Gjimnazit të Tetovës rrezikon t’i ndalet rryma, drejtoresha: Komuna nuk i lëshon bllok dotacionet, komuna hesht

Gjimnazit i Tetovës “Kirili Pejçinoviq” rrezikon që të mbetet pa rrymë elektrike për shkak se i njëjti nuk i ka paguar detyrimet ndaj kompanisë e cila ka tenderin e rrymës. Drejtoresha e gjimnazit, Teuta Llalla thekson se kjo kompani e ka paralajmëruar shkollën se nëse nuk e shlyejnë borxhin deri më 4 maj, do të ndërpresin rrymën. Arsyeja sipas Llallës për këtë mospagesë është se Komuna e Tetovës nuk ua ka lëshuar bllok dotacionet. Heshtin nga Komuna e Tetovës, shkruan Portalb.mk.

Drejtoresha e gjimnazit nënvizoi se kompania i ka paralajmëruar se nëse deri me 4 maj nuk i bëjnë pagesat, do të ndërpresin kontratën që kanë me këtë shkollë. Kjo situatë sipas saj ka ardhur pasi Komuna e Tetovës nuk ia ka lëshuar bllok dotacionet kësaj shkolle.

Teuta Lalla
Teuta Llalla, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (arkiv)

“Ky është një problem shumë serioz, gjimnazit i bllokohen bllok dotacionet, nga ana e ministrisë janë lëshuar bllok dotacionet, janë në komunë, komuna nuk i destion në gjimnazin e Tetovës. (Kompania) Na ka paralajmëruar se deri me 4 maj në qoftë se nuk bëhen pagesat do të ndërpresin kontratën që kanë me ne. Kjo është procedurë tenderike dhe zgjat më shumë. Nuk është  një kyçje – shkyçje e amvisërive të thjeshta. Në qoftë se ndërpritet kontrata, problemet do të jenë shumë më të mëdha, shumë më afat-gjate. Në ndërkohë na është akumuluar borxh shumë i madh prej kamatave të operatorëve që punojnë me gjimnazin e Tetovës”, tha Lalla për Portalb.mk.

Ajo mes tjerash theksoi se probleme nuk do të kenë vetëm me rrymën por do të kenë me të gjithë operatorët me të cilët kemi bashkëpunim, duke filluar nga rryma, transporti, ndërmarrja publike e higjienës,  probleme të brendshme që do t’ju paraqiten, interneti, mjetet higjienike të brendshme.

“Të gjitha këto do të na paraqiten si pasojë e mungesës së bllok dotacioneve që komuna nuk i destion në gjimnazin e Tetovës, mjetet që janë të parapara për gjimnazin”, tha Lalla.

E pyetur për atë nëse ka kërkuar nga Komuna apo kryetari i komunës sqarim, ajo tha se ka bërë të njëjtën por pa marrë përgjigje.

“Fatkeqësisht nuk pranon kurrfarë komunikimi. Dy herë me shkresë zyrtare i kam informuar, edhe kryetarit të komunës edhe kryetarit të këshillit ia kam dërguar shkresat zyrtare. Me tjerët që flas, ata ngurojnë të flasin”, tha Lalla.

Kontaktuam Sektorin për Veprimtari Publike në Komunën e Tetovës, por ato na drejtuan te zyra e Marrëdhënieve me Publikun, nga ku deri në publikimin e këtij shkrimi nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.

Kompania e cila e ka tenderin për rrymën në gjimnazin “Kirili Pejçinoviq”, e kontaktuar nga Portalb.mk për të parë si është situata nga ana e tyre, deri në publikimin e këtij teksti nuk u përgjigj në pyetjet gazetareske.

U drejtuam edhe në Ministri të Arsimit dhe Shkencës për këtë problematikë dhe nëse do të ndërmarrin ata ndonjë veprim në këtë drejtim. Ministria thotë se është e njoftuar me problemin.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës është njoftuar me shkresë nga shkolla se po përballet me probleme gjatë shfrytëzimit të mjeteve nga bllok dotacionet dhe ne si Ministri kemi përgatitur përgjigje për shkresën drejtuar shkollës ku theksojmë se Ministria shpërndan bllok dotacione për komuna dhe jo për shkolla. Për shfrytëzimin e mjeteve nga bllok dotacionet, komunat i dorëzojnë planet financiare Ministrisë së Financave, e cila sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale është kompetente për kontrollin e punëve materiale dhe financiare të komunave”, thanë nga MASh për Portalb.mk.

Kujtojmë që kjo nuk është hera e parë që drejtoresha e gjimnazit “Kirili Pejçinoviq” dhe Komuna e Tetovës kanë mosmarrëveshje. Llalla vitin e kaluar u shkarkua nga pozicioni i drejtoreshës nga ana e Komunës së Tetovës. Shkarkimi i drejtoreshës së Gjimnazit të Tetovës “Kiril Pejçinoviq” Teuta Lalla sipas Inspektoratit Shtetëror të Arsimit (ISHA) është bërë në kundërshtim me ligjin. Më pas Ministria e Arsimit ia mori kompetencat kryetarit të Komunës për shkarkimin dhe emërimin e drejtorit në këtë gjimnaz, me çka Lalla u rikthye në punë si drejtoreshë e kësaj shkolle.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button