MBI DHËNIEN

Poeti i njohur libanez Khalil Gibran është gjithnjë inspirues në shkrimet e tij. Sot posaçërisht më bëri përshtypje poezia e tij dedikuar dhënies e cila fillon kështu:

“Ti jep shumë pak kur jep nga prona yte.

Vetëm kur jep nga vetja jote, ti jep me të vërtetë.”

Është një shkrim aq i bukur që i përshkruan të gjitha stilet e bamirësisë.

Një stil i tillë është bamirësia e parë si biznes: unë jap diçka me qëllim që në të ardhmen të përfitoj diçka. Por të bësh diçka mirë duke pritur shpërblim, nuk është bamirësi, por është biznes. Ti jep diçka, dikush fiton diçka, pastaj dikush jep diçka e ti fiton diçka, të gjithë janë të lumtur. Zakonisht dhënësit e tillë janë ata që japin më pak me pritshmërinë se do të fitojnë shumë, sepse edhe kjo është pjesë e biznesit: të investosh pak e të fitosh shumë, bile duke bërë marketing të mirë për “bamirësinë” tënde të cilën duhet ta shohë gjithkush.

Kategoria e dytë e dhënësve që përmenden në poezinë e Gibranit, janë ata që kanë pak dhe i japin të gjitha, ata që marrin kënaqësi nga dhënia. Ata që marrin kënaqësi duke dhënë njohin një formë të veçantë të kënaqësisë që të tjerët nuk e dinë e as që mund ta kuptojnë.

Por ka të tillë që i përmend Gibrani, të cilët kur japin nuk ndjejnë as humbje e as kënaqësi, por japin natyrshëm, ashtu siç marrin frymë, ashtu siç behari e lëshon aromën e tij në ajër, sa herë që vjen koha për këtë. Gibran thotë që përmes duarve të këtyre të fundit Zoti u flet njerëzve, dhe përmes syve të tyre i buzëqesh botës. Por sa të tillë ka që japin sepse këtë e kanë mënyrë të jetës, japin natyrshëm sikur të marrin frymë? Sikur të kishte më shumë të tillë, bota do të ishte një vend i mahnitshëm.

Ka të tillë që thonë se nuk kanë aq sa duhet që të mund të japin aq sa duan. Por që në fillim Gibran shkruan qartë se të japësh atë që posedon është më e pakta që mund të bësh. Ka gjëra të tjera që mund të japim e të cilat vlejnë më shumë se sendet. Koha jonë është diçka që mund t’ia japim dikujt, prandaj duhet ta japim mençur sepse e japim vetëm një herë. Përkushtimi jonë është diçka që mund ta japim, dhe ka gjithmonë dikush që ka nevojë për përkushtim. Përkrahja jonë është dhuratë e çmuar, prandaj duhet të mos bëhemi kursimtarë në këtë drejtim. Të japim prej vetvetes sepse kjo është forma më e çmuar e dhënies.

Kur japim, ne zakonisht vendosim kushte dhe themi që do t’u japim vetëm atyre që meritojnë. E megjithatë jemi të rrethuar me natyrën që na jep të gjithëve pavarësisht se nuk e meritojmë fare. Ne e dhunojmë natyrën, ajo na shpërblen edhe më tej me të mira pa të cilat nuk jetojmë dot. Ne i keqtrajtojmë shtazët, e ata sërish na japin ushqim. Ne sillemi keq me njëri tjetrin, dhe në fund prapë prej njëri tjetrit kërkojmë e marrim shpëtim. Pra kush jemi ne për të vendosur se kush çfarë meriton nga ajo që ne e japim?!

Ka edhe një thënie të bukur lidhur me këtë çështje: Në botë ka dy lloje njerëzish: ata që japin dhe ata që marrin. Ata që gjithmonë vetëm marrin mund të hanë më mirë, por ama, ata që japin gjithmonë flenë më mirë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button