VMRO-ja nuk e përkrah nismën e ndryshimeve të emrave të rrugëve në Tetovë, Kasami: Nuk mund të kushtëzojë kushdo

Nëntë muaj pas fillimit të nismës për ndryshimin e emrave të rrugëve, shkollave dhe institucioneve publike në Tetovë nga Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Art dhe Shkencë (ShAShASh) dhe Komuna e Tetovës, nuk ka ende asgjë konkrete. Partneri i shumicës në Këshillin Komunal të Tetovës, VMRO-DPMNE-ja thotë se nuk do përkrah nismë të tillë. Kasami nga ana tjetër për këtë thotë se nuk mund të kushtëzojë kushdo, shkruan Portalb.mk.

Nisma e filluar parasheh ndryshimin e emrave të rrugëve dhe të institucioneve të mësipërme me qëllim për të pasqyruar realitetin etnik dhe kulturor të Tetovës dhe fshatrat e komunës.

Siç patën theksuar nga ShAShASh, nuk synohet të eliminohen emrat maqedonas por realiteti etnik të pasqyrohet ashtu siç është dhe se nuk do të jetë në dëm të asnjë partie politike.

Kryetari i Komunës së Tetovës, gushtin e vitit 2022 deklaroi se nismës do i shkojnë deri në fund dhe se parashihnin që brenda atij viti të përmbyllej ky proces. Mirëpo, kjo deri tani nuk është bërë.

Që kjo të kalojë në Këshillin e Komunës, duhet të respektohet Ligji i Badenterit ku duhet të votojë shumica e pakicës, në këtë rast këshilltarët e VMRODPMNE-së të cilit njëherit edhe janë pjesë e shumicës në Këshillin Komunal.

Por të njëjtit u shprehën se nuk do përkrahin diçka të tillë.

Angell Karapetrov, koordinator i këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së në Komunën e Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Angell Karapetrov, koordinator i këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së në Komunën e Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Ne dolëm në zgjedhje me program, në atë program kemi shumë projekte për realizim. Në lidhje me diskutimin për emrat e rrugëve dhe shkollave e dini qëndrimin tonë, e qartë është se VMRO DPMNE nuk do të përkrahë ndryshime të tilla në këtë mandat. Për ne prioritet janë zgjidhja e problemeve esenciale për të gjithë qytetarët, pas zgjidhjes së këtyre problemeve, ndonjë këshill në të ardhmen mund t’i diskutojë këto çështje”, tha Angell Karapetrov, koordinator i këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së në Komunën e Tetovës.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i pyetur nga Portalb.mk për këtë qëndrim të VMRo-DPMNE-së theksoi se nuk mund që ky aktivitet të kushtëzohet nga kushdo.

Bilall Kasami, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Bilall Kasami, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Është procedurë më e ndërlikuar që duhet të nisë nga Këshilli Komunal, të themelohet një komision dhe i cili pastaj do ta përcjellë procedurën në bazë të ligjit. Do mundohemi të komunikojmë me të gjitha grupet e këshilltarëve por sigurisht që nuk mund të jetë si aktivitet i tillë që mund të kushtëzohet nga kushdo qoftë këshilltarë apo grup këshilltarësh. Unë besoj që shumica e këshilltarëve do të përkrahin ndryshimin e emrave, ndryshim i cili duhet të reflektojë me realitetin etnik dhe kulturor të qytetarëve të Komunës së Tetovës”, tha Kasami.

Ndërkaq për atë se kur pritet të themelohet ky komision Kasami tha se në një nga seancat e radhës të këshillit komunal do jetë edhe kjo si pikë e rendit të ditës.

“Besoj se do të ketë shumicë të mjaftueshme kur do të vijë koha që ato të kalojnë”, theksoi Kasami.

Në Tetovë aktualisht, edhe pse disa rrugë janë emëruar në gjuhën shqipe, të njëjtat shfrytëzohen vetëm nga Komuna e Tetovës gjatë komunikimit me qytetarët kurse në dokumente zyrtare vazhdojnë të qëndrojnë emrat nga koha e ish Jugosllavisë.

Kujtojmë që në të kaluarën ka pasur edhe nisma të tilla të cilat nuk kanë përfunduar deri në fund. 

Ndryshe, edhe para një viti kur Portalb e trajtoi si temë ndryshimin e emrave të shkollave në Tetovë, koordinatorët e grupeve të këshilltarëve maqedonas patën deklaruar se qyteti ka probleme shumë më të mëdha për t’i zgjidhur sesa këtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button