Mosfunksionimi i institucioneve në Maqedoninë e Veriut pamundësoi sekuestrimin e ndërtimeve pa leje

Ndërtimi i objekteve pa leje në tokë shtetërore paraqet problem madhor për të gjitha komunat e Maqedonisë së Veriut. Për ta zgjidhur këtë problem kryetari i komunës qendër në Shkup, Goran Gerasimvski, ka iniciuar ndryshimin e Ligjit për veprim me objektet e ndërtuara pa leje dhe Ligjit për konfiskim, në mënyrë që të lehtësohen procedurat për sekuestrimin e objekteve pa leje të ndërtuara në tokë shtetërore.

Këtë iniciativë ai tashmë e ka dorëzuar në Bashkësinë e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale pasi, sipas tij, ky problem i prekë të gjitha komunat e vendit.

“Ballafaqohemi me problem serioz, me një numër të caktuar të ndërtimeve pa leje në tokë shtetërore në brezin e gjelbër edhe pse është vepruar plotësisht nga ana jonë si Komunë. Janë vënë shirita të verdhë, janë shkruar dënime për heqjen dhe rrënimin e objektit të ndërtuar në të egër (pa leje). Do të duhet të shfrytëzojmë mjete të konsiderueshme financiare nga arka e komunës për largimin e tyre”, tha Gerasimovski për Radion Evropa e Lirë.

Ai tha se këtë iniciativë do t’ia prezantojë ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, dhe atij të Drejtësisë, Krenar Lloga.

Por, arkitektët thonë se sekuestrimi i objekteve pa leje mundësohet edhe përmes ligjeve ekzistuese që e rregullojnë këtë problematikë.

Danica Pavlovska-Cigi, arkitekte, thekson se mossekuestrimi i objekteve të ndërtuara pa leje qëndron te jetësimi i ligjeve që rregullojnë këtë problematikë.

“Kjo tregon për paaftësinë e institucioneve të shtetit për të vepruar, madje dhe pushtetit vendor që duhet të përballet me këtë problem që ka të bëjë me ndërtimet e egra”, thotë ajo.

Edhe Kodi Penal parasheh dënime për investitorët që ndërtojnë pa leje.

“Kushdo që ndërton ose kryen ndërtime ose mbikëqyrë ndërtime në tokën e tij ose të dikujt tjetër pa leje ndërtimi, ose në kundërshtim me lejen e ndërtimit të lëshuar nga organi kompetent, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet. Pasuria e paluajtshme e ndërtuar konfiskohet”, thuhet në nenin 244-a të Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut.

Mirëpo, Gerasimovski thotë se procedurat gjyqësore të cilat zgjasin me vite, pamundësojnë veprimin e organeve kompetente për t’i rrënuar këto objekte. Prandaj, ai kërkon zgjidhje pragmatike për komunën dhe qytetarët rreth problemit me objektet e ndërtuara pa leje.

“Në të kaluarën ka pasur edhe nen në ligj, i cili jepte ingerenca që vetë inspektorët e ndërtimtarisë në komuna (ligji i vitit 2009, që është hequr) të kenë mundësi për sekuestrim. Përmes këtij ligji, përmes këtyre ndryshimeve, në pjesën e këtyre dy ligjeve, ne japim propozim dhe mundësi që përmes Agjencisë për Pronë të Konfiskuar të njëjtat t’i konfiskojë dhe t’ua japë në zotërim ose shtetit ose komunave”, thekson Gerasimov.

Asnjë institucion në Maqedoninë Veriut nuk ka dalë me të dhëna lidhur me numrin e saktë të objekteve të ndërtuara pa leje.

Por, gjatë vitit të kaluar ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski, duke paralajmëruar Ligjin e ri për legalizimin e objekteve të egra, bëri të ditur se mbi 140 mijë ndërtime pa leje presin të legalizohen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button