Nesër mblidhet KQZ-ja, diskutohet për zgjedhjet në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nesër do të mbajë një mbledhje kur në rend të ditës është planifikuar që nga anëtarët të shqyrtohen dhe miratohen disa çështje në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të 23 prillit që pritet të mbahen në veri të vendit.

Kjo është konfirmuar për KALLXO.com nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se mbledhja është planifikuar të fillojë nga ora 13:30.

Pika e parë e rendit të ditës në këtë mbledhje është thënë se do të jetë shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për rritjen e numrit të votuesve për vendvotime për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e komunës së Zveçanit dhe Leposaviqit.

Pika e dytë është thënë se do të jetë shqyrtimi dhe miratimit i qendrave të votimit në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Në rend të ditës do të jetë edhe shqyrtimi dhe miratimi i numrit të fletëvotimeve që shtypen për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në këto katër komuna, e po ashtu edhe numri i fletëvotimeve dhe broshurave që do të shtypen për zgjedhjet e parakohshme për kuvende në komunën e Zveçanit dhe të Leposaviqit.

Anëtarët e KQZ-së po ashtu do të shqyrtojnë dhe miratojnë propozimet e KVV-të për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri.

Po ashtu do të bëhet edhe shqyrtimi dhe miratimi i analizës së bazës së shënimeve të departamentit të pensioneve, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Në anën tjetër, nga Këshilli Mbikëqyrës për Informim Publik është thënë se do t ë bëhet shqyrtimi dhe miratimi i logos dhe dizajnit të produkteve të IP për këto zgjedhje.

Kujtojmë që përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës janë takuar sot në Rashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim ku po merr pjesë edhe kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq.

Vuçiq në këtë takim ka thënë se kryeministrit i Kosovës, Albin Kurti përmes zgjedhjeve po mundohet ta pengojë formimin e Asociacionit, raporton RTS.

“Kurti insiston që zgjedhjet të mbahen në veri të Republikës së Kosovës në mënyrë që kryetarët e komunave, në të cilat, partia e Kurtit (LVV) dhe Thaçit (PDK), të marrin pjesë dhe pastaj thonë se ato komuna në veri nuk duan të jenë pjesë e Asociacionit të Komunave Serbe” – raportohet të ketë thënë thënë Vuçiq.

Zgjedhjet janë caktuar të mbahen më 23 prill, pas shtyrjes së tyre në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Lista Serbe, si partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e ka rikonfirmuar më 20 mars se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe do ta mbajë këtë qëndrim derisa t’i përmbushen dy kërkesa: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqja e të gjitha njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale do të organizohen në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – pas dorëheqjeve të kryetarëve të tyre, në nëntor të vitit të kaluar.

Dorëheqjet e tyre, si dhe dorëheqjet kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, kanë qenë shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Prej vitit 2013, kur është formuar kjo parti, ajo ka marrë mbi 90 për qind të votave nga komuniteti serb në pothuajse të gjitha zgjedhjet e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button