, gjë që do të çojë në përmirësimin e shërbimeve publike dhe forcimin e mirëqeverisjes si parim imanent i funksionimit në administratën publike.

Propozim-ligji parashikon që të formohet një Komision i cili do t’i zgjedhë kandidatët për institucionet e caktuara sipas sistemit të meritokracisë dhe më pas të formojë listë të shkurtër me emrat e kandidatëve më të mirë, të cilët më pas do të intervistohen nga ministri i resorit përkatës.

Miratimi i këtij ligji është pjesë e reformave në administratë, të cilat, përveç që janë të nevojshme për qytetarët, ata janë edhe kusht për integrimin e vendit në BEMinistria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) është bartësi i procesit reformues, gjegjësisht ajo ka hartuar Strategji për Reformën e Administratës Publike 2018–2022 e cila i përcakton masat të cilat duhen të ndërmerren në pesë vite për të arritur qëllimet e përgjithshme dhe specifike të përcaktuara në secilën prej fushave prioritare. Në ndërkohë, po përgatitet edhe Strategjia për Reformën e Administratës Publike 2022-2030 e cila u paralajmërua se do të miratohet gjatë janarit të vitit 2023, megjithatë ende s’është miratuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button