RMV, Ministria e Drejtësisë nesër do të shpallë përbërjen e grupit të punës për ndryshimet kushtetuese

Ministria e Drejtësisë do të shpallë nesër përbërjen e grupit të punës për ndryshimet kushtetuese. Afati i dhënë nga Ministria e Drejtësisë institucioneve dhe partive politike në shkresën për emërimin e përfaqësuesit të tyre në grupin e punës skadon në mesnatë. Nga Ministria e Drejtësisë thonë se nuk do të shpallin emra derisa të skadojë afati i cili përfundon sonte në mesnatë, transmeton Portalb.mk.

Sipas informacioneve të fundit, grupi i punës duhet të ketë nga gjashtë deri në tetë ekspertë. Disa nga partitë politike dhe institucione të caktuara tashmë kanë bërë të ditur për opinionin emrat e personave që do t’i përfaqësojnë.

Cvetanka Ivanova, sekretare aktuale e përgjithshme e Kuvendit dhe ish-deputete, do ta përfaqësojë LSDM-në në grupin punues. Aleanca për Shqiptarët propozoi deputetin Remzi Mehmedi si përfaqësues të partisë në grupin punues për ndryshimet kushtetuese. Sipas informacioneve, Besa ka nominuar edhe përfaqësuesit e saj në grup, ndërsa BDI-ja pritet të shpallë sot se kush do të propozohet prej tyre.

Partitë opozitare, VMRO-DPMNE, Alternativa, E majta, Partia Socialiste e Maqedonisë dhe Lidhja Demokratik njoftuan këtë fundjavë se nuk do të marrin pjesë në grupin punues.

Në opinion janë bërë të ditur emrat e ekspertëve, por për momentin nuk ka informacion zyrtar se cili prej tyre do të jetë pjesë e këtij grupi punues.

I pari që iu përgjigj letrës nga Ministria e Drejtësisë ishte kabineti i presidentit Stevo Pendarovski, i cili konfirmoi se përfaqësuesi i tij në grupin punues për ndryshimin e Kushtetutës do të jetë profesori i Fakultetit Juridik Aleksandar Spasov, i cili është këshilltari i tij ligjor, ndërsa zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq tha se SÇE do të marrë pjesë aktive në grupin punues dhe se emri i përfaqësuesit që do të përfshihet në grupin punues për ndryshime kushtetuese do të përcaktohet dhe shpallet më së voni të hënën. Në grupin e punës duhet të dominojnë edhe ekspertët nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Kujtojmë se negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, ku VMRODPMNE ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri. Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button