MPJ: S’ka mundësi dhe vullnet politik që të përfshihen qytetarët dhe institucionet bullgare për ndryshimet kushtetuese

Pas deklarimeve të shefit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Nikollai Millkov, se edhe Bullgaria dëshiron të jetë pjesë e procesit të ndryshimeve kushtetuese në Maqedoninë e Veriut ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se diçka e tillë nuk është e mundur, njofton Portalb.mk.

“Ministria e Punëve të Jashtme informon se procesi i ndryshimeve kushtetuese është çështje e brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila si obligim lidhet me negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kuvendi pritet të marrë një vendim të tillë, në mënyrë sovrane dhe në përputhje me interesat afatgjata të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të përfaqësuar në Kuvend dhe në këtë kontekst, nuk ka asnjë mundësi apo vullnet politik për përfshirje të qytetarëve dhe institucioneve nga jashtë, përfshirë edhe nga Republika e Bullgarisë. Një kërkesë e tillë as nuk është pranuar dhe as nuk është diskutuar mes ministrave Osmani dhe Millkov”, theksojnë nga MPJ e RMV-së.

Ata shtojnë se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në vazhdimin e dialogut politik me Bullgarinë, në frymën e fqinjësisë së mirë dhe Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim, dhe shpreson në formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re bullgare.

Kujtojmë që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Kjo erdhi pas arritjes së propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, ku VMRODPMNE ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button