Vlera e paqes në Islam

Të flasësh për Islamin vërtet kërkohet përgatitje, njohje dhe maturi e theksuar nga secili që merr guximin të shprehet diçka lidhur me të, duke u
nisur nga vetë fakti se Islami është fe hyjnore e zbritur te gjinia njerëzore.

Mënyra më e mirë për ta kuptuar një fe është studimi i burimit të saj. Burimi hyjnor i Islamit është Kurani, që mbështet konceptet e moralit, dashurisë, mëshirës, përkushtimit, sakrificës, tolerancës dhe paqes.
Historia e Islamit, që nga zanafilla, është e pacenueshme dhe e pakrahasueshme, e sidomos në çështjen e paqes. Islami është fe e paqes, ngase nga paqja (Zoti) e ka zbritur, me paqe është zbritur, dhe për paqen komunikohet brenda dhe jashtë çdo komuniteti dhe shoqërie.

Si të mos jetë fe e paqes kur edhe emrin e ka Feja e Paqes. Sigurisht se këtu nuk ka asgjë të rastësishme mes emrit dhe përmbajtjes, me qëllimin e dhurimit të një jete paqësore nëpërmjet të cilës në tokë të pasqyrohet mëshira dhe bamirësia e pafund e Zotit. Zoti i urdhëron të gjithë njerëzit në moralin islam, nëpërmjet të cilit mëshira, bamirësia, paqja dhe toleranca mund të bëhen pjesë e jetës në të gjithë botën.
Në Kuran Zoti u drejtohet besimtarëve: “O ju që besuat, hyni në islam tërësisht (paqe), e mos ndiqni rrugën e djallit, sepse ai është armiku juaj i hapët!” (El Bekare, 208)
Nga ajeti në fjalë qartësohet se siguria mund të vendoset vetëm përmes “hyrjes në Islam”, d.m.th. përmes të jetuarit me vlerat e Kuranit. Vlerat e Kuranit myslimanët i bëjnë të përgjegjshëm për t’i trajtuar të gjithë njerëzit, myslimanë ose jo, me mirësjellje e drejtësi, për të mbrojtur nevojtarët dhe të pafajshmit, dhe për të parandaluar përhapjen e mizorisë. Mizoria përfshinë të gjitha format e anarkisë dhe terrorit që godasin sigurinë, qetësinë dhe paqen.

Zoti në Kuran thotë: ” … e Allahu nuk e do çrregullimin (fesadin)”. (El Bekare, 205)
Disa njerëz, pa vetëdije dhe pa njohuri të vërtetë, bëjnë lidhshmëri ndërmjet Islamit dhe dhunës, duke e mbështetur idenë dashakeqe se dhuna është nga bazamentet e Islamit. Sikur kjo dukuri është monopol i një populli, ose i një kombi, duke përjashtuar popujt dhe kombet e tjera. Ose sikur të ishte dhuna dukuri trashëguese që ngjitet me konfiguracion biologjik për arabët dhe myslimanët.

Islami nuk e pranon dhunën

Shumë ajete kuranore flasin që myslimanët të jetojnë me të gjithë në paqe. Allahu xh.sh. na thotë në Kuranin famëlartë: “O ju njerëz”, d.m.th. pa dallim feje, gjuhe, kombi, pa dallim vendi ku jeton apo pozite gjeografike, ” … ju kemi krijuar nga një mashkull dhe nga një femër, dhe ju kemi bërë popuj e fise, që ju të njiheni në mes vete … ” (El Huxhuratë, 13), e që do të thotë se parim i Islamit është njohja në mes vete, që të jetojmë bashkërisht dhe të krijojmë mundësi që të gjithë të jetojnë në një mirëqenie të përgjithshme. Islami nuk ka asgjë me dhunën, terrorizmin, dhe krimin. Ai i lufton të gjitha këto të liga dhe të këqija. Në Kuran thuhet: ” … kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pas mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pas bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur të gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë), është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit…” (El Maide, 32)

Prandaj, Islami është kundër dhunës, kundër krimit, kundër të gjitha akteve kriminale që ndodhin te të gjitha shoqëritë njerëzore, pavarësisht se ku ndodhin. Të gjitha këto akte që sot ndoshta diku po bëhen në emër të Islamit, dhe nga ato akte po vdesin njerëz të pafajshëm, assesi nuk kanë të bëjnë me Islamin, por janë kundër vlerave reale të Islamit. Është gabim tepër i madh dhe është qëllim i keq kur shumë qarqe nga Perëndimi mundohen ta identifikojnë Islamin si diçka të përbashkët me terrorizmin. Nëse i kthehemi të kaluarës së shoqërisë njerëzore, do të shohim se kemi pasur gjendje të tilla që kanë qenë të krijuara nga shoqëri të ndryshme njerëzore, qofshin ato shoqëri ortodokse, katolike apo të besimeve tjera, e që kanë vepruar dhe kanë bërë akte terroriste të dhimbshme nëpër botë, kanë bërë gjenocid e etnocid mbi popuj të ndryshëm, mirëpo kjo nuk do të thotë se ato kanë kryer misionin e feve që ata i përkasin. Nuk po përmend, në këtë rast, shembuj të tillë, edhe pse historia na mëson se çfarë ka ndodhur nëpër shoqëri të ndryshme njerëzore. Andaj, edhe sot, kryerja e këtyre akteve në emër të Islamit është e pavend dhe është shumë gabim e klasifikuar si nga Islami. Aktet terroriste Islamit ia veshin vetëm ata që nuk e njohin Islamin, sepse ai thërret në paqe, në tolerancë, bashkëjetesë, në respekt të njëri-tjetrit, sepse kështu na mëson edhe Kurani por edhe thëniet e Muhamedit a.s.

Burimi: Islamgjakova.net

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button