Mbi epopenë e harruar shqiptare

Në vitin 1986, Lutfi Rusi botoi në shqip veprën e akademikut vllah Aleksandër Matkovskit “Kryengritja e Dervish Carës”, e cila për arsye meskine, akoma sot nuk është botuar në gjuhën maqedonase, në gjuhën në të cilën e shkroi autori. Shumë vite më vonë, kur nga shkrimtari dhe miku i çmuar Xhabir Ahmeti, e kuptova se versioni i botuar nga z. Lutfi Rusi nuk ka mundur të jetë i plotë shkaku i gërshëreve të sistemit monist me orientim antishqiptar, gjeta mundësinë e blerjes së dorëshkrimit origjinal nga e veja e z. Matkovski, Poliksena Matkovska dhe e përktheva veprën e tërë, e cila hedh dritë mbi kryengritjen me shtrirje më të madhe gjeografike që kanë bërë ndonjëherë shqiptarët kundër Perandorisë Osmane.

Me sa dihet, A. Matkovski është studiuesi i vetëm që ka shkruar një vepër të plotë mbi këtë epope të viteve 1843-1844, të njohur si kryengritja e gegëve të besimit musliman. Për çudi, historiografia shqiptare  gjer në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, nuk është preokupuar fare me këtë ngjarje, të cilën e ka tkurrur në fjalinë: Kryengritja e Tanzimatit, që shpërtheu pas Hatisherifit të Gjylhanesë…  Natyrisht, pseja e kësaj heshtjeje mortore vetëm mund të merret me mend, duke u nisur nga e dhëna se, edhe sot e gjithë ditën, të vërtetën e kësaj kryengritjeje nuk e duan as shovinistët e Ballkanit, as pobratinët e tyre shqipfolës, sipas të cilëve shqiptarët ishin mercenarë osmanë të sjellur në trojet sllave në shekullin e nëntëmbëdhjetë!

Gënjeshtra në fjalë është stërpërsëritur e propaganduar në mijëra librushka pseudohistorianësh, në grackën e të cilave janë kllumur idiotësisht arushat e mëdha të politikës  evropiane, që edhe aktualisht më me qejf mbajnë anën e të fortit se sa atë të drejtësisë.

Por ta lëmë këtë për t’u dhënë pak hapësirë të vërtetave të doktorit të parë të shkencave historike në Maqedoninë e Veriut, Aleksandër Matkovskit (1922-1992), emri i vërtetë i të cilit në vllahisht është Leko Matku. Pjesët e përkthyera nga vepra e tij hedhin dritë mbi shkaqet e kryengritjes së Dervish Carës, që u shtri nga Kërçova gjer në Vrajë. Ato (shkaqet) qenë të shumta, po ne po sjellim në vijim vetëm disa prej tyre:

1. Inaugurimi i pushtetit qendror dhe likuidimi i pashallarëve. Pas Hatisherifit të Gjylhanesë, Porta vazhdoi përpjekjet për vendosjen e administratës së centralizuar shtetërore. Për realizimin e këtij qëllimi, drejtimi i administratës civile iu besua gjeneralëve dhe komandantëve, që kërkonin mjetet dhe mënyrat për mënjanimin e pashallarëve të gjeratëhershëm, të cilët qeverisnin në mënyrë gjysmë të pavarur me pashallëqet e tyre. Këta pashallarë kishin ushtritë e tyre dhe shpesh herë nuk u përgjigjeshin kërkesave të Portës për luftë me armiqtë e jashtëm. Në vend të tyre, Porta dëshironte të emërojë Turq nga aparati qeveritar, kryesisht personalitete ushtarake. Për këtë shkak, kryengritja e Dervish Carës, në të cilën morri pjesë popullata shqiptare, u ndihmua moralisht e materialisht edhe nga pashallarët dhe bejlerët lokale me përkatësi shqiptare, të cilët në reformat e qeverisjes së centralizuar i shihnin rreziqet e turqizimit të heshtur të administratës në pashallëqet e Shqipërisë, ku dominonte popullata shqiptare dhe gjuha shqipe.

 2. Zbatimi i Hatisherifit të Gjylhanesë nga viti 1839. Zbatimi i Hatisherifit të Gjylhanesë u shoqërua me një refuzim të popujve të robëruar, të cilëve u imponoheshin detyrime të rënda që nuk i kishin më parë, si dhënia e rekrutëve për armatën turke, në të cilën shërbimi ushtarak zgjaste 15 vjet, e që më vonë, nën presionin dhe rezistencën e popujve të robëruar, u zvogëlua në 7 dhe 5 vjet. Krahas shërbimit ushtarak, popujve të robëruar u imponoheshin edhe tatime të larta që lidheshin me shpenzimet e rritura për modernizimin e armatës. Shi për këtë, me nisjen e zbatimit të reformave nëpër rajone të ndryshme, nisnin njëkohësisht dhe lëvizjet kryengritëse në ato krahina.

3. Zbatimi i ligjit të ri për riorganizimin e ushtrisë turke nga viti 1843. Në bazë të Hatisherifit të Gjylhanesë, në vitin 1843 u miratua ligji i ri për riorganizimin e armatës turke. Ligji parashihte që edhe popujt e robëruar muslimanë, të cilët gjer atëherë nuk i nënshtroheshin rekrutimit, të  shërbejnë në armatën turke. Refuzimi i regrutimit ishte veçanërisht i fuqishëm mes Shqiptarëve dhe Boshnjakëve, sepse interesat e popullit përputheshin me interesat e pashallarëve që viheshin shpesh në ballë të kryengritjeve. Ata (pashallarët) ishin nën presionin e pushtetit suprem turk që kërkonte mbledhjen e rekrutëve, por ishin dhe nën presionin e popullit që nuk dëshironte t’i bindet ligjit të rekrutimit. Por edhe përkundër kundërshtimeve të popullit dhe pashallarëve, në vitin 1843, u rekrutuan dhe u nisën me anije për Stamboll mijëra nizamë. Por, sa më i shpejtë ishte grumbullimi i rekrutëve aq më shumë rritej pakënaqësia te popujt e robëruar. Në dallim nga bashibozuku ose ushtritë e pashait, ku mercenarët ishin të veshur me veshjet e tyre popullore tradicionale, rekrutët e rinj ishin të veshur me uniforma të stilit evropian. Shqiptarët këtë e kuptonin si sulm në traditat e tyre popullore. Për këtë shkak në mesin e rekrutëve u paraqitën edhe dezertorët e parë, të cilët, të tubuar nëpër grupe i bënin rezistencë pushtetit turk, ktheheshin në fshatrat e tyre ose u bashkëngjiteshin kryengritësve.

4. Rritja e tatimeve. Rritja e tatimeve shkaktoi revoltë në mesin e Shqiptarëve, sepse ata, për shkak të varfërisë dhe viseve jopjellore, nuk arrinin t’i paguajnë as tatimet e mëparshme. Për këtë shkak, udhëheqës të caktuar të kryengritjes e thirrnin popullatën të mos i paguajë tatime pushtetit turk. Kështu, njëri prej udhëheqësve të kryengritjes së Dervish Carës, Soliman Toli, në tetor të vitit 1843, nëpër mitingjet e fshatrave përreth Vrajës, Prizrenit dhe Prishtinës fliste me zjarr të theksuar kundër të gjitha tatimeve, duke i bindur fshatarët se nuk duhet të paguajnë më shumë se 5 piastra në vit.

5. Kërkimi i autonomisë për Shqipërinë. Kryengritja e Dervish Carës nuk duhet të shihet si ngjarje e izoluar, por në kuadër të gjithë kryengritjeve të mëhershme shqiptare, duke nisur madje që nga kryengritja e Skënderbeut në shekullin XV. E dhëna se Shqiptarët në perandorinë Turke ishin të detyruar si muslimanë të mësojnë në gjuhën turke, si të krishterë të mësojnë në gjuhën greke, kurse si katolikë në gjuhën italiane, edhe pse gjuha shqipe ishte absolutisht dominuese në komunikimet e ndërsjella; e dhëna se në shekullin e nwntwmbwdhjetw në vendbanimet bregdetare nisi të ndjehej depërtimi i elementeve kapitaliste në Shqipëri (paraqitja e klasës qytetare dhe inteligjencës…); e dhëna se pavarësia e Serbisë dhe Greqisë ndikonin pandalshëm në vetëdijen shqiptare, na bën ta kuptojmë më mirë lindjen e idesë për autonominë e Shqipërisë, e cila edhe më tutje mbetej vasale karshi sulltanit. Këtë fakt e thekson edhe Ippen-i, sipas të cilit kryengritësit Shqiptarë kërkonin autonomi të veçantë për Shqipërinë, të ngjashme si ajo e Serbisë dhe Greqisë.

6. Shkaku i drejtëpërdrejtë i kryengritjes. Shkaku i drejtpërdrejtë i kryengritjes qe internimi dhe likuidimi i pashallarëve tetovarë. Siç dihet, gjer në fillim të viteve ‘40-ta, tre vëllezërit: Hivzi pasha në Shkup, Hysein-pasha në Qustendil dhe Abdurahman-pasha në Tetovë qeverisnin në mënyrë gjysmë të pavarur. Familja e tyre kishte ndikim të pakufizuar mbi gjithë popullatën shqiptare. Çdo fjalë e pashallarëve të pakufizuar ishte ligj për Shqiptarët besnikë. Siç theksuam, edhe popullata e krishterë ishte shpesh nën mbrojtjen e këtyre pashallarëve. Qeveria e Stambollit e priste rastin e volitshëm që ta dobësojë pushtetin e pakufishëm të kësaj familjeje të fuqishme. Dhe rasti erdhi kur vëllezërit u armiqësuan për shkak të pronave të trashëguara. Çështja rezultoi me betejën e majit të vitit 1840, kur ushtritë e vëllezërve u ndeshën në afërsi të fshatit Llërcë. Konfliktin vëllavrasës ndërmjet pashallarëve e ndërprenë ndërmjetësit. Intervenoi dhe Porta dhe i ftoi vëllezërit në Stamboll, kinse për t’i pajtuar. Kur arritën atje ata u burgosën, sepse deklaruan haptazi se nuk janë në gjendje të mbledhin rekrutë. Husein pasha dhe Abdurrahman pasha u internuan në Anadoll, kurse Hivzi pasha vdiq në burg. Kur lajmi për vdekjen e Hivzi pashës arriti në Shkup, gjithë popullata shqiptare u ngrit në kryengritje në krye me Dervish Carën, njërin prej njerëzve të afërt të Hivzi pashës dhe Abdurrahman pashës. Natyrisht se për fillimin e kryengritjes ndikoi gjithsesi edhe situata e tensionuar e cila mbretëronte në Shqipëri, Kosovë dhe në Serbinë Jugore…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button