KULTI I PERSONALITETIT (II)

Cili është rreziku nga ‘kulti i individit’?

Ndër rreziqet e këtij imazhi janë kalimi në absolutizëm, krijimi përmes  mistifikimit i diktatorit, despotit, autokratit, kalimi nga kjo botë konkrete në një botë tjetër, shenjtërimi, ikonizimi, hyjnizimi i figurave të caktuara që i bën ata të paprekshëm, i shpall “inocentë” edhe kur bëjnë gabime trashanike, edhe kur flasin budallallëqe. “Marksi, Lenini e të tjerët iu ofruan njerëzimit si puta me fytyrë njeriu, sidomos rinisë” – thotë Sezai Karakoç në veprën e tij Rilindja e njerëzimit.

Kultizimi në fakt është një formë e  faraonizimit. Kultizimi krijon profetë e hyjni të rrejshme, krijon një religjion të ri, ku këta persona shpallen të shenjtë dhe njerëzit fillojnë idolatrinë që s’i shpie askund sepse njeriu të cilin e kanë konsideruar perëndi vdes dhe nis dëshpërimi, sepse gjithë bindjen e tyre besimore e kanë lidhur me të. I tillë ka qenë rasti me vdekjen e Titos, të Kastros… kur njerëzit kanë rënë në depresion si pasojë e ikjes së personit të monumentalizuar. Në të kaluarën tonë të afërt shqiptarët kanë shkruar parulla të tipit: “Enver Hoxha, rron e do rë rrojë përjetë!” dhe shumë të tjera që dëshirën për përjetësi të tij.

Një dukuri tjetër që lidhet me këtë feomen është edhe vetëkultizimi që  e bën individin të kërkojë më tepër pasuri, popullaritet dhe pushtet; të vijë deri në një pikë ku mund të ndërmarrë hapa të çuditshëm, irracionalë, absurdë. Ish-presidenti i Turkmenistanit, Saparmurat Nijazov, që është mbiquajtur “Turkmenbashë” (koka e të gjithë turkmenëve), i zgjedhur nga një legjislaturë oportuniste për president të përjetshëm, emërtoi një muaj, prillin dhe një qytet (Krasnovodsk) me atributin e vet, bëri që libri i tij Ruhname (Libri i shpirtit) të shndërrohet në pjesë të domosdoshme të kurikulës në të gjitha nivelet e sistemit arsimor, madje imponoi që buka të quhet me emrin e nënës “Gurbansultan”. Çmenduria arriti kulmin me pohimin se ai ishte marrë vesh me Zotin që çdokush që lexon librin e tij tre herë do të hynte në parajsë (!).

Rrezik tjetër është ai se nuk lejohet kritika ndaj individëve që shoqëria i ka vënë në piedestal dhe i ka idhullizuar. Kështu sot janë mitizuar figura si ajo e Skënderbeut dhe Nënë Terezës, që janë bërë të paprekshme, madje “totemë”, ngase konsiderohen “çimento të kombndërtimit shqiptar” dhe çdo trajtim kritik i tyre konsiderohet “mëkat shekullar”, ai që guxon te merret kritikisht me ta, qoftë edhe me argumente, ekskomunikohet nga mbrojtësit e “fesë civile”.

Nga njëra anë flitet për mendimin ndryshe, nga ana tjetër kemi statizëm rigid në trajtimin e njerëzve. Në Turqi çështja “atit të kombit” është e rregulluar me ligj: figura e Ataturkut, që është emër lokaliconesh e institucionesh të panumërta, rrugësh, shkollash, aeroportesh, stadiumesh, është kategori kushtetuese, pra prekja në të sanksionohet penalisht. Madje edhe intelektualë prestigjiozë, si Ortaylı, shprehen të lidhur me kemalizmin si një ideologji e fuqishme nacionale: “Kemalizmi është i shenjtë, ai që sulmon atë, eliminohet” (Eha, 2023)

Konkluzion

Gjëja që në gjuhën angleze quhet superhuman apo god-like image (Hitleri “zot ose figurë më e madhe se jeta” – Riefenstahl, 1935), është evdidente gjithandej, dhe këta persona bëjnë historinë, por legjendarizimi ekstrem është i dëmshëm ngase krijon monolitizëm dhe monizëm. Këtu ndër ne viti 2001 ka sjellë një gjysëm-kultizim të liderit të UÇK-së që deri më sot shumë mirë shfrytëzohet për pikë politike, për fitim të zgjedhjeve, por herë pas herë banalizohet nga vetë “ithtarët” e këtij “njeriu të veçantë”.

Ky kult më tepër shfrytëzohet nga klika apo suita e tij sesa nga vetë aktori. Ektravaganca dhe ekzagjerimi kanë vend aty ku ka patrimonializëm, klientelizëm, falsifikim sistemik dhe mungesë disidence. Lidhja e pashëndetshme ndaj një personi nuk mund të sjellë rezultate pozitive për askënd. Në veçanti është trishtues fakti kur intelektualëat apo shkollarët që duhet të mendojnë me kokën e vet bëhen pre e “madhërimit të liderit” dhe marrin në qafë grigjën e cila ndjek pastirët apo mendarët. Në shoqëritë e avancuara ka institucione që merren me kurimin e njerëzve që kanë qenë pre e traumave kultike.

Për lexim të mëtutjeshëm do t’ju kishim sugjeruar veprën e Alex Trimm, “A man of the people: The cult of personality in the 20th century and its applicayion to the 21st century” (Njeriu i popullit: Kulti i personalitetit në shekullin 20 dhe aplikimi i tij në shekullin 21), 2017. Fare në fund, mund të themi se vetëm veprat e bëjnë njeriun të pavdekshëm jo shenjtërimi përmes shtatoreve, busteve dhe mekanizmave të tjerë të aparatit shtetëror, politik, arsimor dhe mediatik.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button