Me muaj pritet ndryshimi i emrave të rrugëve dhe institucioneve në Tetovë, Komuna: Po formohet komision

Edhe pse në gusht të vitit 2022, filloi nisma për ndryshimin e emrave të rrugëve, shkollave dhe institucioneve publike në Tetovë nga Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Art dhe Shkencë (ShAShASh) dhe Komuna e Tetovës, tetë muaj më vonë, ende nuk ka rezultat konkret. Asokohe kryetari i komunës tha se ky proces pritej të përfundonte brenda vitit (2022). Sot, nga komuna thonë se procedurat për këtë rast janë në vijim e sipër pa dhënë detaje, shkruan Portalb.mk.

Nisma e filluar parasheh ndryshimin e emrave të rrugëve dhe të institucioneve të mësipërme me qëllim për të pasqyruar realitetin etnik dhe kulturor të Tetovës dhe fshatrat e komunës.

Siç patën theksuar nga ShAShASh, nuk synohet të eliminohen emrat maqedonas por realiteti etnik të pasqyrohet ashtu siç është dhe se nuk do të jetë në dëm të asnjë partie politike.

Kryetari i Komunës së Tetovës, gushtin e vitit 2022 deklaroi se nismës do i shkojnë deri në fund dhe se parashihnin që brenda atij viti të përmbyllej ky proces. Mirëpo, kjo deri tani nuk është bërë.

Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk bëjnë të ditur se ky proces vijon pa mos dhënë detaje të tjera.

“Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Art dhe Shkencë në bashkëpunim me komunën pas nismës për ndryshimin e emrave të shkollave dhe rrugëve, është duke u formuar një komision i cili do të duhet të shqyrtojë rastin në fjalë”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Nga ana tjetër, profesori Zeqir Kadriu nga kjo Shoqatë për Portalb.mk konfirmoi se e kanë dorëzuar propozimin për ndryshimin e emrave në Komunë.

“Ne si të tillë e kemi dorëzuar, komuna me gjasë ka formuar një komision, i cili do ta zgjerojë edhe më tepër veprimtarinë, kam bindjen se do të bëjë edhe debate publike me qytetarët dhe pasi t’i bëjë këto debate publike do ta vendosë në rend dite në këshill”, tha Kadriu.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Zeqir Kadriu dhe Bilall Kasami, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ai sqaroi se për këtë nismë, në kuadër të Shoqatës kanë marrë mostra nga vende të ndryshme dhe kanë hartuar projekt i cili do t’i shërbejë Komunës së Tetovës për të bërë një shtrirje të ndryshimeve të emrave të cilat janë shumë me rëndësi.

“Ka vite që sistemi demokratik funksionon në RMV dhe ne nuk kemi bërë ndryshimet e duhura, qoftë në aspekt të ndryshimit të emrave të rrugëve, qoftë në aspekt të shesheve ose shkollave të cilat një pjesë kanë mbetur me emrat e ish sistemit komunist ose personaliteteve që janë të lidhura me luftën nacional çlirimtare, ose personalitete të cilat nuk kanë peshë në jetën politike shoqërore në kohën në të cilën ne jetojmë sot. Pra, e pashë të arsyeshme që me ekipin që e kemi formuar, jemi 9 persona, kemi konsultuar skema të ndryshme të këtyre projekteve dhe kemi bërë një projekt të ngjashëm 15 faqe, të cilin normal e kemi dorëzuar në Komunën e Tetovës. Si procedurë, komuna më pastaj do ta kalojë në këshill dhe pasi ta kalojë në këshill ajo do tu dorëzohet organeve kompetente dhe pastaj do fillojë të realizohet në praktikë”, sqaroi Kadriu.

Ai nënvizoi se kanë përfshirë numër të madh emrash, personalitetesh të cilët tani më nuk janë të lidhura vetëm me rilindjen kombëtare apo me njerëz të cilët janë të asaj periudhe, por janë personalitete që kanë kontribuar për Tetovën, rrethin e Tetovës, janë personalitete nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të cilët kanë emër dhe vlerë me kontributet e tyre shoqërore që kanë bërë, qoftë më herët qoftë prej viteve 90 e këndej.

Kujtojmë që në të kaluarën ka pasur edhe nisma të tilla të cilat nuk kanë përfunduar deri në fund. 

Në Tetovë aktualisht, edhe pse disa rrugë janë emëruar në gjuhën shqipe, të njëjtat shfrytëzohen vetëm nga Komuna e Tetovës gjatë komunikimit me qytetarët kurse në dokumente zyrtare vazhdojnë të qëndrojnë emrat nga koha e ish Jugosllavisë.

Para një viti kur Portalb e trajtoi si temë ndryshimin e emrave të shkollave në Tetovë, koordinatorët e grupeve të këshilltarëve maqedonas patën deklaruar se qyteti ka probleme shumë më të mëdha për t’i zgjidhur sesa këtë.

Procedura e ndryshimit të emrave, “rrugë me gjemba”

Sipas ligjit, ndryshimi i emrave të rrugëve duhet të kalojë nëpërmjet një procesi, i cili niset nga komuna, me pajtimin qeverisë përfundon në Regjistrin Qendror, i cili më pas e shpërndan njoftimin te MPB, Enti i Statistikës dhe Kadastra.

Nëpërmjet ilustrimit të mëposhtëm shihet rrugëtimi për të ndryshuar emrin e një rruge.

Procedura e ndryshimit të emrit të rrugëve
Procedura e ndryshimit të emrit të rrugëve, foto: Suad Bajrami

Siç mund të shihet, ndryshimi i emrit të një rruge kalon nëpër disa faza për të cilat ka afate të përcaktuara me ligj. Komuna, miraton propozimin e emrave në Këshill dhe e dërgon propozimin në Qeveri. Pastaj lista kthehet në Këshill Komunal dhe votohet për miratim. Në afat prej 8 ditëve lista bashkë me dokumentacionin dorëzohet në Regjistrin Qendror, i cili në afat prej 15 ditëve do të duhet të regjistrojë emrin e ri të rrugës së caktuar. Pas ndryshimit, në afat prej 3 ditëve, Regjistri Qendror dorëzon njoftim për ndryshimin në MPB, Kadastër dhe Entin e Statistikave.

Ky do të ishte proces normal, por autoritetet komunale shpesh këtë proces nuk e respektojnë, në fakt sipas një prezantimi të Agjencisë së Kadastrës ku gjatë vitit 2018-të kanë mbajtur një punëtori për vendosjen e Regjistrit të Adresave në Republikën e Maqedonisë, 40% e komunave të vendit tonë nuk kanë vepruar sipas obligimeve ligjore për t’i transferuar të dhënat te Regjistri Qendror.

Pavarësisht se në Maqedoninë e Veriut ekziston Platforma e Interoperabilitetit apo ndërlidhjes, sipas të cilës organet shtetërore, institucionet dhe kompanitë e biznesit duhet shkëmbejnë të dhëna mes tyre, kjo në praktikë funksionon pjesërisht.

Ndryshimi i emrave të rrugëve, duke mos i përditësuar regjistrat, qytetarëve u shkakton kokëdhembje shtesë, ekspozohen ndaj procedurave administrative dhe duhet të enden nëpër sportele për të nxjerrë “vërtetime”.

Ana tjetër e medaljes është se këto ndryshime, i detyrojnë qytetarët të ngatërrohen në procedura burokratike, ku institucionet u kërkojnë qytetarëve “vërtetime” për të dëshmuar se rruga që e kanë në një dokument të caktuar e ka ndryshuar emrin. Problemi thellohet pasi që ndodh kur, një rrugë ka pësuar ndryshime disa herë dhe këto ndryshime komunat ndodh që nuk i paraqesin në Regjistrin Qendror apo nuk i përditësojnë regjistrat e tyre

Prapa skenës së polemikave se si duhet të “pagëzohen” rrugët e qyteteve, autoritetet komunale zbatojnë procedura administrative, të cilat shpesh janë të mbështjella me rrethana apo interesa politike, por të cilat nuk mbarojnë gjithmonë deri në fund.

Konfuzioni krijohet kur komunat i ndryshojnë emrat e rrugëve dhe më pas nuk i kryejnë procedurat e nevojshme për t’i evidentuar të njëjtat te Regjistri Qendror, si dhe kur regjistrat adresave nuk i përditësojnë.

Kjo, praktikisht krijon tollovi administrative ku një rrugë e caktuar në komunë evidentohet me një emër të caktuar (të ri), ndërkaq në Regjistër Qendror me emër tjetër (të vjetër). Ligjërisht, emri i një rruge që nuk është i evidentuar në Regjistrin Qendror, nuk është i vlefshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button