Shprehje infektuese

Ernesto Sabato në librin Heterodoksia  veçon shprehje prej të cilave shkrimtarët duhet të ikin si nga murtaja. Në analogji, mund të veçojmë shprehje nga diskursi publik tek ne dhe në rajon, prej të cilave duhet ikur si nga kjo sëmundje e tmerrshme. Ja disa shprehje nga një varg shumë i gjatë.

“Gjeniu i politikës”.

Kështu flasin të verbuarit nga një ideologji ose karrieristët që s’e dinë domethënien e fjalës “gjeni”.

“Lideri që e shpreh vullnetin e shenjtë të popullit”.

Fjala “e shenjtë” është e rrezikshme në gojën e politikanëve ose kur përdoret për politikanët. Zakonisht, me këtë fjalë shërbehen ata që u lëpihen liderëve.

“Popullit i duhet lideri…” .

Me kësi servilizmash krijohet kulti i personalitetit.

“Krenohuni me politikanin…”

Janë parulla për ta manipuluar turmën. Një hyrje në krijimin e kultit të Udhëheqësit. Ka shumë politikanë me të cilët nuk krenohet brezi i ri edhe pse atyre u besuan me verbëri brezat e kaluar. Duhet të krenohemi me arritjet e kombit. Kombi nuk është një njeri.

“Zoti na dërgoi politikanin…”.

Kjo është hyrje në autoritarizëm, totalitarizëm, diktaturë. Shoqëria që krijon kulte personalitetesh ka probleme me konceptin mbi lirinë. Zoti dërgoi profetë dhe jo politikanë. Loja politike është mëkatare. Duhet dyshuar te çdo politikan. Vetëdija kritike e mbron një shoqëri nga mashtrimi dhe robëria.

“Lider i gjithë kombit”.

Vetëm diktatori “e përfaqëson” gjithë kombin. Një komb është i manipuluar dhe i robëruar kur i beson verbërisht vetëm një lideri. Pa pluralizëm nuk ka as demokraci dhe as liri. Në demokraci ka shumë liderë dhe ideologji partiake.

“Lider i vërtetë”.

Sipas psikanalistëve liderët e vërtetë janë monstra.

“Burrështetas i madh”.

Cilët janë burrat e vegjël të shtetit?

“Lideri vizionar“.

 Cili udhëtoi në kohë dhe e vërtetoi se një lider është vizionar?

“Ngjarje historike”.

Cili udhëtoi në kohë dhe e vërtetoi se ngjarja ishte historike?

“Politikan i popullit të sakrificës, guximit, urtësisë, mençurisë”.

Në mesin e secilit popull ka pasur dhe do të ketë dezertorë, mashtrues, frikacakë dhe të marrë.

“Misionar i çështjes kombëtare”.

Kur përmendet fjala “misionar” gjërat duhen marr me rezervë dhe me trishtim. Bëhet i padurueshëm një vend ku secili thirret në emër të kombit. Kush punon për kombin nuk e ekspozon plagën e moçme. As nuk i thur këngë vetvetes.

“Veprimtar i lavdive të së kaluarës”.

Me lavditë e moçme merret historia, por ato s’i hyjnë në punë politikës. Historia na mëson se shumë veprimtarë u shpërfytyruan dhe ngjasuan me kundërshtarët e dikurshëm.

“Lideri i fitoreve kombëtare”.

Një lider partiak punon për triumfet partiake. Vetëm diktatorët identifikohen me gjithë kombin.

“Skënderbeu modern”.

Me këtë epitet shprehet verbëri ideologjike ose servilitet. Zakonisht servilitet.

“Nderi i kombit”.

Me çfarë kriteresh ndahen kësi epitetesh për politikanët e gjallë, që ende kanë kohë të bëhen turpi ose tmerri i kombit?

“Qëllime të shenjta kombëtare”.

Kujt i është dhënë e drejta që t’i përcaktojë qëllimet e shenjta të një kombi?

“Për një komb të bashkuar”.

Një “komb i bashkuar” rreth një udhëheqësi ose ideologjie e përjashton pluralitetin. Përjashtimi i pluralitetit është robëri.

“Përherë jemi fitimtarë”.

Aty ku fitoren e shijon vetëm njëra palë, demokracia dhe liria janë farsë. Përse do na duheshin partitë e opozitës?

“Ju sigurojmë të ardhme të ndritur”.

Ata që e premtojnë të ardhmen e ndritur, si zakonisht, e nxijnë të sotmen. Politikanët mashtrojnë duke u thirrur ose në të kaluarën ose në të ardhmen e ndritur.

Le t’i kursejmë epitetet dhe hiperbolat. Le të flasin punët. Le të ikim prej tyre si nga murtaja.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button