Rezistenca kibernetike fillon me “higjienën” digjitale personale

Kur bëhet fjalë për sigurinë kibernetike, pra për përballjen me sulmet kibernetike dhe përballjen me dezinformatat, masat e sigurisë duhet të fillojnë me atë që quhet higjiena digjitale personale bazë, dhe tek më pas të vazhdohet më tutje. Kjo për çdo individ nënkupton vendosjen e një sistemi për mbrojtje, mbylljen e celularëve ose kompjuterëve portativ; përditësim të rregullt të softuerit, instalim të softuerit të sigurisë në pajisjet që përdoren; moshapje të linqeve, email-eve ose dokumenteve të bashkangjitura “të panjohura” ose të dyshimta. Këtu fillon gjithçka, njofton Meta.mk.

Një mesazh të këtillë për qytetarët nga diskutimi i sotëm “Si të ndërtohet rezistencë ndaj luftës hibride?” në kuadër të Konferencës ndërkombëtare “Transformimi digjital për qytetarët”, përcolli Merle Maigre, drejtoreshë e Programit të Sigurisë Kompjuterike, Akademia e e-Qeverisjes nga Estonia.

Krahas saj, për temën e ndërtimit të rezistencës kibernetike diskutuan edhe Aleksandar Acev, udhëheqës i Qendrës Kombëtare për Reagim ndaj Incidenteve Kompjuterike – MKD CIRT, pranë Agjencisë për Komunikime Elektronike dhe Ilija Zhupanoski, bashkëpunëtor për komunikime digjitale në Agjencinë për Komunikime Elektronike pranë Zyrës së kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.

Zhupanoski theksoi se shoqëria kohëve të fundit po përballet me sfida gjithnjë e më serioze nga lufta hibride, përfshirë këtu edhe me një fluks të dezinformatave që kanë për qëllim arritjen e një ndikimi politik, të sigurisë apo ekonomik. Ai theksoi se masat e tilla jokonvencionale synojnë në radhë të parë rrënimin e demokracisë dhe ngjalljen e mosbesimit tek qytetarët ndaj qeverisë dhe mediave, si dhe përhapjen e panikut, siç ishte rasti me lajmërimet e rreme për bomba të vendosura në shkolla dhe qendra tregtare. Zhupanoski gjithashtu theksoi se ndërtimi i rezistencës kibernetike është jashtëzakonisht i domosdoshëm, me një theks tek institucionet.

Filip Stojanovski dhe Ilija Zhupanoski. Foto: Meta.mk
Filip Stojanovski dhe Ilija Zhupanoski. Foto: Meta.mk

“Në vendin tonë dezinformatat filluan të intensifikohen para referendumit për Marrëveshjen e Prespës, pastaj u intensifikuan sërish para anëtarësimit në NATO, e pastaj gjatë krizës së Covid – 19, kur si pasojë e dezinformatave shumë qytetarë nuk u vaksinuan dhe rrezikuan kështu shëndetin e tyre, e pastaj vazhduan në lidhje me Propozimi francez”, theksoi ai.

Duke i theksuar masat e ndërmarra në vendin tonë për përballje me kërcënimet hibride dhe sulmet kibernetike, këshilltari i kryeministrit theksoi se një masë institucionale është ndërmarrë që në vitin 2019 dhe së shpejti do të vijojë me një hap serioz gjithëpërfshirës të inicuar nga sektori joqeveritar.

“Disa javë më parë në Qeveri erdhi një iniciativë nga një grup organizatash në vend me rekomandime konkrete për përballje me dezinformatat dhe qeveria e ka pranuar këtë si një bazë të mirë, kështu që presim që së shpejti të ulen së bashku në tryezë dhe të krijojnë një plan kombëtar për t’i përfshirë të gjitha palët e interesuara në përballjen me këtë problem”, bëri të ditur Zhupanoski.

Duke i prezantuar masat që po i ndërmerr Qendra Kombëtare për Reagim ndaj Incidenteve Kompjuterike – MKD CIRT, si dhe trajnimet që organizon për nëpunësit e administratës shtetërore, me ndihmë tejet të madhe nga Akademia për e-Qeverisje nga Estonia, Acev theksoi se kërcënimet nga sulmet hibride kërkojnë masa të organizuara dhe bashkëpunim të ngushtë të të gjitha palëve të interesuara, pa dallim a bëhet fjalë për institucione shtetërore, organizata civile apo qytetarë.

“Raportimi i detyrueshëm i incidenteve nga ana e qytetarëve dhe nga organeve të ndryshme, është kushti themelor që ata të fitojnë rezultatin e dëshiruar”, tha udhëheqësi i Qendrës Kombëtare për Reagim ndaj Incidenteve Kompjuterike, dhe sqaroi se në ueb-faqen e tyre janë të shënuara të gjitha informacionet për raportimin e incidenteve.

Problemi me sulmet hibride dhe dezinformatat nuk është i ri, por daton shumë kohë më parë, theksuan edhe Maigre nga e-Akademia estoneze edhe Filip Stojanovski, moderatori i diskutimit, përndryshe drejtor në Fondacionin Metamorfozis, i cili organizoi konferencën për rezistencën kibernetike në kuadër të projektit ICEDA.

Lufta hibride luftohet me aktivitete të përbashkëta për mbrojtje

Duke iu referuar problemit me kërcënimet hibride dhe dezinformatat, Stojanovski theksoi se në këto zona tashmë për një kohë të gjatë është folur për një luftë speciale dhe se problemi është trajtuar edhe formalisht në shkolla në kuadër të lëndës Mbrojtja dhe Siguria.

Merle Maigre, Drejtoreshë e Programit të Sigurisë Kompjuterike, Akademia e e-Qeverisjes nga Estonia. Foto: Meta.mk
Merle Maigre, Drejtoreshë e Programit të Sigurisë Kompjuterike, Akademia e e-Qeverisjes nga Estonia. Foto: Meta.mk

Maigre i përmendi operacionet speciale të shërbimeve ruse kundër Estonisë si sulme hibride, si një kombinim i luftës së rregullt dhe të parregullt, që më pas çoi në aneksimin e vendit nga Bashkimi Sovjetik, por ajo përmendi edhe “grushtshtetin” në Afganistan në vitin 1979, të kryer nga 700 ushtarë sovjetikë të veshur me uniforma afgane.

Duke iu rikthyer krizës aktuale, ajo tha se sulmet nga pala ruse ndaj vendit të saj vazhduan edhe më pas, por nga fillimi i pushtimit të Ukrainës u përshkallëzuan me sulme veçanërisht të forta në prill dhe gusht të vitit të kaluar.

“Vetëm një shembull, nëse vitin e kaluar në muaj ka pasur mesatarisht nga12 sulme DDoS ndaj institucioneve shtetërore estoneze, në prill dhe gusht të vitit 2022 ka pasur nga 65 sulme secilin nga këto muaj”, theksoi ajo.

Duke iu referuar masave që duhet të ndërmerren ajo theksoi se para së gjithash nevojitet një fokusim për njohjen e sulmeve digjitale, por edhe për ngritjen e atij problemi në nivel ndërkombëtar, por edhe përfshirje e sektorit privat që ka njohuri dhe kapacitet për t’i ndihmuar autoritetet shtetërore në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe dezinformatave.

Në të njëjtën kohë, ndoshta si masën kryesore për përmirësimin e rezistencës kibernetike, ajo e përmendi edukimin mediatik që në moshë shkollore, në mënyrë që qytetarët që në fëmijëri të mësojnë t’i njohin rreziqet dhe sulmet në sferën digjitale.

Moderatori Stojanovski përkujtoi se shteti ka disa vite që po punon në planprogramin për edukimin mediatik përmes rrjetit për edukim mediatik, pjesë e të cilit është edhe Fondacioni “Metamorfozis”, por edhe institucione shtetërore dhe media.

Foto nga paneli i dytë i konferencës "Transformimi digjital i qytetarëve", me temë: Si të ndërtohet rezistenca ndaj luftës hibride?
Foto nga paneli i dytë i konferencës “Transformimi digjital i qytetarëve”, me temë: Si të ndërtohet rezistenca ndaj luftës hibride?

Konferenca ndërkombëtare “Transformimi digjital për qytetarët” vazhdon sot edhe me dy seanca të tjera në Hotelin “Meriot” në Shkup dhe online përmes platformës “Zoom”. Konferenca transmetohet drejtpërdrejt në faqen e projektit në Facebook.

Konferenca organizohet në kuadër të projektit “Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA”, e udhëhequr nga Fondacioni “Metamorfozis”, ndërsa e kofinancuar nga Bashkimi Evropian, dhe ka për qëllim rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në krijimin e agjendës digjitale.

Nga dita e dytë e konferencës:

Nga dita e parë e konferencës:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button