Tetovë, as Kasami s’ka shumicë për t’i ndryshuar, shkollat mbeten me personalitete nga komunizmi

Edhe pse shumica e nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme të Tetovës janë shqiptarë, emrat e shkollave vazhdojnë të mbajnë emra në gjuhën maqedonase nga personalitete nga komunizmi. Çështja e emërtimit të shkollave me siguri që nuk është më e rëndësishme sesa kushtet në to, megjithatë ka të bëjë me ndjenjën e përkatësisë kulturore dhe historike të këtyre nxënësve.
Në të kaluarën ka pasur tentativa për ndryshimin e tyre, por të pasuksesshme. Së fundmi, nisma qytetare “Muzeu Virtual i Tetovës” ka dorëzuar kërkesë në Komunë me propozime konkrete për ndryshimin emrave, por që kjo të kalojë në këshill duhet shumicë votash me përkrahje të këshilltarëve maqedonas, por ata shprehen se nuk do e përkrahin një gjë të tillë, shkruan Portalb.mk.

Emrat e shkollave në gjuhën maqedonase dhe propozimet nga “Muzeu Virtual i Tetovës” janë si vijon:

  • Shkolla e mesme e mjekësisë “Nikolla Shtejn“ në „Dr. Xhafer Sulejmani“.
  • Gjimnazi i Tetovës “Kiril Pejçinoviq“ në „Shaip Kamberi”.
  • Shkolla e mesme ekonomike “8 Shtatori“ në „Halim Deralla“.
  • Shkolla e mesme bujqësore “Mosha Pijade“ në „Tajar Tetova“.
  • Shkolla e mesme profesionale(tekstile) “Gjoce Stojcevski” në “Idriz Ibrahimi – Cërcëri“.
  • Shkolla e muzikës “Todor Skalovski – Tetoec“ në „Gani Jahja”
  • Shkolla fillore “Kirili dhe Metodij“ në “Mehmetriza Murtezani – Gega“.
  • Shkolla fillore “Goce Delçev“ në “Skenderbej“.

Që kjo të kalojë në Këshillin e Komunës, duhet të respektohet Ligji i Badenterit ku duhet të votojë shumica e pakicës, në këtë rast këshilltarët e VMRODPMNE-së të cilit njëherit edhe janë pjesë e shumicës në Këshillin Komunal.

Nga Zyra për informim e Komunës së Tetovës, për Portalb.mk thonë se kanë qenë të interesuar prej më herët për një iniciativë të tillë.

“Gjithsesi se ajo kërkon edhe marrëveshje politike për shkak se për t’u bërë një ndryshim i tillë duhet të votohet edhe në këshillin komunal, ku dihet se duhet të ketë shumicë votash”, thanë nga zyra për informim.

Kryetari i Komunës u shpreh se ditëve në vijim do të bisedohet kjo temë.

“Do të duhet gjatë ditëve në vazhdim të koordinohemi me këshilltarët e VMRO-së apo me strukturat lokale të VMRO-ë ku do të kemi takim qëndrim sigurisht gjatë ditëve në vazhdim do të kemi edhe qëndrimet tona”, tha Bilall Kasami.

Koordinatori i grupit të këshilltarëve nga VMRO-DPMNE, Angell Karapetrov për Portalb.mk tha se Komuna e Tetovës ka probleme tjera më të mëdha për të zgjidhur.

“Komuna e Tetovës aktualisht ka prioritete më të mëdha për t’i zgjidhur, siç janë problemi me ujësjellësin, ajrin e pastër, rrugët e dëmtuara, qentë endacak, gjetjen e zgjidhjes për borxhin e madh të Komunës së Tetovës, krijimin e kushteve për funksionim normal të ndërmarrjeve publike. Këto janë çështje që prekin të gjithë qytetarët e komunës së Tetovës, çështje që nënkuptojnë një jetë më të mirë dhe më të begatë në Tetovën tonë“, tha Karapetrov.

Ndërkaq, kreu i VMRO-së, Hristjan Mickoski gjatë vitzitës së tij të premten në Komunën e Tetovës i pyetur për këtë u shpreh se këto tema duhet të zgjidhen në nivel lokal dhe se nuk duhet të ketë tema tabu.

Nga ana tjetër Ilija Dimitrievski, koordinator i grupit të këshilltarëve nga LSDM-ja për Portalb.mk tha se një propozim i tillë është i papranueshëm dhe se nuk do ta votojnë.

“Në mandatin e ish kryetares Teuta Arifi, ka pasur bisedime për riemërtimin e shkollave, por nuk janë zyrtarizuar. Konsiderojmë se është krejtësisht e panevojshme ndryshimi i emrave të shkollave dhe nëse është koha që kjo pikë të futet në rend dite, ne si grup këshillues i LSDM-së nuk do ta përkrahim”, tha Ilija Dimitrievski.

Rikujtojmë që në Tetovë disa shkolla mbajnë edhe emra shqip, si shkolla “Liria”, gjimnazi “7 Marsi”, “Migjeni”, “Naim Frashëri”.

Ndryshe, në Tetovë edhe pse disa rrugë janë emëruar në gjuhën shqipe, të njëjtat shfrytëzohen vetëm nga Komuna e Tetovës gjatë komunikimit  me qytetarë kurse në dokumente zyrtare vazhdojnë të qëndrojnë emrat nga koha e ish Jugosllavisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button