Këshilltari i PDSH-së Gostivar mbështet iniciativën e Ziadin Selës

Këshilltari komunal nga radhët e PDSH-së në Gostivar, Mujdin Bilalli, njëkohësisht edhe ish anëtar i kryesisë qëndrore të PDSH-së, ka dalë përkrahë Ziadin Selës duke mbështetur iniciativën e tij për reformim të PDSH-së.

Bilalli në takimin e djeshëm që Sela pati me strukturat e nëndegës së PDSH-së në Çegran, ishte edhe udhëheqësi i këtij takimi, ai në një prononcim për portalin Drini.mk, theksoi se ka mbështetje të pa rezervë ndaj iniciativës për reformim të PDSH-së dhe se shpreson se tashmë ka ardhur koha që kjo parti dhe antarësia e saj të shënojnë fitoren e madhe të shumëpritur në Maqedoni.

-Ideja për reformim të PDSH-së ka qenë e kahmotshme, humbja e vazhdueshme e zgjedhjeve na ka shtyrë të mendojmë se diçka duhet ndryshuar. Ne në Gostivar e kemi menduar këtë lëvizje edhe më herët megjithatë rrezultatet që kemi pësuar jo për fajin tonë, por për shkak të atyre personave që na i kanë imponuar në parti, na ka bërë të pamundur që të reagojmë. Herën e fundit, shprehëm kundërshti ndaj urdhërave që vinin nga lartë dhe menjëherë u shkarkuam nga pozicionet partiake. Ziadin Sela i dha fitoren e madhe PDSH-së në Strugë duke realizuar një kthesë të rëndësishme për këtë parti. Tash me këtë iniciativë kemi besim se fitoret do të vijnë edhe në vendbanimet e tjera. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me antarë dhe simpatizantë të PDSH-së por edhe me njerëz të tjerë të cilët duan që të ndryshojë ky sistem qeverisës në Maqedoni, puna dhe veprimet tona do të intensifikohen në vazhdim dhe fitorja e madhe e PDSH-së do të vijë, tha Mujdin Bilalli.

Këshilltari i PDSH-së në Komunën e Gostivarit, Mujdin Bilalli është përfaqësuesi i parë i PDSH-së jashtë Strugës i cili publikisht ka shprehur mbështetjen ndaj iniciativës së Selës për reformim të PDSH-së.

Ziadin Sela dje realizoi takimin e tij të parë në kuadër të iniciativës për reformimin e PDSH-së, duke zhvilluar një takim me strukturat drejtuese të kësaj partije në fshatin Çegran të Gostivarit, ai theksoi se vizita të ngjajshme do të vijojnë edhe në vendbanimet e tjera ditët në vijim./Drini/

Lajme të ngjashme

Back to top button