Kur drejtësia i mbron ata që duhet t’i dënojë

Sot mbahet seanca e rradhës në rastin “Titanik 2” ku ndër të akuzuarit është ish drejtori i ish Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov. Kanë kaluar plot tetë vite prej kur filluam t’i dëgjojmë “bombat” në të cilat zëri i personit në fjalë dëgjohej qartazi teksa jepte urdhëra, montonte arrestime të dhunshme, dhe anulonte rezultate zgjedhore nëpër vendvotime bashkë me bashkëpunëtorët e tij të atëhershëm, tani po ashtu të akuzuar në rastet në fjalë. Në euforinë që e kaploi shtetin kur u publikuan “bombat” dhe në demonstratat revolucionare që pasuan pas përpjekjes së presidentit të atëhershëm Ivanov për një amnesti të gjerë për të gjithë të involvuarit në këtë proces, kishte vetëm një lajtmotiv që përsëritje çdo ditë: “Nuk ka drejtësi, nuk ka qetësi”. Tani, tetë vite më vonë, jehona e këtyre fjalëve mbetet si kujtim i bukur nga ajo kohë kur të gjithë u bashkuan nën thirrjen për drejtësi.

Tetë vite më vonë, Mijallkov ende endet korridoreve të gjykatës, duke u sjellë e dërguar deri në Burgun e hapur të Strugës ku thuhet se e vuan dënimin për rastet ku ai u gjet i fajshëm. Rasti “Titanik 2” që sot është sërish në gjykim para Gjykatës së Apelit, paraprakisht u anulua po nga kjo gjykatë dhe u kthye në gjykim në shkallë të parë, nga fillimi. Tani, seanca mbahet vetëm disa ditë para datës 7 Prill, që është njëherë edhe data e skadimit të afatit për parashkrim të kësaj vepre penale. Mijallkov paraprakisht ishte në gjykim edhe për rastin thelbësor të ish PSP “Target-Fortesa” ku duhej të vërtetohet se kush dhe për çfarë arsye e organizoi procesin masiv të përgjimit në RMV. Fatkeqësisht, vendimi në shkallë të parë për këtë rast u anulua nga Gjykata e Apleit dhe lënda u kthye në rigjykim. Në ndërkohë dënimi me burg për Mijallkovin në rastin “Pllacet në Vodno” u shndërrua në dënim me kusht, ndërsa ai u lirua plotësisht nga akuza në lëndën “Tortura”, pavarësisht faktit që të gjithë qartazi e dëgjuam se si ishte organizuar arrestimi i Boshkovskit në këtë rast.

Të gjitha këto procese dëshmojnë qartazi një gjë: që drejtësia nuk vlen njësoj për të gjithë, por për disa vlen më shumë e për disa më pak. Qëllimi i të gjitha këtyre rasteve ishte të shpërndahet mesazhi që krimi nuk ia vlen, që keqpërdorimi i pozitës zyrtare për të organizuar përgjim masiv të qytetarëve për ta mbajtur veten në pushtet, është jo vetëm diçka e neveritshme por është vepër penale për të cilën bartet përgjegjësi, e që prishja e procesit të votimit nuk ia vlen sepse jo vetëm që e sabotoni një sistem demokratik, por njëherë duhet të shkoni të vuani dënim me burg për atë që e keni bërë. Gjithçka që këto raste arritën të tregojnë është se krimi megjithatë ja vlen, sepse çfarë nuk blihet me para, blihet me shumë para. Me paratë me prejardhje të dyshimtë, mund të paguhen kaucione të majme si garancë për të mos shkuar në paraburgim. Me të njëjtat para mund të paguhet edhe privilegji që dënimin ta vuani në burg të hapur, kur paraprakisht pikërisht për këtë qëllim e keni ndryshuar vendbanimin. Me të njëjtat para, mund të paguhen shumë avokatë e shumë përkrahës, me para bile mund të manipulohet edhe me shërbime politike në momente kyç, si atëherë kur duhej të votohen ndryshimet kushtetuese që na hapën rrugën për në NATO e në BE.

Është fatkeqësi që ky mesazh u përçua nga gjykatat tona dhe në kohën kur të gjithë kërkonin drejtësi, drejtësia vendosi t’i mbrojë ata që duhej ti dënojë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button