PËR ARNAUTËT

Kështu titullohet libri i oficerit të xhandarmerisë së mbretërisë serbe Aleksa Bogosavljeviqit, i botuar në Nish më 1879, që bën fjalë për Arnautët (Shqiptarët), traditat dhe karakterin e tyre. Nëpërmjet këtij libri autori synon njohjen e Arnautëve nga ana e Serbëve dhe afrimin me ta, por të vërtetën e kësaj “dashamirësie” të përhershmë të Serbëve ndaj nesh, autori e shpërfaq në moton e shprehur me vargjet:

Nema Srbu boljeg puta                             S’ka për Serbin udhë më t’mirë

Pa da k lepšoj sreći pođe                          Që t’nis udh’n e  bukur t’fatit

Neg’ zagrlit’ Arnauta                               Se t’përqafojë Arnautin

Te da k’cilju svome dođe                         Për t’arrit cakun e tij

Bogosavljeviqi, që pati rastin t’i njohë shqiptarët nga afër, ishte i bindur se gjithë të ligat që u kishin ardhur Serbëve nga Arnautët, kishin ndodhur për shkak të mosnjohjes së tyre. Sipas autorit, Arnautët paskan uzurpuar tokat serbe pas shpërnguljes së këtyre të fundit në vitin 1690, ndaj duhej gjetur mënyra e përshtatshme e veprimit për të kthyer të humburën.

Ajo që tërheq vëmendjen gjatë leximit të këtij libërthi janë të vërtetat që sjell autori lidhur me sinoret dhe vendbanimet shqiptare (qytetet, malet, fushat, detet, liqenet, lumenjtë e tyre), dëbimet, shpërnguljet dhe enklavat shqiptare në të katër anët e botës,  fiset e mëdha shqiptare, shkathtësitë luftarake të shqiptarëve, heronjtë shqiptarë dhe shumë informata të tjera që demaskojnë gjithanshëm gënjeshtrat serbe nëpërmjet të cilave kanë zgjeruar sa kanë mundur kufijtë e Serbisë dhe kanë tkurrur pamëshirshëm  trojet e të tjerëve, veçmas ato të shqiptarëve.

Megjithatë, unë po ndalem në joshjet djallëzore, në grackat e të cilava kemi rënë prej kohësh dhe vazhdojmë të biem më zi se kushdo tjetër edhe aktualisht. Shi për këtë, po i sjell të përkthyera disa prej tyre për të kuptuar lehtësinë e papërballueshme me të cilën na e bëjnë mendjen dhallë madje edhe xhandarët e tjetrit, sa herë që s’e bëjmë hesap amanetin e urtarëve: Besnik bëhu e besë mos zë!

Të shkojmë me rradhë:

– Ne (Serbët) me shumë Arnautë jemi fis për nga gjaku dhe vëllezër për nga vuajtja, veçmas me Drenicakët, Rugovasit, Lumjanët, Shkodranët, Dibranët, Malësorët dhe me shumë të tjerë.

– Mënyra më e mirë për t’u lidhur me Arnautët është përgatitja e disa të rinjëve, që do ta studiojnë gjuhën, jetën dhe zakonet e tyre. Ata duhet patjetër ta kuptojnë se do t’i shërbejnë vetëm idesë për të cilën janë përcaktuar. Ata duhet të jenë njëqind përqind Serbë.  

– Marrëveshja dhe afrimi me Arnautët është i domosdoshëm. Me ta në krah ne do të luftojmë me sukses armiqtë tanë të shumtë. Arnautët sigurisht do të vdisnin njëri pas tjetrit për ne. Prandaj mos të hidhërohemi, nëse vazhdojmë me mosafrimin e tyre dhe lejimin e Arnautëve për t’u bërë armë në duart e gjakpirësve tanë të dëshmuar. Pra, koha është që gjithë kjo të përmirësohet për të filluar puna e ndërtimit të Idesë së madhe serbe.

– Arnautët dinë shumë pak për historinë e tyre. Madje edhe ata nga Kruja e Lezha dinë shumë pak gjëra për heroin e tyre Skënderbeun.

– Sipas traditave tona dhe të drejtave historike, ne gëzojmë të drejtën mbi pronat e Serbisë dhe Maqedonisë së Vjetër, dhe veçanërisht mbi pjesët e banuara më Arnautë, pa të cilat nuk mund të mendohet Serbia e Madhe. Por nuk dihet, a do t’na prisnin Arnautët si miq, nëse e kuptojnë se ne jemi popull, që ka të drejtën e kthimit në viset në të cilat tani jetojnë ata.

– Arnautët, si gjithë bashibozukët tjerë, nisen në luftë zakonisht në turma prej disa qindra njerëzish. Në krye të turmave/çetave të tilla është “bajraktari”, i cili zgjedhet nga mesi i njerëzve më trima. Arnautët bërtasin shumë në luftë. Ata gjuajnë shumë shpesh me armë dhe harxhojnë shumë municion. Ata përpiqen që me britma ta frikësojnë dhe shastisin armikun.

– Kur e fitojnë luftën Arnautët nuk zënë rob askënd, as i marrin me vete armiqtë e plagosur. Pas tyre asnjë i plagosur nuk mbetet gjallë. Ata luftojnë në plotëkuptimin e fjalës, pa u lodhur me “Konventën e Gjenevës” dhe shoqërinë e kryqit të kuq. Pasi e fitojnë luftën ata nisin plaçkitjen, por ata plaçkisin edhe gjatë betejës. Këtë e kanë në gjak. Por, kur Arnautët munden, atëherë nuk dinë të veprojnë ndryshe pos të marrin arratinë në të gjitha anët, përnjëherë dhe në një rrëmujë të madhe. Megjithatë, kurdo që Arnautët luftojnë për vete, ata mund t’í mposhtë vetëm një ushtri gjakftohtë dhe e trajnuar, e cila posedon artileri të rëndë.

– Arnauti nuk është kurfarë punëtori. Ai nuk do të lërojë dhe mihë tokën. Më me qejf merret me blegëtori.

– Arnautët janë përgjithësisht kolerik për nga temperamenti. Sa çel e mbyll sytë, kalon nga ekstremi në ekstrem, nga një gjendje në tjetrën dhe këtu kuptohet niveli shumë i ultë i shkollimit të tyre.

– Arnautët hidhërohen shpejt dhe vriten edhe për fyerje rastësore.

– Arnautët janë shumë mikpritës. Gjersa miku është në shtëpinë e tyre, ruajna Zot, nëse kushdoqoftë i bën një të keqe.

– Arnautët janë shumë besnikë. Ata më parë pranojnë të vdesin sesa të shkelin besën e dhënë.

– Kur ia japin besën Serbit e mbajnë atë më shenjtërisht. Po jua rrëfej vetëm një rast të tillë: Duke u kthyer nga tregu i Prishtinës zihën Serbët dhe Arnautët në rrugë. Një Serb vret një Arnaut dhe ik në fshatin e afërt, ku një Arnaut e pranon në besë dhe e strehon në shtëpinë e tij. Posa e kuptson se ku gjendet Serbi, kushëriri i të vrarit shkoi të hakmerret, por nikoqiri e vrau dhe ra në gjak. Pas kësaj u vranë ndërmjet tyre edhe disa Arnautë për shkakun e një Serbi, i cili një natë iku i lumtur në Serbi.

– Flitet se në kohëra të lashta në Novo Bërdë është gërmuar ari dhe argjendi, se aty është bërë dhe farkimi i parave serbe, gjer në vitin 1454, kur Turqit e morrën Novo Bërdën dhe i robëruan minatorët.

– Kosova ka rëndësi historike jo vetëm për Serbët, por edhe për Hungarezët. Ata kanë bërë aty beteja vendimtare me Turqit, sepse e dinin se në pjesën perëndimore të Ballkanit mund të qeverisë vetëm ai popull që zotëron Fushë Kosovën, rëndësia botërore dhe historike e së cilës nuk mbiu rastësisht, por si një pasojë e domosdoshme e pozitës gjeografike, që në Evropë haset shumë rrallë. Ndaj, njësoj siç ka qenë dikur, ashtu do të jetë edhe në të ardhmen, sepse vetëm ai që do ta pushtojë dhe do t’i mbajë gjatë nën sundim Bosnjën, Serbinë e Vjetër, Shqipërinë dhe Maqedoninë, do të jetë zotërues i Fushë Kosovës…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button